Luftim Ahmetaj: Në shkeljet flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës nuk kemi pasur madje as edhe një përgjigje me shkrim

    403
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet z. Luftim Ahmetaj, Kryetar i Unionit të Punonjësve të Shqipërisë dhe i Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë, janar ‘91

    Miratimi i “Statusit të Minatorit” të minatorit ka ngjallur shumë diskutime. Sipas ish -deputetit Luftim Ahmetaj, “Premtimi zgjedhor nuk ka qenë ulja e moshës së pensionit, por miratimi i “Statusit të Minatorit”, kërkesë që Sindikata  jonë e Minatorëve “Janar ‘91” ja ka paraqitur qeverive dhe legjislaturave kuvendare që nga viti 2007. Në këtë intervistë do të shikoni se si ai i mbron të drejtat e minatorëve.

    Ministri  e cilësoi projektligjin e miratuar pardje “Projektligj shumë të rëndësishëm, i cili mishëron një premtim zgjedhor të mbajtur nga Qeveria – atë të uljes së moshës për minatorët”? Ç’do të thotë kjo?

    Premtimi zgjedhor nuk ka qenë ulja e moshës së pensionit, por miratimi i “Statusit të Minatorit”, kërkesë që sindikata  jonë e minatorëve “Janar 91” ja ka paraqitur qeverive dhe legjislaturave kuvendare qe nga viti 2007. Statusi i Minatorit e përmban edhe uljen e moshës së pensionit, pra do të ishte më e drejtë që z. Veliaj të shprehej për një realizim pjesor të premtimit zgjedhor, pjesor në atë masë sa qeveria e ka gjykuar si të përballueshme.

    Pakënaqësi ndaj përmbajtjes së këtij ligji?

    Ulja e moshës së pensionit është absolutisht e rëndësishme. Kjo ulje është thuajse në përputhje me pritshmërinë tonë në aspektin e uljes së moshës. Pavarësisht se, me këtë ulje, ky ligj nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka korrigjuar çmendurinë e vitit 2001, kur mosha e pensionit për profesionet e tjera u rrit me 5 vjet, kurse për minatorët u rrit me 15 vjet. Imagjinoni çfarë papërgjegjshmërie sociale, humane, por edhe politike. Mosha e daljes në pension për minatorët 65 vjeç, e thënë ndryshe 5 vjet pas vdekjes, pasi jetëgjatësia mesatare e minatorit në Shqipëri është 60 vjeç. Ishte një nonsens total, që u korrigjua nëpërmjet ligjit të ri.

    Pra jeni të kënaqur?

    “Jepi Çezarit atë që i takon”. Sigurisht që, jemi të kënaqur me uljen e moshës. Sigurisht që ,qeveria dhe kuvendi kanë falënderimet dhe urimet tona. Jo vetëm për moshën. Pavarësisht se e mira nuk ka fund, ne jemi të kënaqur edhe me përfitimin financiar që sjell ligji për ata 3700 minatorë që përfshiheshin në skemën e ashtuquajtur “trajtim i veçantë”, të cilëve ju shtohet masa e pensionit me afro 50% dhe atyre 140 të tjerëve që përfitojnë jashtë kësaj skeme. Të kënaqur jemi gjithashtu edhe me faktin që ndryshe nga qeveritë Berisha, të cilat nuk u morën kurrë me aspektin moral dhe ligjor nëpërmjet pranimit të kostos financiare, kjo qeveri e theu akullin në këtë drejtim dhe pavarësisht se në kufijtë minimalë, zhbllokoi një fature të përafërt me 3 milionë dollarë. Ashtu siç ndodh rëndom, nuk ka një vijë demarkacioni të precizuar mes arsyeve për të qenë të kënaqur dhe arsyeve për pakënaqësi. Pikërisht arsyet për të cilat shpjegova se jemi të kënaqur, të vështruara në aspektin e kushtetutshmërisë dhe të së drejtës universale, janë njëra pjesë e arsyeve të pakënaqësisë.

    Atëherë me radhë. Pse keni pakënaqësi me moshën e daljes në pension?

    Jo, nuk jemi të pakënaqur me moshën e pensionit. Jemi të pakënaqur me përkufizimet përjashtuese të kritereve që duhen plotësuar për të përfituar. Për të zbutur aq sa mundet efektet përjashtuese, ne patëm propozuar një mekanizëm të vjetër universal, mekanizmin e përshkallëzimit dhe caktimit të raporteve mes kritereve të përfitimit dhe masës së përfitimit. Një ilustrim konkret: Sipas këtij ligji, përfitojnë moshën 55 vjeç të daljes në pension minatorët që kanë punuar 12 vjet e gjashtë muaj nëntokë dhe nuk përfitojnë asgjë ata që kanë punuar vetëm një ditë më pak sesa ky limit. Në referim të përvojës ndërkombëtare por edhe precedentëve në Shqipëri ne kërkojmë që minatori që ka punuar deri një vit më pak sesa limiti 12 vjet e 6 muaj, të përfitojë një vit më pak në moshën e pensionimit, pra të mos dalë 55 vjeç, por 56. E me radhë deri në 65 vjeç për ata që kanë punuar më pak sesa 2 vjet e 6 muaj nëntokë. Zgjidhja jonë është formulë e vjetër, e thjeshtë, e drejtë dhe e ligjshme. Jepi Cezarit atë që i takon, por jepi edhe minatorëve atë që i takon!

    Por nuk jeni të kënaqur as me faturën, që sipas jush është minimale?

    Gjithçka lidhet me faturën. Edhe përshkallëzimi që ne kemi kërkuar e ka pjesën e vet në faturën e përgjithshme. Pjesa tjetër e kërkesës sonë, që është përkufizimi i pagës referuese për efekt llogaritje të pensionit, e ka edhe më të madhe faturën. Problemi që është shtruar gjithnjë para qeverive është nëse parapëlqejnë të shtrembërojnë logjikën, të drejtën dhe ligjin në varësi të mundësisë dhe pamundësisë së përballimit të faturës, apo do kërkojë përafrimin e faturës me të drejtën dhe ligjin. Gjithnjë ka ndodhur që qeveritë i kanë lejuar vetes të kryejnë më shumë rolin e një promotori elektoral të maxhorancës përkatëse, sesa detyrën që i takon si administratore e shtetit dhe ligjit. Të drejtat e patjetërsueshme të minatorëve janë përdorur nga qeveritë si plaçkë elektorale ose demagogjie për momente të vështira, duke synuar shumë zhurmë me kosto sa më të vogël.  Ato kanë trajtuar herë pas here probleme të minatorëve që kanë qenë më akute për momentin duke bërë trajtim hileqar parcial, por duke e shitur si zgjidhje rrënjësore. I famshmi ligj “Për trajtimin e Veçantë të Minatorëve” i vitit 2000 është një ligj skandaloz për nga pikëpamja e kushtetutshmërisë. Është një ligj që legjitimon pabarazinë para ligjit duke përdorur jo kriteret që lidhen me punën, por afate kohore. Konkretisht la vetëm tre muaj afat për plotësimin dhe dorëzimin e dokumenteve, kush paraqitej pas këtij afati nuk i njihej asgjë, pavarësisht se ai mund t’i plotësonte kriteret shumë më mirë sesa ata që paraqiteshin në afat. Me dhjetëra herë u kemi theksuar qeverive dhe institucioneve përkatëse antikushtetutshmërinë e këtij ligji që diskriminon minatorët me “para Krishtit apo pas Krishtit”. Këtë skandal edhe vetë Veliaj e ka njohur para Komisionit të Ekonomisë kur thotë: “Gjithashtu, është  e përcaktuar që kush nuk plotëson kushtet në vitin 2001, nuk merr trajtim dhe për rrjedhojë për 13 vite nuk është futur në trajtim financiar asnjë person veç atyre të vitit 2001.”  E megjithatë, nuk ndërhyhet për ta korrigjuar. Përkundrazi, ky ligj që u miratua dje e thellon edhe më tej këtë skandal kushtetues sepse e amplifikon masën e privilegjimit të këtij grupi minatorësh dhe nuk merr asnjë masë për ata që padrejtësisht ishin djegur edhe radhën e parë. Por problemet janë edhe më të thella sesa kaq. Duke bërë gjithnjë trajtime segmentare dhe vetëm për të kaluar situata të caktuara, aktet nënligjore që lidhen me pensionet e minatorëve kanë prishur balancat e barazisë sipas kritereve edhe në masën e përfitimit të pensioneve.  Kemi minatorë që kanë punuar 25-30 vite nëntokë e që përfitojnë pensionin 30-40% më të ulët sesa minatorë që kanë punuar 13-15 vite nëntokë. Antikushtetuese edhe kjo. Ne patëm propozuar që ky ligj të bënte një përkufizim të qartë dhe gjithëpërfshirës për kriteret që përcaktojnë masën e pensionit. Në këtë mënyrë do rikthehej në korniza kushtetuese e gjithë dosja e akteve ligjore e nënligjore e pensionimit të minatorëve.

    Si kanë reaguar qeveria apo institucione të tjera për propozimet tuaja? Ishin argumentet tuaja, apo të qeverisë më të bazuara?

    Më vjen rëndë, por duhet të pranoj, se nga kjo qeveri, tek e cila ne si sindikatë e minatorëve patëm investuar shumë shpresë e pritshmëri pozitive, nisur kjo jo vetëm nga paralelizma dhe rrugëtime të përbashkëta që kemi pasur me ish opozitën në këto 6-7 vitet e fundit, por edhe nga një marrëveshje me shkrim mes PS dhe sindikatës sonë që më 2009, ku PS angazhohet prerë dhe qartë se çdo hap në lidhje me riparimin e bazës ligjore në lidhje me minatorët do të bëhet në bashkëpunim dhe konsulencë të pandërprerë me sindikatën tonë, por që për fat të keq vetëm konsultime nuk ka pasur. Në shkeljet flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës nuk kemi pasur madje as edhe një përgjigje me shkrim, ndonëse ne i kemi kërkuar zyrtarisht disa herë që pas ardhjes në pushtet, që të prononcohet konkretisht për kërkesat tona.

    Në seancë z. Veliaj hodhi poshtë pretendimin e opozitës se projektligji nuk është konsultuar me minatorët apo sindikatat e tyre dhe nuk reflekton kërkesat e tyre. Veliaj tha se, ky pretendim është absurd, sepse jo vetëm që është diskutuar në Këshillin Kombëtar të Punës dhe hartuar në zbatim të premtimit të dhënë sindikatave, por ai është shkruar edhe në bashkëpunim të ngushtë me to. Ai tha se, në Shqipëri sindikatat nuk bien dakord për asgjë dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën për çdo gjë, por ky projektligj është i vetmi rast, kur ato kanë rënë plotësisht dakord.

    Unë kam respekt për z. Veliaj, jo vetëm si ministër i kësaj qeverie, por edhe personalisht si njeri me të cilën kam kënaqësinë të kem edhe një marrëdhënie miqësore. E vlerësoj edhe në përgjithësi për performancën që ka treguar deri tani si ministër. Por përsa konfrontohen fjalët e mija me të tijat, do të thoja se ai ka folur në mënyrë të përgjithshme për dakordësi me sindikatat dhe ka pasur parasysh vetëm ato sindikata që janë të përfaqësuara në Këshillin Kombëtar të Punës, që kryesohet nga vetë ministri. Po ta themi ca më shqip, dakordësia për këtë projektligj ka qenë me ato sindikata që nuk kanë shkrepur asnjë fishek të vetëm për statusin e minatorit dhe jo me ne që kemi 7 vjet që luftojmë për minatorët, që kemi bërë mbi 50 protesta në gjithë Shqipërinë, vetëm në tiranë 23 protesta, që jemi përleshur me policinë e kemi bërë greva urie, që kemi marrëveshje me shkrim me PS për riparimin e bazës ligjore në respektim të të drejtave të minatorëve. Nëse z. Veliaj do më kundërshtonte për këtë, do isha gati të debatoja miqësisht me të kudo dhe kurdo. Për z. Kalaja nuk e di se ku e gjen guximin moral që del përshëndet dhe uron minatorët për këtë ligj, kur ky vetë është shprehur në Këshillin Kombëtar të Punës kur qeverinë e sundonte z. Berisha, se kërkesat tona për minatorët qenkëshin utopi.

    Aludoni për mënjanim të qëllimshëm tuajin nga procesi i konsultimit?

    Absolutisht jo. Mënjanimi jonë jam i bindur se ka ndodhur nga ballafaqimi i z.Veliaj e më gjerë me ndërgjegjen e vet. Në kushtet e pamundësisë përballuese të një fature më të lartë, duke konsideruar se kërkesat tona, qeveria i kurseu vetes kohe dhe nerva duke e mbyllur procesin e konsultimit me ato sindikata, të cilat nuk sjellin asgjë për konsulencë.

    Kaq thjeshtë mbyllet kjo histori e gjatë dhe dramatike për sindikatën tuaj?

    Duhet që në çdo moment të jemi realistë e me këmbë në tokë. Një çështje e pazgjidhur nuk mund të quhet kurrë e mbyllur. Në këtë vështrim ky është një ligj që do shërbejë pozitivisht për një kohë të pacaktuar. Por unë jam i bindur se me ndryshimin e situatës ekonomike në vend, me rritjen e punësimeve në sektorin minerar dhe me një pastrim më rrënjësor të skemës së pensioneve nga abuzimet, kësaj qeveri asesi nuk do t’i mungojë vullneti për të kryer në një kohë optimale korrigjimet e nevojshme.

    Albert  Z. ZHOLI