Luan SHMILLI/Italia e ndezur nga flamujt kuqezi

    436
    Sigal

    Histori reale të familjeve shqiptare në Itali, të cilët mbrojtën flamurin e tyre tw valëvitej i lirw

     Nga Italia, për “Telegraf”

    Edhe qyteti i Xhenovës u skuq me flamuj nga shqiptarët. Këtu, Durrsakët e lashtë që drejtuan republikën e Xhenovës kanë lënë gjurme famujsh dhe shqiponja dykrenore ne ndërtesat dhe vilat e tyre të bukura. Natyrisht pati shumë që iu gëzuan drejtpërdrejt festës duke ardhur. Disa tashmë edhe janë kthyer dhe tregojnë madhështinë e Vlorës, ku data 28 nëntor e ktheu qytetin bregdetar në një Shqipëri të vogël. Se vetëm Vlora, në këtë datë është Shqipëri. Jo si thonë disa, që turpësisht deshën ndryshimin. Në “mitrën” e Vlorës baballarët e Kombit, ngjizën dhe firmosën më 28 Nëntor, pavarësinë. Pavarësia është fëmija e ëndërruar,Vlora, mëmëza që e mbajti në mitër. E lindi! Si çdo njeri që ka një nënë të pandryshueshme, Pavarësisë nuk mundet kurrë t’i ndryshohet nëna. Për këtë Vlora dhe data 28 nuk mund të ndryshoheshin dhe keqdashësit politikanë edhe u “pushkatuan”, në Vlorë! Ajo i vrau dhe i beri “meitë”, me ardhjen e pambarimtë të shqiptarëve. Shumë mirë, Vlora! Sigurisht ne të munguarit nuk munguam aty dhe me  mundësitë hapësinore që ekzistojnë si, TV dixhital, interneti dhe telefonia, u bëmë “pjesëmarrës” virtual të festës së madhe. Bukur, shumë bukur! Nuk po flas për Tiranën, të mos ulim atje aspak, Vlorën! E dhanë edhe këtë edhe pjesëmarrës të huaj. Nuk ja vlen të kujtohet më.

    Kohë feste mbarshqiptare. Gjithkush e ka festuar sipas mundësisë dhe dëshirës. Është folur për këto kudo. Për emigrantët që e festuan në dhé të huaj më pak. Natyrisht, faktori largësi ndikon. Por edhe për këtë mund të shkruhet. Shembuj ka plotë. Unë mund të sjell disa. Them disa sepse në Xhenova, Itali, për shembull, në periferitë e metropolit më shumë, por dhe në qendër për javë të tëra në ballkonet dhe dritaret e pallateve, ishin vendosur flamuj kuqezi dhe mjaftonte kjo të kuptohej se atje, në atë pallat shumëkatësh të metropolit xhenovez, kishte një familje, një numër të pacaktuar shqiptarësh, apo qoftë dhe vetëm një njeri. Jemi të çuditshëm ne shqiptarët. Edhe aty ku jemi të pakët apo minorancë, ne jemi të shqueshëm, të papërmbajtshëm, të lirë… Ndofta kjo mënyrë të shprehuri vjen nga vuajtjet tona, sakrificat e panumërta që fillojnë shekujve dhe vazhdojnë edhe sot. Dhe vijnë gjer në këtë largësi veriore mesdhetare sa të mahnitin se si shqiptarët edhe në lashtësi kanë ikur nga vendi i tyre dhe kanë ardhur kaq larg. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për arbëreshët e ngulitur kryesisht në Kalabri e jug të Italisë, por dhe të tjerë. Në Xhenova të famshëm janë durrsakët, që vendasit i flasin dhe shkruar “I Durazzi”. Diçka kam shkruar për ta në “Telegraf”, por pak, fare pak. 28 Nëntori më çoi edhe tek ata. Ndërtimet e tyre, pallatet shumëkatëshe, vilat, biblioteka, rrugicat është vështirë të mos gjesh simbole shqiptare. Dhe, simbol mbi simbolet është shqiponja. Kudo në Xhenovë simboli i shqiponjës është i dukshëm, madje edhe pse i transformuar disi, i tjetërsuar paksa, shqiponja gjendet edhe me dy koka në lartësi pallatesh dhe vende publike… Natyrisht nuk mund të thuash se i kanë bërë të gjitha durrsakët e ardhur paksa para pushtimit turk. Nuk mund të pretendosh se janë simptoma të dukshme shqiptare, por paralelizëm gjithsesi mund të bësh edhe pa qenë studiues i mirëfilltë i deshifrimit të shqiponjave. Durrsakët e kanë shumë të dukshëm në “patronatin” e tyre të stërmadh këtë simbol shqiptar. Jo vetëm në qendër të qytetit në lagjen muzeale, më të madhen në Europë mbrojtur nga UNESKO, por dhe qytezat e vogla bregdetare ku vila Durazzo (Durrësi) në Santa Margarita Ligure, parmakët e saj të viteve 1600 i ka të “stolisura” me shqiponja dykokëshe, në fluturim, krahapura dhe me tendencë ngritëse… Duhen studiuar këta shqiptarë të “çmendur” që imazhet e flamurit shqiptar me koka shqiponjash i kanë stampuar kaq larg vendit të tyre, para, gjatë dhe pas kohës së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Këto dhe flamujt realë në ballkonet e dritareve të shtëpive xhenoveze (disa shqiptare i kanë blere) me kujtuan një ngjarje reale një ditë para datës 28 nëntor. Dhe ma ka treguar vet personi, i cili është një shqiptar emigrant nga Lushnja. Shkëlqim Vrapi, quhet dhe punon murator. Ai ndodhet këtu prej disa vitesh dhe tani edhe familjarisht. Është i martuar dhe me tre fëmijë, të tre në shkollë këtej emigrimit. Ka edhe me dy vëllezër të tjerë, më të vegjël, të dy të martuar dhe me fëmijë. Kanë gjetur hapësirë jetese dhe punojnë edhe ata muratorë. Luani i dyti ka blerë edhe shtëpi dhe profesioni nuk e ka lënë në rrugë.

    – Kemi festën nesër, më tha Shkëlqimi, këta më duan në punë, por më kanë lejuar gjysmën e ditës pushim.

     -Domethënë do ta festoni!

     -Llaf është ky?Do ta tundim. Të ftoj të vish ta kalojmë bashkë. Hajde se kam ngritur dhe unë flamurin në ballkon!

     -Vërtet? Të lumtë! Është dita jonë e Pavarësisë!…

     -Po a e di ç’më ndodhi? Me erdhi një nga ata të Berluskonit…”pse ke vënë flamur, më tha, nuk është vendi yt ky, duhet ta heqësh…në shkallë pas tij ishte dhe një tjetër, por që nuk foli.

     Thash se kish ardhur të më uronte…

     “Kam festën e Pavarësisë i thash, ai flamur është simbol i vendit tim. Ne pa atë nuk jetojmë dot…Ai flamur këto ditë nuk preket, jo më të hiqet!”

     “Kjo shtëpi dhe kjo tokë nuk është jotja!”-tha i nervozuar!

     “Ore zotëri, i thash, këtë shtëpi sot e kam unë dhe ai flamur nuk preket, jo të hiqet! Kupton? Nëse ke ardhur për të vrarë njerëz, është tjetër pune, por flamurin nuk ke për ta hequr sa të jem gjallë unë dhe familja ime…”

     “Paske bërë luftë…ekstremist i djathtë, duket…si e mbyllët?”

     “E pa që nuk kalonte, iku me shoqëruesin…hajde, shikoje flamuri shqiptar valëvitet!…”

     “U dashka shkruar diçka, thash unë.”

     “Shkruaje! Por shto se kur u thash shokëve italianë të punës, e njihnin…po talleshin… Bjere dy ditë ta vendosim për respekt këtu, ne ballkon, ku punojmë, më thanë, ti ke të drejtë të festosh Pavarësinë e vendit tënd… Por nuk kisha flamur tjetër dhe ballkonin e shtëpisë nuk do e lija shkret…”

    Këto me tregoi Shkëlqim Vrapi, nga Lushnja, Çimi, si e thërrasin të gjithë ata që e njohin për njeri të mirë. Dhe ai nuk erdhi dot në Vlorë! Por unë e shihja atë mes 800 mijë shqiptarëve, aty, madje shumë më bukur! Vazhdimësi e durrsakëve të ndritur që edhe pse bënë epokë me 9 kryeministra 40 ambasadorë e dy kardinalë në drejtimin e Republikës së Xhenovës, gjurmët e shqiptarizmës i kanë lënë kudo. Jo vetëm në flamujt dhe shqiponjat në skulpturë, por dhe në mbiemrin e pashuar Durrësi. Shkëlqim Vrapi nga Lushnja, por dhe ata që ngritën kurajshëm flamurin në Xhenova, ishin pse jo, vazhdimësia e tyre, legjendë. Dhe, jo vetëm kaq, por edhe vet vazhdimësia e tejzgjatur e festës së Vlorës. Ditës së pavarësisë së shqiptarëve që edhe pse jo fizikisht në Vlorë, ishim në Vlorë!

     Pavarësi, megjithatë, ende e përgjysmuar!…