Luan Shabani: Në çdo vend që shkonim detarët tanë nuk kontrolloheshin

    536
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet ish-oficeri i marinës, Luan Shabani: Në doganat e huaja na shikonin me respekt, pasi e dinin që nuk bënim kontrabandë

    Një jetë me anije tregtare, tashmë ka filluar prodhimin e maketeve të anijeve më të bukura që ka pasur flota jonë tregtare dhe ajo luftarake. Në gjithë jetën e tij detare ai ka shkuar në portet kryesore të Mesdheut, ku kudo i kanë pritur dhe respektuar si mos më mirë. Në ekspozitën e hapur në Muzeun Kombëtar, ai ka paraqitur 40 makete nga anijet më karakteristike që të lashtësisë (ato liburne), deri tek ato moderne që ka pasur Flota jonë Tregtare, por edhe ushtarake.

     Ju keni qenë oficerë marine me çfarë anije tregtare, cila ka qenë anija që ju keni punuar më shumë?

    Ka qenë anija tregtare “Liria” me “6 shkurtin”. Por me anijen “Liria” punova plot shtatë vjet, pastaj më vonë  punova në degën teknike të Flotës Tregtare dhe aty, formova  elementët e parë inxhinierik, që më hyri si dëshirë kjo puna, e ndërtimit të anijeve  model, mostër, pra si makete.

     Kur fillove punë si oficer marine në Flotën Tregtare?

    Nga viti 1968 deri në vitin 1975. Ishte koha kur flota jonë po konsolidohej. Nga viti në vit ne blinim anije të reja të Flotës Tregtare dhe mund të them se kishim anije shumë të mira, ndër më të mirat e asaj kohe.

     Në sa vende keni shkuar jashtë shtetit për mallra tregtare?

    Kryesisht në të gjitha vendet fqinje si Greqi, Bullgari, Rumani pra në vendet e Mesdheut.

    Sa tonëshe ishte kjo anije?

    Ishte 3500 tonëshe, një anije e mirë për kohën. U ambientova shumë me të. Ishte bërë si shtëpia ime.

    Çfarë prodhimi?

    Ishte prodhim polak, avullore. Mos harro se Polonia është një ndër vendet më të sakta të prodhimit të anijeve të Flotës Tregtare. Kjo anije ishte prodhim i vitit 1956. Maketin e saj e kam dhe në ekspozitën e sotme.

     A vlerësohej Flota Tregtare në regjimin komunist?

    Shumë, madje mund të them se kishte përparësi. Ne e shtonim çdo vit Flotën por duhet të dini se kushtonin dhe ne blinim nga më të mirat. Ne kishim dietë të mirë dhe mund të themi më të mirë se të vendeve lindore. Por kishim dhe shumë kërkesa dhe kontroll. Marinari atë kohë shikohej si i veçantë, madje na dinin si të privilegjuar.

     A ju ka ndodhur ndonjë tragjedi në det?

    Fatmirësisht kurrë nuk kam parë apo nuk na ka ndodhur ndonjë tragjedi. Ndoshta kemi qenë me fat.

     Kush ishin dobësitë e këtyre anijeve?

    Puna e tyre motorike. Ato punonin me mazut. Kishin kosto shumë të lartë shfrytëzimi. Pra ishin me kaldaja shumë të mëdha. Avullore.

     Çfarë eksportonit dhe importonit me këtë anije?

    Kryesisht eksportonim minerale, konserva të ndryshme, pije alkoolike, bimë medicinave dhe importonim makineri, farëra të ndryshme, agregate, etj..

     Kur shkonit jashtë shtetit, a keni pasur provokime dhe si silleshin në doganë me ju?

    Kur nuk kemi pasur provokime. Asnjëherë nuk na kanë thënë gjysmë fjale. Kishim rregulla në anije edhe kur dilnim. Nuk kishim lënë kur shije të hidhur. As vinim të dehur, as vinim të shkatërruar. Dilnim në qytet e atyre vendeve si njerëz me kulturë dhe na trajtonin shumë mirë. Madje, mund të themi se në çdo port ne ishim të privilegjuar. Madje, e them me forcë që nuk na kontrollonin kurrë madje as pasaportat. Na nderonin dhe na linin të lirë.

    Po marinarët e tjerë i kontrollonin?

    Po të gjithë marinarët e vendeve të tjera i kontrollonin. U bënin kontroll për kontrabandë, për dollarë, për lëndë narkotike. Kudo i kontrollonin, ne ishim si delja e zezë dalloheshim të rregullt korrekt. Kishim krijuar një portret tonin dhe kudo gjenim një mirëkuptim dhe respekt të veçantë.

    Po në Itali si ju prisnin?

    Sa shkonim për të dalë, qeshnin dhe na thoshin, kaloni, albanezi, bravo. Asnjë dyshim, në kohën që ne çfarë nuk thoshim për italianët, mafiozë.

     Sa ka zgjatur udhëtimi më i gjatë?

    Ka zgjatur 30 ditë. Kemi shkuar në disa vende të Mesdheut. Në këto udhëtime kur ishte koha e mirë dilnim jashtë në kuvertë dhe shikonin hapësirën e pafund të detit. Ajër i pastër. Një mrekulli. O zot sa mirë ndiheshe në këto raste. Më shumë ndenjëm në Bullgari. Aty ishim bërë si të shtëpisë. Na respektonin shumë.

     A merrnit mallra për shtëpinë në atë kohë?

    Po, mundoheshim n.q.s sajonim ndonjë lek. Me të ardhurat e kursyera rrallë mund të blinim gjëra. Kemi sjellë ndonjë makinë qepëse, ndonjë frigorifer. Por edhe ndonjë rrobë, pasi me këto i kishim më të lehta gjërat. Nuk na kishin nxjerrë probleme në doganë. Sipas rregullave i kalonim në doganë. Por ne nuk merrnim kushedi çfarë mallrash që të na sillnin pengesa. Merrnim më të domosdoshmet dhe që të mos binin në sy pasi ahere o zot të hapej punë e madhe në familje.

     Ju tashmë në këtë ekspozitë çfarë doni të përcillni?

    Një historik të anijeve që nga lashtësia. Në këtë historik nëpërmjet maketeve të ndryshme. Këtu përcillen anijet liburne dhe deri tek anijet e Flotës Tregtare, por edhe ato ushtarake shqiptare.

     Këto makete janë ndërtuar me dru apo me metal?

    Shumica janë ndërtuar me dru por ka dhe me metal. P.sh këto anije liburne me vela të lashtësisë, unë dhe pse kam qenë detar nuk i njihja, por i gjeti djali në internet dhe unë i ndërtova. Pra për prodhimin e tyre unë angazhohem vetë, por dhe djalin tim, madje, kam edhe kursantë që vijnë dhe mësojnë për ë formuar ide se si kanë qenë këto anije. Pra shumë gjëra nuk i kam ditur unë, po populli si do t’i dinte këto anije të lashtësisë?

     Kjo  është hobi apo keni fitime me shitjen e maketeve?

    Unë nuk kam asnjë fitim. Rrallë edhe kam shitur, pro janë shumë të rralla. Është një hob profesional, ku unë përcjell si maket anijet më të veçanta në historinë e tyre. Të gjitha këto anije do të shërbejnë dhe si një prapavijë për një muze në të ardhmen. Kur shteti të kujtohet për diçka të tillë unë i kam të gatshme.

     Sa vjet ke punuar për këto makete kaq të bukura?

    Kjo është një punë 20- vjeçare. Është një punë e madhe, e cila ka kushtuar mijëra orë punë. Është një punë cilësore, shumë korrekte, precize, që kërkon durim dhe përqendrim.

     Sa makete ke shitur?

    Kam shitur ose më kanë porositur, sidomos anije liburne. I kanë blerë kryesisht jashtë. Unë gjithsej kam 60 makete, të cilat janë anijet më të rëndësishme të flotës tonë tregtare dhe ish- ushtarake. Mund të kem shitur 20 prej tyre. Edhe ato që kam fituar nga shitjet i kam bërë sërishmi lëndë të parë apo materiale, për maketet e tjera, apo kam përsëritur ato që kam shitur.

     Po në tregun shqiptar a kërkohen këto makete?

    Jo. Aspak, ende nuk është kthyer në kulturë për ne blerja e gjërave të tilla.

    Sa orë pune ju kanë kushtuar këto makete?

    Rreth 18 mijë orë pune. Ndoshta nuk të besohet, por është e saktë. E kronometruar kjo që të them. Duart e mia janë të çara nga thikat, nga dalta, nga hekurat.