Luftim AHMETAJ/ Ç’donte Kalaja në protestën e furgonistëve?

    471
    Sigal

    Jam pak i befasuar nga ajo që ndodhi të premten në Tiranë. Pse, mund të më pyes dikush që ka qejf të jetë me ne dhe unë me sa mundem, me shumë modesti, po dhe pa paragjykime politike (do ta shikoni), do të mundohem të shpjegoj se çfarë ndodhi në të vërtetë (gjithmonë sipas këndvështrimit tim), në atë protestë të furgonave, të të pushuarve nga puna në administratën shtetërore, të të paguarve nga BSPSH-ja apo PD-ja dhe të kujtdo halabaku që donte të dilte në televizor e që çuditërisht në një epoke të ashtuquajtur demokraci, për katër orë rresht nuk u step së paraqituri një farsë PD-iste si gjoja protestë furgonash (e kam fjalën për Nevvs 24). Në qoftë se, realisht aty, tek ata 323 veta kishte ndonjë furgonist me licencë, në rregull me ligjin dhe me të tjera kërkesa legjitime, të më falë, pasi në këtë shkrim ai vërtetë nuk do ta gjejë veten. Çështja e parë që do të trajtoj, ishte fakti se ç’donte Kalaja (Gëzimi i BSPSH-së) në atë protestë. A kanë këta ‘sindikalistë furgonistë’ ndonjë kontratë kolektive me BSPSH-në ose të jetë ndokush prej tyre të paktën anëtar?  A paguan ndonjëri prej tyre kuotizacion që të quhet sindikalist? Ku ishte kjo sindikatë e Kalasë këto tetë vite që shkuan, kur ligjin që i pengon aktivitetin e ka bërë Berisha me të tijët? Në qoftë se kjo ishte protesta e bukës, kush ishte Kalaja (Gëzimi i BSPSH-së) ‘Koci Bako’ i Berishës? Një tjetër çështje që nuk duhet t’i ketë shpëtuar shqiptarit patriot dhe liridashës, ishte fakti se çfarë donte tufa e deputetëve të PD-së në një protestë “sindikaliste” për “çapën e bukës”, kur vetë e kanë bërë ligjin që ndalon këta furgonistë për të mos livadhisur sipas qejfit. Një anë e mjerë e kësaj proteste nuk ishin vetëm këto që përmenda me sipër, por ishte  dhe vëmendja e veçantë e disa mediave, të cilat ndoshta të befasuara për protestën sindikaliste farsë, me injorancën e tyre intelektuale për të njohur sindikalizmin e vërtetë, pasi vetë shumicën e gazetarëve të tyre e kanë akoma në punë të zezë (pa siguracione) pra jo në sindikatë, na shkatërruan shijen televizive pasi na detyruan për mjaft orë të shohim  lloj-lloj injorantësh që shprehnin të gjitha mllefet e grumbulluara për shumë vite dhe që qeveria e re duhet t’i zgjidhë tani menjëherë mbasi kështu ka marrë urdhër Kalaja (Gëzimi i BSPSH-së) nga selia mëmë. BSPSH-ja dhe të tjera si kjo nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me sindikalizmin. Ato janë disa tipe OJQ-sh, të cilat nuk i marrin paratë nga donacionet e huaja, por nga pasuritë e ish- Bashkimeve Profesionale, të cilat kanë shumë vite që i vjedhin pa ju futur asnjë gjemb në këmbë. Të gjitha qeveritë që kanë ardhur deri tani në Shqipëri i kanë mbajtur këto sindikata (janë vetëm disa krerë sindikalistë dhe jo sindikata reale) në gjendje frustacioni. Kur kemi nevojë do t’ju përdorim. Binduni, ndryshe do të hyni në burg pasi keni vjedhur pasurinë e popullit. Qeveritë kanë vjedhur, qeveritarët janë ngopur dhe kur ka pasur ndonjë revoltë qytetare kanë dalë këta krerë sindikalistë dhe kanë mbyllur çdo sherr parcial që ka ndodhur. Të gjithë jemi mirë, qeveritarët me vila të mëdha, “sindikalistet” me vila më të vogla, populli pa bukë dhe pastaj del Kalaja (Gëzimi i BSPSH-së) dhe na bën një protestë për bukën. Sa qesharake, por dhe shumë e dhimbshme është kjo farsë të nderuar miq  FURGONISTA. Të tregosh bëmat e të ashtuquajturave sindikata shqiptare mbas marsit 1992, të tregosh për tradhtinë që ato i kanë bërë lëvizjes sindikaliste të 91-shit,të tregosh për masakrën që i kanë bërë pasurisë së popullit, të tregosh për legenizmin e tyre me  pushtetin dhe pushtetarë të veçantë sigurisht nuk mjaftojnë këto rreshta, por dhe disa milionë të tillë do të ishin pak për të përshkruar poshtërsitë që këta krerë sindikatash i kanë bërë vendit dhe popullit të tyre. Një tjetër fakt që nuk mund të lihet pa përmendur këtu është ajo se ku vallë ky robi Kalaja (Gëzimi i BSPSH-së) na e gjeti guximin, jo si të 1998-s, ku marshoi me tank mbi institucionet, por lezetshëm, duke u ulur para kryeministrisë paqësisht dhe duke ju lëpirë policëve? Kjo trimëri e tij nuk vjen vetëm nga selia blu dhe Berisha, por kryesorja më duket se vjen nga përkëdhelja (nuk di si ta quaj por më rezulton servile?) që ministri Veliaj i bëri Kalasë (gjithmonë Gëzimit të BSPSH-së) në një gjoja miniere me 11.2 punëtorë, ku djali ministër na mbështeste kërkesat e Kalasë (pra Gëzimit të BSPSH-së) të cilat realisht asnjë njeri nuk kishte dëgjuar t’i bënte 8 vjet të sundimit të Berishës, por as më parë. Kërkesa për statusin e minatorit, për të naftëtarit dhe të një tufe profesionesh të vështira, qeverisë “Berisha” ja ka bërë vetëm sindikata e minatorëve “Janar 1991” me  53 protestat e tyre dhe me 3 greva urie, ku nga pasojat ndërruan jetë dy minatorë të ngujuar. Për kujtesë të ministrit Veliaj, kjo sindikatë ka nënshkruar dhe një pakt me partinë e tij, ku në të pranohet se me ardhjen në pushtet, të drejtat e minatorëve (pra statusi i tyre) do të miratohet brenda 6 muajve të parë të qeverisjes. Në rast se, nuk do të plotësohen këto kushte, në rast se Zoti ministër do të mbajë Këshillin Kombëtar të Punës me kufoma sindikaliste, në qoftë se ligji nuk do të jetë i barabartë për të gjithë, një proteste false të konsorciumit PD&BSPSH mund t’i bashkohen dhe të tjerë sindikalistë të vërtetë, por që me siguri nuk do të sëmuren nga policët siç i ndodhi “të shkretit” Kalaja me 28 shkurt para kryeministrisë. Mos na detyroni të përzihemi me krundet, se neve nuk na hanë dot pulat.