Luan Rama poston foton: Mjerimi, refreni i trishtë i kohës tonë!

561
Sigal

Nga Luan Rama

Sot në ditën ndërkombëtare të fëmijëve:

Një foto sa njëmijë fjalë dhe “Poema e Mjerimit” e Migjenit!…

Do të mjaftonte edhe një rast i vetëm ( për fat të keq në Shqipëri gjen me mijëra!), që qeveria, shteti dhe e gjithë shoqëria të ngriheshin në këmbë e sot t’u dedikoheshin fëmijëve; fëmijëve në nevojë, fëmijëve jetimë, fëmijëve të braktisur, fëmijëve të rrugës, fëmijëve të abuzuar, fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë!…
T’u dedikoheshin jo me fjalë siç bëjmë rëndom dhe siç bënë edhe sot, por me dashuri dhe solidaritet, që nesër, qoftë edhe njëri prej tyre të jetë më mirë se sot.
E kështu me rradhë ditë pas dite, në çdo ditë, pa bujë, pa zhurmë, pa hipokrizi!
Për fat të keq, nuk ndodhi!
E ai djali i vogël nga Bulqiza, fotografuar me kovën mbushur me krom mbi shpinë, edhe nesër do të jetë përsëri vetëm, përsëri i braktisur dhe i harruar, i hedhur në rrugë përballë malit të halleve të veta që s’bëzan!
Mjerimi, refreni i trishtë i kohës tonë!
I kohës tonë mbushur me politikanë, me qeveritarë, me deputetë, me horra e kriminelë, me trafikantë, me drogë e korrupsin!
Dhe Shqipëria pret t’i çelet dera e negociatave me Bashkimi Europian, sepse pretendojmë që kemi mbërritur standardet që kërkon Europa!
28 qershori kur Këshilli Europian do të duhet të vendosë nuk është larg!
Fotoja e djalit nga Bulqiza akuzon! Edhe vetë Bulqiza, gjithë Shqipëria akuzon!
Politika të heshtë! Të paktën të heshtë meqë nuk ndjen turp!

MIGJENI

Fragment nga “Poema e Mjerimit”

“Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi,
Kafshatë që t’mbet’ n’fyt edhe të ze trishtimi,
Kur sheh ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta,
Që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita,
Dhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin,
Të tan’ jetën e vet derisa të vdesin.

………………………………………..

Mjerimi s’ka fat, por ka vetëm zhele,
Zhele fund e majë, flamujt e një shprese,
T’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

…………………………………………

Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
Dhimba paduruese që t’bajnë t’çmendesh,
Që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
Ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

Mjerimi s’don mshirë, por don vetëm të drejt!
Mëshirë? Bijë bastarde e etënve dinakë,
Të cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt,
I bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak,
Tu ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzis’ që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët’ njollë kurrë nuk asht e mundshme,
Ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj”.