Luftoni pesimizmin që ka zënë kore në mendjen e shqiptarëve

    428
    Pesimizmi është fenomeni psikologjik, që u ka kushtuar më shtrenjtë Shqiptarëve gjatë këtyre viteve të ashtuquajtura demokracie. Situatat e rënda të shoqëruara me një propagandë mbytëse, të vazhdueshme, negative e pa modele të qarta orientuese ekonomike dhe një qeverisje të munguar ose e shumta një qeverisje artizanale, që nuk qarkullonin elita dhe alternativa, por individë në shërbim të atyre që i vendosën dhe jo në shërbim të ligjit, por të afta për të bërë një mish-mash, që njerëzit të humbisnin shpresën dhe të bëheshin pesimistë për këtë vend. Dashur pa dashur, lufta e ngutur për pushtet ka zbehur ose ka zhdukur vlerat demokratike për të mirën e vendit dhe kjo luftë e pa principtë vazhdon akoma dhe nga mënyra se si zhvillohet, ka sjellë një neveri, deri në përbuzje opinionale. Opozita, që i ka akoma mehitët brenda, po përpiqet si bishti i gjarprit që shkëputet nga koka dhe vepron secila më vete, vazhdon të çorodisë njerëzit me broçkulla falë dhe shpërdorimit të kohës në parlament. Ajo ka fatkeqësinë të mos e dijë dhe të mos e kuptojë pse është në opozitë duke vazhduar rrugën e vetë-asgjësimit. Kuptohet që në kohën e tyre nuk ka pasur shtet, e të tjerat janë si puna e arsyes pse nuk dëgjohej kambana. Ndërrimi i pushtetit tregoi se sa në majë të hundës i kishte ardhur këtij populli që priste një ndryshim radikal. Koalicioni është kaq i madh, sa ju lejoi të bënit reforma masive të përziera, të majta e të djathta dhe për arsye që u kishte kaluar koha ishin bërë imediate për tu kryer. Reformat ishin një operacion pa narkozë, të dhimbshme, të domosdoshme dhe akute për tu kryer. Nuk është e vështirë që në këtë masiv punësh të ngutura në kohë, të gjesh edhe gabime që të jenë përfshirë të paaftë, trafikantë e të korruptuar, të cilët mund të trimërojnë opozitën dhe që për hir të së vërtetës janë goditur, por kjo duhet të jetë e përhershme se i zoti nuk është ai që nuk gabon, por ai që e ndreq gabimin shpejt, thotë një fjalë e importuar. Zoti Kryeministër! Nuk jeton njeri sot me premtimet e fushatës, por që të kërkojnë përmbushjen mbi pesëdhjetë për qind të premtimeve është normale, se njerëzit e kuptojnë se gjërat sa më afër konkretes vijnë, aq më të vështira janë për tu bërë. Druaj që disa gjëra për shkak të inercisë së pushtetit vazhdojnë njësoj. Tani jemi në mesin e mandatit dhe ky vit duhet të japë shenja të qarta pozitive të kthesës në ekonomitë familjare, të paktën në kahje pozitive, për të mos e gjetur popullin si aktorin e mirënjohur L.Paja, të cilin e varën kokë poshtë dy herë, një herë partizanët si ballist dhe një herë gjermanët si komunist, dhe kur vajtën për ta liruar tha- “Na lini më mirë se u mësuam tani”. Populli nga pesimizmi që e ka pllakosur, sintetizuar dhe në togfjalëshin helmues – “ky vend nuk bëhet”, “këtu nuk jetohet”, “këtu nuk punohet”, arrin deri në absurdin e kërkimit të një protektorati si shpëtim. Kjo është katastrofa e mendimit që përdor si lëndë të parë pesimizmin, e akumuluar ndër vite, të prodhuar me shumicë si në parlament dhe në qeveri, e të shitura me sukses nga mediat tona, akoma të pa stabilizuara. Në këtë gjendje është sot Shqipëria. Për të dalë nga kjo gjendje, nuk kërkohet magji, kërkohet punë dhe pak llafe, se është raport i masës që u jep gjërave shije. Kjo mazhorancë ka një të keqe se, nuk ka mundësi për justifikim, për shkak të numrit të madh të mekanizmave që ka në dorë për ndryshimin e gjendjes. Me opozitën merruni më pak për ta bindur me shembuj se si mund të zhvillohet një vend, kur shteti funksionon në mënyrë demokratike në dobi të popullit dhe vetë demokracisë. Populli sikundër merret me qeverinë, di të merret dhe me opozitën, deri sa ajo të kuptojë nga fillon opozita dhe kush është ajo. Është vërtetë e vështirë që nga një gjendje e rëndë pesimiste, ta kthesh në një gjendje optimiste. Mirëpo, do të ishte shumë pozitive përfshirja e gjithë shoqërisë dhe e opozitës në një lëvizje patriotike “Ta bëjmë Shqipërinë bashkërisht”. Kjo do të ishte mjaft e dobishme me ultra-efekt në zhdukjen e Pesimizmit. Shoqëria civile është një aset me vlera të larta ndërtimtare, nëse asaj do t’i gjendeshin mundësi dhe mekanizma që të shprehej. Ky vit është vendimtar për punën në dobi të vendit dhe ambicies tuaj patriotike, përndryshe moralisht do të jeni të detyruar të përdorni mekanizmat e emergjencës si institucion, për daljen nga gjendja, atë të dorëheqjes, që shpesh ka të njëjtën vlerë me atë të marrjes së pushtetit. Shpresoj te suksesi si shpresë të fundit për ta bërë Shqipërinë jo vetëm qeveritë, por të gjithë për sa kohë është Atdheu ynë.

    Neki HASKOÇELA
    Sigal