Lufta e Lëkurësit: 28 shkurt, 4 mars 1878

2257
Gëzim Zilja

O grekër o besëqenë
Ç’kërkuat në vëndin tënë
Ç’ua mori dreqi mëntë
Latë kockat në Sarëndë.

Sipas epikës historike
Lufta turko-ruse përfundoi me traktatin e Shën Stefanit më 3 Mars 1878, ku gjysma e tokave shqiptare i jepej Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Greqia nuk merrte gjë nga ky traktat dhe mbetej në kufijtë e mëparshëm. Duke përfituar nga shpartallimi i Turqisë, banda të organizuara qysh para Traktatit mësynë në Jug të Shqipërisë për ta pushtuar atë e për ta bërë fakt të kryer aneksimin e tij. Më 27 shkurt 1878, një bandë prej 150 vetash zbarkoi në Sarandë. Këtyre iu bashkëngjitën edhe 700 vullnetarë të tjerë nga Korfuzi (përgjithësisht shqiptarë), që komandoheshin nga kolonelët Llapa e Lord (Jorgj) Stefani. 

Shtatëdhjetë e tetë senea 
Doli Lordhi nga Morea 
Lëkurës u ngre simea (flamuri)

Disa historianë grekë e konsiderojnë zbarkimin e bandave greke (andartë në këngët popullore) si lëvizje të himariotëve dhe udhëheqësve të Bregdetit për mëvetësi nga pushtimi turk. Ata pohojnë midis të tjerash: Lufta e Lëkurësit u bë ndërmjet bregasve dhe shqiptarëve të tjerë jo të turqizuar, për çlirimin e Kalasë së Lëkurësit, pikës strategjike të ushtrisë turke dhe përzënies së Turqisë, çetave kurveleshase, djalërisë labe, të inkuadruar në radhët e ushtrisë turke nën komandën e Ibrahim Pashës (që erdhi nga Janina), që kërkonin të përjetësonin pushtimin turk, duke iu dhënë shqiptaro-turqve disa të drejta…. Në fakt ata që zbarkuan ishin bregas nën komandën e Lord Stefanit, qeparotas, që ktheheshin nga lufta Ruso-Turke dhe do të çlironin hyrjen e Himarës, në jug, nga turqit. 

Në të gjitha këto teza antishqiptare ka të vërteta por më shumë të pavërteta. Pyetja që lind vetvetiu është: Nëse këta bregas do të çlironin Himarën nga turku si pretendohet, përse zbarkuan në Sarandë pikërisht në kalanë e Lëkurësit dhe më tej morën drejtimin e Delvinës, në fshatrat Dhivër e Karalibe e jo në Himarë? 

Dhivrat e paçi lanenë 
nakatosnë vilajenë
Anagnostërit çu ngrenë 
Zis’ Stavrua me Gumenë
Van’’ e zun’’ hyqymenë

rrethosnë Karalibenë. (Fshat në Vurg të Delvinës)

Është fakt që në këto banda kishte me shumicë shqiptarë madje dhe udhëheqësi i tyre Lord Stefani ishte nga Qeparoi, nga i njëjti fshat me shqiptarin e madh Sokrat Leka. Por duhet të kemi parasysh: ata ishin të armatosur, kishin uniforma të ushtrisë greke, luftonin nën flamurin grek dhe kërkonin, që këto toka shqiptare të bashkoheshin me shtetin grek. Ndërsa shqiptarët luftonin për mbrojtjen e tokave të tyre dhe kishin shpresë se me përkrahjen e Turqisë, do të fitonin një autonomi ndoshta të cunguar. Por ata nuk kishin asnjë dyshim se rreziku i vërtetë për kohën kur zhvilloheshin ngjarjet, ishte ai grek; këto toka do t’i aneksoheshin Greqisë dhe do të ndodhte ashtu si ndodhi me Artën e Prevezën që pas “çlirimit” nga Turqia, shqiptarët u vranë, u dëbuan ose u detyruan të kthehen në fenë e krishterë. Politika e aneksimit të Jugut të Shqipërisë, që kishte filluar me “Megali Idenë” (1844) do të vazhdonte deri në vitin 1945 me tragjedinë çame. Kemi të bëjmë me një shtrembërim të së vërtetës dhe fakteve historike. 
Së pari, jo të gjithë “vullnetarët” ishin shqiptarë nga Himara. 

Së dyti, shqiptarët nuk luftuan nën komandën e Ibrahim Pashës, por u organizuan në bazë fshati e krahine për dëbimin e bandave greke. Në këngët popullore të Jugut flitet qartë, që në luftën e Lëkurësit mori pjesë, jo vetëm Labëria, por edhe Himara me kapedanët e saj. Nëse në anën greke kemi renegatin qeparotas Lord Stefanin, në anën e shqiptarëve kemi qeparotasin e famshëm Sokrat Leka. Kënga thotë:

Sa xbret greku në Sarëndë
Sokrat Leka pallë-ergjëndë
Në ëmërë të Bregdetit 
I bën haber vilajetit:
‘’Të gjithë jemi në këmbë’’… 
Dhe më tej
Djemtë e Bregut suferinë 
Luftuan brinjë më brinjë 
Me hasmin që kemi fqinjë
Ngre kumandari dulbinë
Dhe sheh xhamadan zinë
Fajkoin Kostë Gjikëdhimë
Tek hidhej si vetëtimë. 
Ose tek poezia tjetër:
Mu te qisha në Metoq
Ç’u vranë dy pilurjotë
Ç’i qajnë nënatë me lot
Trim o trima pilurjot…
Kristo Vjerua (Kudhës) në Bregdet
Bashkë me pesëmbëdhjet’
Mu tek qisha (Lëkurës) vret e pret…

Në të gjitha këngët popullore për këtë luftë vihet re vetëm prania e shqiptarëve. Më poshtë kemi një këngë vaji të motrës për vëllanë, ku ai i përgjigjet se në vendin ku ai ra, kishte pranë shokët e vet dhe fshatarët e Zhulatit:

Qan e motra të vëllanë
Sadush vetullgajtanë 
O Sadush kë keshe pranë?
Shanën e Godo vëllanë
Haredinin e Xhemalë
Me shumë trima fshatarë.

Po le të kthehemi te lufta e Lëkurësit më 27.02.1878, kur banda vullnetarësh të përbërë nga grekë e shqiptarë hynë në Sarandë:

Të xhumanë që me natë,
në Korfus, një koshullatë,
shkruan e dërgon një kartë:
Kush është djalë, më këmbë,
të hidhet të zërë vëndë,
se del greku në Sarëndë!

Kënga e thotë shkoqur që greku ka dalë në Sarandë. Nuk kishte rëndësi përbërja e bandave: ato vinin nga Greqia për qëllime aneksioniste. Kjo kishte rëndësi dhe mbi këtë bazë u ngritën shqiptarët. 

Jorgo dhëndërr i Rusisë,
të shoç djemt’ e Labërisë,
me jelekë e pa këmishë,
e marrin plumbin në sisë.

Përpjekja e parë u bë në “Qafë Gjashtë” në periferi të Sarandës. Sapo kaluan Qafën e Gjashtës, të parët që nisën luftën qenë disa fshatarë nga Zhulati, me Idriz Alidhimën në krye.

Në xhuma që me natë,
Vjen një ulurimë e thatë.
Thanë, u vranë zhulatë,
Dyzet e gjashtë mandatë. 
Dhe më tej:
Kush lufton përposh në Gjashtë
Idriz Palla vet i shtatë,
Mb’udhë poqën lazaratë,
Briti Idriz Alidhima,
Përpjetë, o burra, o trima
Atje ku lufton martina.

Fshatarët e atyre anëve lëshuan kushtrimin për qëndresë. Historikisht fshatrat e Bregut dhe ato të Labërisë kanë qenë të bashkuara në luftë kundër turkut dhe pretendimeve tokësore të grekëve. Tradita e bashkimit vazhdon. Vargjet e mëposhtme nuk lenë shumë vend për të menduar:

Ç’u ngrinë, shokë ç’u ngrinë,
Lum i Vlorësë tremijë,
Në Kuç e mbëlodhë fuqinë,
Kaptuan Shënvasinë
Ranë te rrapi në Delvinë,
Me britma me sokëllimë.
Qafës së Gjashtës ju ngjitnë,
Dhëmb për dhëmbë me morainë.

Beteja në Qafë Gjashtë do të ishte e ashpër me të vrarë nga të dy palët. Si në një film, në betejë jepen forcat pjesëmarrëse luftuese: Bregdeti, Vlora, Gjirokastra e Delvina me rrethinat e saj, të rënët dhe qëllimi i luftës:

Kush u vra përposh në Gjashtë
Progonatë dhe zhulatë
Lum’ i Vlorës jo të pakë,
Shtat’ a tet’ të Dukatë,
Kurvelesh, hallall e pastë,
O trima, o Lazaratë!
Dhe më tej vazhdojnë vargjet:
Rakip Demo bajraktari
u lavos në Gjashtë i pari
Më këmbë i dolli xhani. 
Kush e njeh Islam Fterrë
Bën uxhum përmbi banderrë(flamur)
Grekërit me shtish(një lloj thike) e therrë.

Poeti popullor është asnjanës në këtë beteje fytafyt me “moraitë’. Në betejën e Gjashtës ai thotë për lord Stefanin:

U mbush gjak e shkreta Gjashtë
Me Progonat’ e Zhulatë
Jorgj Stefani nga Qeparoi
djemt’ e Zhulatë ç’i shoi.

Por humbjet e grekëve do të ishin më të mëdha dhe poeti me përbuzje thotë se ishin aq shumë sa “qelbën dhenë”. Pas këtij përshkrimi të gjallë të luftës me bandat greke jepet dhe përfundimi i kësaj përpjekjeje për aneksimin e tokave shqiptare. 

Qafirë, vallë sa qenë?
Qenë aq sa qelbën dhenë. 
Vate Lordi në More
Po asqerët ku i ke?
Mi bënë muhasere 
Me top’ e me xhephane.

Në luftimet e zhvilluara në Kalanë e Lëkurësit, Qafë Gjashtës, Karalibe e Dhivër u dalluan, veçanërisht Idris Alidhima, Rakip Gjocaj nga Zhulati, Bako Çarçani nga Fushëbardha, Islam Gjonika nga Fterra, Rakip Delvina, Iliaz Tatëzati, Myslim Zenel Gjoleka, Daut Durmishi nga Lazarati etj. Më 4 Mars të vitit 1878 pas luftimeve të ashpra bandat greke u tërhoqën nga Saranda dhe kaluan në kufirin grek. Tre muaj më vonë, më 10 qershor do të krijohej ‘’Lidhja e Prizrenit’’ si një bashkim i madh i shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre në veri të Shqipërisë, kundër vendimit të Fuqive të Mëdha dhe Turqisë, që ua falte ato fqinjëve veriorë.


Sigal