Luçiano Boçi:“Duhet një PD, që i përgjigjet kohës dhe të hapur për të gjithë”

502
Sigal

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në intervistën për “Telegraf” pranon se lideri i ri i PD-së, duhet të ndërtojë një tjetër PD, që t’i përgjigjet kohës dhe të jetë e hapët për të gjithë.

– Zoti Boçi, si duhet lexuar vota e 23 Qershorit?

– Ishte i paparashikuar në raport me humbjen, madje të madhe të PD-së. Të mbetesh në argumentin majtist si votë kundër arrogancës së pushtetit, duket e pavend, pasi LSI-ja ka qenë pjesë integrale e të gjitha vendimmarrjeve politike për të realizuar nga PD-ja një shtet real juridiko-ligjor. As votë antikorrupsion nuk mund të quhet, pasi i akuzuari kryesor për afera nga vetë Rama që tani është kanakari dhe kurorëzuesi i Ramës, mori më shumë vota se vetë akuzuesi. Të mbetesh në argumentin që ishte votë rotative duket pak e vështirë, pasi mungesa e rritjes së PS-së e hedh poshtë një gjë të tillë. Për mua, më shumë ishte një votë kundërshtuese tip “mode”, tip “tendence” politike, pa shumë përgjegjësi brenda. Gjithashtu ishte dhe votë e inateve të vogla të brendshme, e konsumit që të sjell natyrshëm një pushtet i gjatë dhe mosplotësimit të gjitha kërkesave imediate elektorale, sikurse ishte dhe votë e lënë në inercinë e vet të saj nga pjesa aktive e PD-së.

Kjo a nuk tregon se kupola e lartë e PD-së ishte e shkëputur edhe nga realiteti, por edhe nga baza e saj, nga elektorati i saj?

– Ushtrimi i pushtetit në format e plotësimit të interesave të komuniteteve në mbarë vendin, për investime që krijojnë vende pune, për infrastrukturë rrugore, spitalore e shkollore dhe konkretizimi i rritjes së pagave, pensioneve dhe përkrahjeve në ato masa që ofron rritja ekonomike që realisht ka qenë e qëndrueshme, nuk dëshmon shkëputjen por madje lidhjen e ngushtë me elektoratin dhe interesat e tij. Projektet tona ishin në sinkron me këto kërkesa dhe parashikonin një përmbyllje në një masë tepër të kënaqshme për to. Kurrfarë shkëputje nuk ka ekzistuar në këtë drejtim.

– Ju vetë, mund të na përmendni disa shkaqe të kësaj humbjeje  të PD-së?

– Këto do jenë pjesë e konkludimeve që do të dalin nga analizat që do bëhen brenda PD-së.

–  A ka tendencë  në kupolën e lartë të PD-së, që vërtet të analizohen shkaqet që sollën humbjen, apo do të mjaftoheni me  marrjen përsipër të përgjegjësisë nga kryetari Berisha?

– Në pjesën drejtuese të PD,  ka bindje dhe është procedurë normale statutore për të realizuar një analizë të detajuar të shkaqeve të humbjes. Akti i kryetarit të PD-së, është krejtësisht simbolik dhe njëkohësisht taktik për të kapur momentin e duhur, në nxjerrjen e një lidershipi të ri, të cilit për hir të së vërtetës do ti duhet shumë kohë për t’ju përafruar staturës eklipsuese të Berishës.

– Cila duhet të jetë përmbajtja e analizës?

– Do ndiqen ato linja të një analize klasike që përfshijnë përgjegjësitë e çdo forumi dhe individi në organizimin e fushatës dhe në mënyrën e administrimit të pushtetit.

– Ajo që bie në sy është se deri tani, askush nga drejtuesit e tjerë të lartë të PD-së nuk ka marrë përsipër përgjegjësi. Përse? Apo të pranojmë që përgjegjësi i vetëm është kryetari?

– Gjithçka do të zbardhet përgjatë analizave të detajuara dhe komplekse për secilin qark.

– Cili duhet të jetë vizioni i ri i liderit të PD-së?

– Të vazhdojë të ruajë e të pasurojë atë që PD-ja e deritanishme ka më të mirë: përkushtimin, vitalitetin, ritmin e lartë, forcën rinore, pasionin për t’i shërbyer vendit, respektin për çdo anëtar dhe përulëson ndaj elektoratit. Të synojë të ndërtojë një PD, që i përgjigjet kërkesave të kohës, një PD të hapur për të gjithë ku secili gjen veten, interesat e familjes, qytetit, vendit.

– Albert Brojka, në një intervistë për “Telegraf” tha se PD-ja ka nevojë  akoma, që të thërrasë “Liri- Demokraci” për veten e saj. Sa të drejtë ka?

– Opinionet e veçanta gjithmonë janë subjektive. Për të marrë përsipër për të thënë një gjë të tillë, duhet më parë të jesh pjesë integrale dhe aktive e strukturave dhe jo të nisesh nga nostalgjitë e kohës së rinisë.

– PD-së i nevojitet një reformim i thellë, në të gjithë strukturat e saj, apo thjesht një lider i ri?

– Lideri i ri kërkon struktura të rinovuara. Reformimet nuk janë thjesht ndërrim emrash, por më shumë ndërrim konceptesh menaxhuese partiake.

– Një opozitë me këtë minorancë , çfarë roli konstruktiv mund të luajë në 4 vjeçar?

– E sigurt është që nuk do të jetë aspak destruktive si PS-ja e bezdisur e këtyre viteve. Dhe rolin e saj nuk e përcaktojnë pasja apo jo thjesht e numrave, por mbi të gjitha mënyra e të bërit opozitë. Do jemi vigjilent ndaj çdo arbitrariteti e abuzivizmi të pushtetit, i cili ende pa marrë karrigen ka filluar të nxjerrë dhëmbët, sikurse do jemi bashkëpunues ndaj të gjitha atyre nismave që ndihmojnë hapat e Shqipërisë drejt BE dhe atyre projekteve që ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në prosperitetin e vendit.

– Si maxhorancë, ju akuzuan shumë për përqendrimin e pushteteve dhe moslënien e një hapësire për opozitën. Nëse maxhoranca e re do të sillet njësoj, do të keni të drejtën që të bëni këtë oponencë?

– Sot jemi pikërisht në  fazën e revanshit.  PS-ja mund të ndërmarrë shumë iniciativa për të zhbërë shumë institucione, iniciativa këto që do të ndeshen me kundërshtinë tonë të plotë. Letra e kryetares së PS-së Korçë, e cila kërkonte heqjen e menjëhershme të të gjithë punonjësve të administratës, për t’i mbushur ato me militantë si dhe kërkesa absurde e Ramës, për të ndërtuar një Byro Hetimi, që tejkalon institucionet e  drejtësisë, janë vetëm maja e ajsbergut e urrejtjes dhe e revanshizmit të shfrenuar që sapo ka nisur të ravijëzohet brenda korridoreve të mavijosura të PS.

– Mos vallë duhet reformuar së thelli gjithë koncepti i të bërit politikë në Shqipëri?

– Mbetet një kërkesë e gjithëkohëshme

Sëmundja kryesore e sistemit tonë  politik është mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar dhe për të arritur kompromisin. Ky raport i tanishëm maxhorancë-opozitë, a nuk e thellon këtë hendek?

– Dhe pa këtë raport, me Ramën në drejtimin e vendit, gjithçka duket e pashpresë.

– A është i prirur që sistemi ynë politik të reformohet së brendshmi?

– Nuk ka ende shenja të tilla. Madje shkalla e agravimit është rritur ndjeshëm. Tendenca është përmbysja e vlerave dhe triumfi i antivlerave.

– Faleminderit!