Lunxhëria, “Shqipëria jonë”

    927
    Para disa ditësh në kanalin televiziv TCH u transmetua emisioni “Grekët kërkojnë vorio epir në Lunxhëri”, emision që ngjalli diskutime në disa faqe të internetit, në rrethe intelektualësh dhe sigurisht edhe ndër banorët e Lunxhërisë. Diskutimet janë të justifikueshme, nisur së pari nga titulli provokativ i reportazhit dhe tjetra se të tjerë gazetarë, përpara M. Memës, kanë shkuar në Lunxhëri dhe pyesin banorë “Ç’është Lunxhëria – Shqipëri, apo vorio epir?” Gazetarin M. Mema e përshëndes për reportazhin dhe sensibilizimin për problemet që ngre atje, por së pari e falënderoj që mori mundimin dhe shkeli në Lunxhëri, në përpjekjen e tij për të hedhur vëmendjen në dritëhijet e historisë dhe kulturës lunxhiote. Veçanërisht për ngjitjen e tij deri në ish kryefshatin e krahinës, në Qestorat, ku ballafaqimet historike, madje do të thosha përplasjet e tyre, janë tepër të dukshme dhe të mprehta. Ngjitje e vështirë në një rrugë përmes kodrave e përrenjve, ku dhe ne bijtë e tij matemi të shkojmë të çmallemi atje, kur mendojmë atë rrugë, që s’u kujtua ta rregullojë kush, as regjimi totalitar gjatë 45 vjetëve të tij e, as ky i ashtuquajturi demokratik, këtu e 25 vjetët e tij. Problemet e ngritura në përgjithësi janë po ato që vazhdimisht i ngremë, por që askush nuk i dëgjon, pa le më të interesohet dhe të ndërhyjë të zgjidhë diçka. Lunxhëria ka ngelur jashtë vëmendjes së qeverive, madje është harruar prej tyre, përveç periudhave elektorale, mungojnë investimet dhe njerëzit kanë ikur e kërkojnë të ikin për të gjetur punë nëpër botë. Për rrjedhojë shkollat dhe shtëpitë janë mbyllur, shtëpitë muze dhe mjaft monumente kulture janë rrafshuar me tokën, urat mbi përrenjtë janë rrëzuar, jeta është shkretuar, aq sa në mjaft fshatra të saj nuk ka qoftë dhe një dyqan, ku njerëzit e mbetur atje të marrin një kile vaj, kripë, sheqer, makarona, akoma dhe bukë, që të shumtët pleq nëntëdhjetë vjeçare detyrohen ta bëjnë vetë. Tërheqja e vëmendjes për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe sa të tjerave më tutje, për mendimin tim, do të ishte një detyrë e çmuar qytetare e çdo gazetari që përshkon Lunxhërinë, para sensacionit “grekët kërkojnë vorio epir në Lunxhëri”. Sepse grekët historikisht, kanë kërkuar, kërkojnë dhe mbase do kërkojnë edhe më pas që jo vetëm Lunxhërinë e bukur, Lunxhërinë “Mrekullia e jugut” siç e quaj unë në librin që kam në proces, por edhe Korçën, edhe Gjirokastrën dhe mjaft vende të tjera, më poshtë e më lart tyre, i duan në vorio epir dhe kjo, nuk është gjë e re dhe sensacion. Lidhur me këtë, mendoj se reportazhi është përcjellë në një adresë të gabuar, sepse Lunxhëria nuk është “Shqipëria tjetër”, por me rrënjë dhe degë, me historinë – kulturën – luftërat e saj – gjuhën – traditat – idetë – besën, etj, etj. është “Shqipëria jonë” e gjithë shqiptarëve, nga Vermoshi në Konispol dhe nga Karaburuni në liqenet e Ohrit e Prespës. Madje, me kontribute të jashtëzakonshme në të gjitha fushat e jetës dhe historisë së kombit tonë. Përshkrimi i Lunxhërisë në “Shqipëria tjetër”, qoftë dhe në konceptin “Shqipëria ndryshe”, është i gabuar, i pajustifikuar dhe i paargumentuar në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë.

    Kam shkruar….
    Kam shkruar me dhjetëra reportazhe dhe disa libra për Lunxhërinë dhe lunxhiotët e mi, për ata që me luftën dhe punën e tyre na kanë bërë të ndjehemi krenarë në çdo kohë dhe në çdo vend ku jetojmë, por edhe për ata njerëz – heronj, që sot jetojnë atje dhe në mes të sa vështirësive e peripecive, përpiqen të mbijetojnë në këtë kohë të vdekur për ta. Është mosmirënjohje e madhe nga ana e qeverisë lënia e Lunxhërisë në atë gjendje të mjeruar ekonomike. Është tallje ajo që bëri ish-kryeministri kur vajti në ShënTodhër që u thotë lunxhiotëve mbillni dhe mbushni kodrat me arrë dhe ndërtoi një rrugë disa kilometërshe që ka vlerë vetëm për fshatin Erind dhe “arhondët e demokracisë” të venë me xhipat e tyre për të drekuar në klubin e ngritur në Çajup. Ja, ky është investimi i vetëm në Lunxhëri për 25 vjet me radhë, thua s’ka problem të tjera e plot halle për njerëzit që jetojnë atje, se sa për rrugën tjetër Gjirokastër – Saraqinishtë, ajo u ndërtua me fonde të tjera dhe jo të qeverisë shqiptare. Le të vijmë tani tek problemi “grekët kërkojnë vorio epir në Lunxhëri”. Lunxhiotët e kanë rrahur qysh herët kurbetin dhe, falë punës së tyre atje, në Lunxhëri u ngritën shtëpi – saraje, u ndërtuan fshatrat me rrugë të kalldrëmta, me shkolla, kisha e objekte të tjera sociale, me kroje të punuara në mënyrë monumentale e mjaft objekte të tjera, që i shndërruan këto fshatra në qytetthe të vegjël, të bukur, të pastër si drita, ku dhe vetë jetesa ishte në ato nivele, sa kanë mahnitur edhe personalitete të tilla si Bajroni, Lir, Hobhous, Pukëvil e mjaft të tjerë që kanë shkruar për të. Për shembull, në Gjirokastër atëherë i thoshin njeri – tjetrit: “E mo, ç’je veshur kështu, sikur do vesh në Qestorat”?
    Në Konsullatë në Gjirokastër, “ju lunxhiotët nuk jeni vorioepirotë”?
    Qestoritët atëherë nuk i martonin vajzat në Gjirokastër, të bëheshin shërbëtore të agallarëve gjirokastritë… Por eksodi i viteve ‘90-të i lunxhiotëve ishte i pashembullt, në drejtim të Greqisë, ku janë shumica, në drejtim të Europës, Amerikës, etj. Në Greqi, tashmë prej shumë vitesh, ku kemi krijuar edhe “Shoqërinë e lunxhiotëve të Athinës dhe gjithë Greqisë”, ne lunxhiotët ndeshemi me realitete që pakkush do t’i besojë. Në Shqipëri, në vitet nëntëdhjetë, asnjë lunxhot nuk u pajis me vizë njëvjeçare e as më pas 99 ditëshe, sepse siç na thoshin dhe në Ambasadë, dhe në Konsullatë në Gjirokastër, “ju lunxhiotët nuk jeni vorioepirotë”. Ata që morën viza nga Lunxhëria, ishin të shoqatës së vllehve, pra të ardhur në krahinë, si dhe ata lunxhiotë që ishin bashkëshortë të minoritarëve grekë. Unë vetë dhe qindra të tjerë, ose i blemë vizat për të ardhur në Greqi në rrjetet mafioze rreth Konsullatës së atëhershme, ose erdhëm maleve, si gjithë shqiptarët e tjerë. Ky është realitet dhe këtë mund ta verifikojë kushdo. Erdhëm në Greqi. Kur filloi procesi i regjistrimit të emigrantëve aty rreth vitit 1998, kishte dy forma legalizimi, si homogjenë (vorioepirotë në gjuhën tonë me njeri – tjetrin) që pajiseshin me kartë nga gjashtë muaj në 5 – 10 vjeçare pa pagesë dhe, të huaj, me kartë jeshile, që duhet ta përsërisnin atë çdo dy vjet, me kushte shumë të vështira të 300 ditëve siguracion, pagesë 300 euro për çdo njeri, etj. Ne lunxhiotët, gjithë shpresë, u drejtuam tek linja e parë, duke patur parasysh që Zhapajt e Zografot mbahen këtu si idhuj, madje me emra rrugësh e sheshesh, monumente, etj. Shpresat i ushqenim në vetvete, sepse askush nuk na i ushqeu ato, edhe pse historia dhe kontributi i atyre që përmenda dhe shumë të tjerëve njihet mjaft mirë, të mos them më mirë se dhe nga ne. Por, shpresat ishin të kota, përsëri na thanë:”Ju lunxhiotët nuk jeni homogjenë”…dhe ne, sot e kësaj dite, vazhdojmë të jemi me leje qëndrimi si gjithë shqiptarët e tjerë, të cilën duhet ta rifreskojmë në çdo dy vjet, me gjithë ato kushte të rënda të pagesës dhe të sigurimit të siguracioneve, në një kohë krize, kur punë s’ka. Një bashkëfshatari im, gjeti mundësinë të pajtonte një avokat nga më të dëgjuarit e parlamentit grek, për t’u pajisur me dokumente homogjeni. Nëse do të pajisej ai, radhën pas tij e zura unë, të më ndihmonte dhe të shpëtoja njëherë e mirë nga peripecitë e kartës jeshile, që na kanë zënë frymën. Por, e dini, ç’përgjigje i ktheu avokati bashkëfshatarit tim? “Më fal, i tha, po ju lunxhiotët për qeverinë dhe parlamentin grek nuk njiheni si homogjenë (vorioepirotë), më vjen keq! …” E, pra, unë jetoj në Greqi prej shumë vjetësh dhe kam parë se si shumë shokë dhe të njohur të mi, janë pajisur mirë e bukur, madje me lehtësi të çuditshme, me dokumente homogjeni edhe nga Puka, Shkodra, Elbasani, Fieri, Peshkopia e gjithë qytetet e Shqipërisë. Lunxhiotët jo, lunxhiotët nuk janë homogjenë grekë. Kjo as na çudit, as na ofendon, se ne shqiptarë kemi qenë, jemi dhe do të jemi, por se si ndjehesh kur “vorioepirot” është, fjala vjen, një kuksian apo një lezhjan, kaq larg Epirit dhe ne … shqiptarë që shqiptarë gjer në fund. Atëherë, kush do që Lunxhëria të quhet vorio epir? Grekët, thuhet në reportazh. Po cilët grekë? Qarqe shoviniste mbeturina të të cilëve mund të ketë akoma, apo individë të veçantë destruktivë, që duan destabilitet? Apo mos vallë, … ne shqiptarët vetë, institucionet dhe vetë qeveria që e ka lënë Lunxhërinë në atë gjendje, do që Lunxhëria të jetë vorio epir, e huaj?
    “Grekët kërkojnë vorio epir në Lunxhëri”
    Reportazhi i gazetarit M. M titullohet “Grekët kërkojnë vorio epir në Lunxhëri”. Tani, si ta marrim këtë, për realite apo për sensacion gazetaresk? Aty, madje thuhet edhe që busti i rilindasit të Lunxhërisë, Koto Hoxhit në Qestorat është dëmtuar disa herë. Personalisht para disa muajsh që isha në vendlindjen time në Qestorat, nuk vura re ndonjë dëmtim, përkundrazi respekti i lunxhiotëve, jo vetëm për emrin dhe veprën e tij, por edhe për bustin, është atje ku duhet. Atje bashkëfshatari im i nderuar Apostol Duka çdo vit organizon më 21 maj, ditën e emrit të Koto Hoxhit, homazh me gjithë lunxhiotët që duan të shkojnë në Qestorat dhe u sponsorizon madje edhe udhëtimin me autobus. Vështirë t’i shpëtonte Apostolit dhe gjithë atyre që vajtën atje në maj 2015 dëmtimi i bustit. Vetë fshatarët pastaj e kujdesin atë, e lyejnë e pastrojnë nga barërat rreth e rreth dhe, shpesh, vënë tufa lulesh të freskëta, ashtu siç bëj dhe unë sa herë që shkoj. Por le të shtrojmë edhe një pyetje, që gjithashtu kohët e fundit ka ngjallur retorikë: Kush janë dhe ku bazohen këta “grekë” që na kërkokan vorioepirin në Lunxhëri? Cilët janë këta që bredhin në portat e mbyllura të shtëpive të braktisura fshatrave të Lunxhërisë, për të gjetur një gur a një pllakë, ku ustai ka shkruar emrin në greqisht? Cilët janë këta që i panë se si u vodhën kishat e Lunxhërisë dhe nuk thanë një fjalë, pa le të ngrinin zërin dhe, tani vënë re që nëpër muret e tyre paska mbishkrime greqisht? Cilët janë këta që nuk e paskan ditur se në Qestorat ka funksionuar një shkollë pedagogjike në gjuhën greke, në një nivel dhe në një kohë me Zosimean dhe se në të kanë studiuar (sipas regjistrave) bij të Shqipërisë që nga Durrësi e gjer në Janinë, që tani na çuditen pse qestoritët dhe lunxhiotët duan t’i ngrenë një lapidar respekti birit të tyre, Kristaq Zografos, që bëri atë investim kolosal në vendlindjen e tij dhe për t’i dhënë jetë, gjallëri dhe kulturë vendlindjes së tij, në një kohë që mund ta ndërtonte atë diku gjetkë, më lehtë e me më pak shpenzime? Cilët janë këta që nuk e dinë që Kristaq Zografua dhe Vangjel e Kostandin Zhapa nuk ndërtuan vetëm fshatrat e tyre të lindjes, por ngritën edhe qindra shkolla në gjithë Shqipërinë e Jugut, në rajonin përreth e gjer në Kostandinopojë e Bukuresht, që tani nuk thonë një fjalë për ta, por na nxjerrin nga gropa e jashtëqitjes së historisë emrin e një bastardi si Jorgo Zografo? E pra, kush janë këta “grekë” që na kërkokan vorioepirin në Lunxhëri, kur ne lunxhiotët ua themi me gojën plot, që nuk janë midis nesh? Pllaka guri të shkruara greqisht dhe Kisha me mbishkrime greke mund të gjenden dhe ka faktikisht në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Lunxhëri. Ç’do bëjnë këta “grekët” e panjohur, vallë do ta kërkojnë vorioepirin në gjithë Shqipërinë? Çfarë fshihet pas këtyre “sensacioneve”, të dashur gazetarë? Çfarë ringjallet dhe sensibilizohet pas tyre, të dashur kolegë?

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 26.01.2016

    Sigal