Luan SHMILLI/Aty ku merren dhe nuk administrohen para, bëhen gropa

    396
    Sigal

    Aksi rrugor Berat-Fier dhe Fier Novoselë, tmerrësisht i pakalueshëm!

    Ka shumë gazeta dhe disa televizione, misioni i të cilave është “mbulimi” dhe bëjnë vetëm një detyrë: Lustrojnë, pastrojnë, mbulojnë e maskojnë punët e këqija të qeverisë, që qytetaret e shumtë i vuajnë individualisht dhe kolektivisht. Si një krevat me kashtë që sipër i vihet mbulesë e “mëndafshtë” duket Shqipëria pothuaj në të gjitha drejtimet që “qorr-gazetat” nuk e shikojnë. Por le të hidhemi tek realja: Furgoni që mora në Berat, për Fier ishte natyrisht i vjetër dhe shoferi është një djalosh Beratas, me syze optike. Rruga nga dalja e ish kombinatit gjer në qendër të Poshn një tmerr i vërtetë.

    Ngjitim Qafën e Sqepurit dhe pash se lapidari i luftës ishte ringritur si simbol qëndrese kundër nazifashistëve dhe tradhtarëve të vendit. Zbresim nën një shi të imët që godet e rrëshqet xhamave të makinës. Me kujdes ecim.
    Në Kutalli rishfaqen gropat. Me ato gropa edhe mund të zemëroheshe, si shoferi, por edhe mund të qeshje nga mërzia, si unë. Unë qesha. Gropat ishin fantastike. Tundeshim dhe shkundeshim në furgon, si në një anije ku dallgët e forta epojnë sa majtas dhe djathtas ekuipazhin. Dhe, ndërsa shkoja drejt Fierit më vjen ndërmend ideja se si e fillon ditën e punës kryetari i Komunës në Kutalli, për shembull. Nuk di kush është dhe nuk mund ta paragjykoj, por unë për qendrën e bërë copë-copë, kam mendimin kryetari i komunës, edhe të merrte borxh nga xhepi i vet a i biznesmenëve do mbulonte “liqenin” dhe atë mizëri gropash në qendër, pranë zyrave të tij, duke ditur ndërkohë se qeveria nuk e ndihmon. Vazhdojmë ecjen gomareske. Po kjo situatë në hyrje të Roskovecit, ku dukej se pak më parë kishin shtruar rrugën që ishte prishur. Kryetari i Bashkisë këtu me siguri nuk e sheh atë që ndjejnë makinat, shoferët, udhëtarët. Ecim si nëpër breshkë. Ngadalë. Natyrisht është e mërzitshme. Në kthesë të Marinzës rruga përsëri shumë keq! Po ashtu tepër keq tek Ura e Zharrzës, sa në kthim shoferi ndërroi plotësisht aksin rrugë duke u futur në rrugicat e ngushta të Zharrzës për të dalë në afërsi të kthesës së Marinzës. Dy kilometër më tepër, për 200 metër gropa…. Shumë keq rruga edhe në kthesë të Patosit. Shoferi mundohet, herë-herë ngre syzet optike dhe përpiqet të gjejë gropat më të vogla. Tregon se edhe Tirana ka rënë. Nuk ka atë shpresën e parë, kur u prishën shurrëtoret e Berishës. Nuk ka udhëtarë në kthim, dhe nuk paguan dot karburantin…punon për bukëngrënie dhe nuk po arrin….Ka shume furgona, pak para…”
    Këtu është policia, tha ai qe tregoi me parë se do shkonte në burg. Doja ta pyesja, përse dhe për çfarë, por debati i tij me mësuesen (ishin ne një linjë, por dhimbja s’ishte e njëjtë) nuk më la. Ai zbriti tek policia e Fierit me: “U pafshim në një Shqipëri të lirë, vëllezër e motra!” Nuk gënjej. Absolutisht! Mu duk si një kryengritës. Një nga ata fierakë që Zogut i bënë kryengritjen e njohur të Fierit. Ishte nga fshati dhe nuk kishte frikë të thoshte se ishte nga Ngjeqari. Se shkonte në burg. M’u duk një Hekuran Maneku që mbetet lapidar i shembullit të Mallakastrës së poshtme… Mësuesja e “kuqe” nuk po fliste më. Dukej se i vinte keq për atë njeri.
    Shoferi tha kur mbërritëm në Fier: “Në këtë rrugë Berat-Fier, i burgosur jam edhe unë! Dhe ju që keni ardhur nga Italia, e pe vet, ë burg jeni!..”.
    “Bënë rrugët e fshatrave me asfalt ku nuk kalojnë as tre makina në ditë, hedhin miliona atje, për t’i vjedhur, dhe nuk bëjnë rrugën Berat-Fier, tha mësuesja e “kuqe”. “Po Berat-Lushnje e ke parë?”, pyeti shoferi me syze optike te hequra duke vazhduar: “po atë Berat-Çorovodë e ke parë?”
    “Shoh përditë këtë që shkoj në punë, kam parë atë Fier-Novoselë”, tha mësuesja.
    “Domethënë ne që shkojmë drejt Vlorës, përsëri në burg”, thashë unë.
    “Po, ore vëlla, por Novoselë-Vlorë, autostrada është e mirë…aty nuk je në burg! Del pak nga burgu….Këtë standard dua edhe unë, tha e “kuqja”.
    Një shpresë, megjithatë fle, nëse autostrada është e bërë mirë!
    “Jo, por aty, mos harro, është edhe borxhi ynë i madh që ka kaluar ’60 përqindëshin…”, tha shoferi duke ndaluar në mbërritjen e Fierit që u bë 1 orë e 50 minuta nga Berati, po kaq pothuaj edhe në kthim!Vazhdova drejt rrugës burg po me furgonë dhe disa vlonjate, gjithashtu të irrituar për gjendjen. Shiu binte dhe pushonte si gropat që diku shfaqeshin butë, diku të tmerrshme. Në afërsi të Levanit nuk ishin me pak të këqija se ato të Kutallisë, Roskovecit, Kthesës së Patosit….Autostrada po, bukur, por tepër pak për të justifikuar ato rrugë të qytetarëve… Është një fakt kokëfortë që kërkon zgjidhje, ndëshkim ligjor, duke mos folur për rrugën që çon tek fabrika e çimentos. Unë këto pash duke ecur si me pranga. Paratë kudo janë dhënë, por gropat mbeten. Aty ku merren a nuk administrohen para, bëhen gropa. Qytetarët flasin shumë! Shajnë dhe vuajnë! Ata paguajnë kostot. Të tepërta nuk janë fjalët e tyre, komentet, analizat, keqardhjet, kritikat, shfryrjet, sharjet, betimet, zemërimet kundër qeverisë dhe perpendikulareve të saj të papërgjegjshme në qarqe, bashki, komuna. Të tepërta janë justifikimet dhe shpërdorimet, papërgjegjshmëritë, gënjeshtrat, mashtrimet e qeveritarëve në një realitet të tillë të prekur mes njerëzve që duan ndryshim rrënjësor!…Sepse brenda vendit ndihen të burgosur! Kjo ishte një ditë që unë e shkruajta për të gjithë të “burgosurit”, kundër burgosësve të shtetit!