Luan Rama/ Ali Demi, Heroi i Çamërisë martire, që u vra në Vlorën heroike

    916
    Sigal

     19 dhjetor 1943 – 19 dhjetor 2013,  70- vjetori i rënies të “Heroit të Popullit”

    19 dhjetor 1943 në Kaninë, vrasja e heroit Ali Demi

    Që nga ai çast nuk e pashë më… nuk do ta shikoja më kurrë atë njeri me një kurajo të jashtëzakonshme, i cili besonte se kjo luftë do të sillte një Shqipëri të re, të bashkuar dhe të begatë. Edhe pse kishte tetë orë që luftonin, lodhjen Aliu nuk e ndjente. Kaloi dhe fushën, pa u kuptuar nga njeri, pasi të gjithë ishin përqendruar nga shtëpia ku mendohej se partizanët atje ende luftonin. Po linte Kaninën dhe po drejtohej nga “Kodra e Dheut të Bardhë”… Aliu mendonte se më së fundi e kishte çarë rrethimin dhe tashmë nxitonte drejt Ujit të Ftohtë. Nga ullishtat poshtë dukej deti. Por pikërisht në atë moment, një breshëri mitralozi u shkreh mbi të. Gjermanët i kishin zënë të gjitha pikat nga ku mund të kalohej. Tutje ende gjëmonin të shtënat e artilerisë. Në sytë e Aliut ullinjtë dukej sikur binin e rrëzoheshin me rrapëllimë, bashkë me të. Pastaj gjithçka ra në heshtje. Heshti përgjithnjë…

    Dëshmitari i vrasjes së heroit

    Kur kisha qenë në Kaninë, në bisedë me xha Sadikun një fshatar nga Kanina, i cili i kishte përjetuar ngjarjet e atij fund dhjetori të vitit 1943, ai më tregoi për vrasjen e Aliut, i cili, pasi kishte kaluar “çezmën e Nafijes”, siç e quante populli, kishte marrë nga përroi i Vasunjës duke dalë në Qafën e Dheut të Bardhë. Ai më kishte thënë: «Mbaj mend kur trupin e Aliut e sollën dhe e vunë në rrugë të fshatit. Njerëzit filluan të mblidheshin dhe të shikonin të vrarin. Kush ishte? Si quhej? Askush nuk e njihte. Pas pak dikush u afrua dhe duke i parë çizmet e mira, qeshi, u ul dhe ia hoqi. I mori dhe u largua, i ndjekur nga të qeshurat e ca ballistëve të tjerë. Kaluan pak çaste dhe dikush u afrua drejt të vrarit dhe duke i bërë shenjë dikujt tha: Ndihmomë ta marrim. Duhet ta varrosim, siç i ka hije zakonit shqiptar! Njerëzit nuk lihen në mes të rrugës! Por ndërkohë ndërhyri një ballist që iu hakërrua. – “Komunistët do të varrosësh ti?!…”. Por fshatari qëndroi krenar dhe ia ktheu: “Do ta varros në varrin e vëllait tim!”… Dhe bashkë me një njeriun e tij, e mori Aliun dhe e varrosi».

    Heroizmi i Ali Demit përjetësohet në këngën e popullit

    Vrasja e Aliut i tronditi të gjithë. Në radhë të parë komunistët dhe ilegalët e Qarkorit, por edhe njerëzit e thjeshtë që e kishin njohur ato katër-pesë muaj që gjendej mes tyre. Kjo vrasje kishte hapur plagë dhe në banorët e Kaninës që nuk mund ta pranonin që vrasja e Ali Demit dhe Pano Dhimgjokës ishte bërë në pragjet e tyre.

    Disa ditë me vonë një grua fshatare, do t’i ngrinte këngë:

    “Ti Shqipëri, ti djalëri,

    Nga gjaku yt nxjerr liri,

    Ti Çamëri veshur në zi,

    Me gjak të Aliut kërkon liri…”

    Po ato ditë, doli një Trakt i Komitetit Qarkor të Partisë për Vlorën me mbititullin “Vdekje Fashizmit dhe Liri e Popullit” dhe më poshtë titulli “Ali Demi bie dëshmor në tokën e Vlorës”.

    Rrëfimi i motrës së Heroit

    “Dita kur erdhën dhe lajmëruan për vrasjen, – tregon Ildizja, motra e Aliut, – më kujtohet si tani. Babai kishte vdekur që në janar të atij viti. Nga Aliu prej kohësh s’kishim asnjë lajm. Nëna kishte nxjerrë govatën dhe po lante rrobat në oborr, në shtëpinë e Rexhep Çamit ku banonim që nga fillimi i vitit 1943. Atëherë rruga jonë quhej “Rruga e Kusit” dhe porta e shtëpisë mbante numrin 97, sot rruga Riza Cerova. Ishte prill i vitit 1944. Një ditë më parë kishte ardhur një ilegal që kishte sjellë 100 napolona flori. Nëna i mori, por njeriu që erdhi nuk i tha as emrin, por thjesht i kishte thënë: “I ke ndihmë nga shokët e Luftës!” Erdhi dhe iku si era. Atë ditë të bukur marsi, tri gra i ranë portës së shtëpisë dhe unë dola ta hapja. – Kanë ardhur mysafirë!” – i thirra nënës, e cila kur i pa, i la rrobat mënjanë dhe fshiu duart. Njërën prej grave e njihnim, quhej Marie Xhara, ndërsa tjetra ishte Distra Halimi. Kur gratë hynë në sallon, njëra prej tyre e përqafoi nënën dhe i tha: «Aliu të la shëndenë!» Nëna s’po i besonte syve. Si?!… Papritur pashë nënën që goditi kokën me grushte dhe u shemb në tokë. I kishte rënë të fikët. Unë fillova të qaja. Ato e morën nënën dhe e vunë në divan. Pas pak nëna fshiu lotët dhe e mblodhi veten, duke na thënë se «Aliu ra për vatan». Por komshinjtë që kishin dëgjuar britmën e saj erdhën menjëherë. Gratë nuk qëndruan dhe ikën menjëherë se ishin ilegale. “Pas çlirimit, në fillim të vitit 1945, – vazhdon tregimin nëna ime, – në shtëpi na erdhi Gogo Nushi, i cili e kishte njohur Aliun gjatë luftës. Takoi nënën dhe i tha se Partia do të kujdesej që ta strehonte familjen tonë. Dhe kështu do të ndodhte. Disa kohë më vonë, ai erdhi sërish, na morri dhe na çoi në një nga pallatet buzë Lanës, ku dikur jetonin ministrat e qeverisë kuislinge…- “Shtëpinë e ke gati, me të gjitha!” – i tha Gogo Nushi, duke i hedhur krahun nënës sime. Bashkë me ne ishte dhe Vehbiu. Te ndërtesat e Tiranës së Re, buzë Lanës, hymë në një nga pallatet dykatëshe dhe me shkallë mermeri. Sapo hapëm derën, para nesh u shfaq një sallon i bukur dhe në një nga dhomat sytë më mbetën në një pasqyrë të madhe kristali. Ndjeja një kënaqësi të madhe dhe nuk arrija ta besoja që ne mund të jetonim aty. Ministri kuisling që kishte jetuar më parë aty ia kishte mbathur bashkë me gjermanët. Fluturoja nga gëzimi. Nëna qëndroi përballë pasqyrës dhe u ngrys në fytyrë. – “Si thua nënë Nazo, të pëlqen?… Mund të vini që nesër. Shtëpia është për ju… Ta gëzoni!”… Por nëna nuk lëvizi. Unë u habita që nëna qëndronte akoma si e hutuar dhe nuk shprehte asnjë shenjë gëzimi. Por ndërkohë ajo theu heshtjen. – “E di ç’është o Gogo, mirë jam atje ku jam… E ku jemi mësuar ne të jetojmë mes pasqyrave…” Gogo Nushi u habit dhe në fillim qeshi, por pastaj e pa që nëna nuk tundej nga ajo që kishte thënë. Unë i tërhiqja cepin e xhaketës. Po kështu dhe Vehbiu, vëllai i madh, përpiqej t’i mbushte mendjen që të banonim atje se nuk kishim shtëpi. Por Nazo nuk pranoi. – “Faleminderit Gogo… ti e di që kjo zonë është e mbushur nga bombat që kanë lënë gjermanët dhe nuk dua të më vriten vajzat… eja të shkojmë…” – dhe bëri nga dera duke e lënë Gogon të habitur. – “Nuk ka më bomba”, u përpoq t’i mbushte mendjen Gogo, por më kot. Nëna ime, siç do të më thoshte më vonë, kishte frikë nga pasqyrat. Nuk e imagjinonte veten të jetonte mes atij luksi dhe mobiliesh të bukura. Mendonte se kjo mund t’i ndillte ndonjë të keqe tjetër. Atë ditë më kot iu luta që të shkonim në shtëpinë e re, por nuk ia ktheva mendjen. Më vonë e kuptova se ajo nuk donte të banonte në një shtëpi ku kishin banuar vrasësit e djalit të saj”. Disa muaj më vonë, Nazo, bashkë me familjen u vendos në një shtëpi të vogël në rrugën “Skënderbej”. Shqipëria ishte çliruar. Ishin muajt e para të lirisë. Tirana ziente nga njerëzit e shumtë e të lumtur që kishin zbritur nga anë të ndryshme të Shqipërisë. Partizanët i shihje ngado, edhe pse gjurmët e luftës i ndeshje në çdo hap. Lajmet që vinin nga Çamëria ishin tragjike. Njerëz të shumta kishin filluar shpërnguljet nga reprezaljet e herëpashershme të andartëve grekë, të cilët i ishin kthyer politikës së dëbimit të çamëve nga trojet e tyre.

    Nënë e bir

    Pikëtakimi i fundit i Nazos me Aliun ndodhi në shtatorin e vitit 1945, kur bashkë me Vehbiun dhe Ildizen, duhej të shkonte në Kaninë të merrnin trupin e Aliut për ta varrosur me ceremoni në varrezat e Vlorës. Siç kujtonte gjyshja ime, ajo nuk kishte dashur të shkonte në Kaninë për të asistuar në ç’varrimin e birit të saj. E kishte të rëndë. Si vallë do të shkonte atje? A do të mund ta vështronte birin e saj të tretur? Jo, nuk donte të shkonte. Madje i kishte thënë Vehbiut që të shkonte vetëm ai, por meqë të gjithë i thanë se duhej të shkonte, u nis. Pasi ndalën në Vlorë që të shplodheshin, makina do të nisej drejt Kaninës. Shoqëruesi i tyre u tha që të hipnin, por Nazo nuk tundej. Qëndronte pa folur, si të ishte e ngrirë. Diçka mërmëriti por askush nuk e morri vesh se ç’tha. Atëherë ajo morri vajzën nga dora dhe pa thënë asnjë fjalë u fut drejt e në makinë. Pas pak makina u nis drejt Kaninës, duke iu ngjitur atyre bregoreve që i rrihte era e shtatorit. Kur hynë në Kaninë, njerëzit u afruan nga makina. Të gjithë shikonin Nazon, atë grua të veshur me të zeza, por që vrasja e Aliut dukej që e kishte thyer. Disa njerëz i pritën dhe nxituan drejt varrezës, ku që tutje dukej varri i hapur dhe trupi i nxjerrë i Aliut. Të parët ishin ata të shtëpisë, që e kishin strehuar atë natë. Por papritur Nazo u step. Gjithë qenia i ngriu. Hidhte këmbët kuturu dhe sytë iu mjegulluan. Ishin lotët që e mbytën, ndërkohë që shihte turbullt atë trup që ishte shtrirë dhe prisnin ta merrnin. Një grua tutje nisi një piskamë por që ishte një vaj, një këngë, që populli i kishte ngritur Aliut.

    “Ali Demi vetëtima / o trimi me shumë trima,

    Të kish rritur varfëria / të dha sisë Çamëria…”

    Por Nazo nuk dëgjonte fare. Shihte gjithnjë turbullt dhe papritur iu shfaq ajo mbrëmje e vonë e nëntorit të vitit 1940, kur Aliu i kishte ardhur në shtëpi dhe i vdekur nga lodhja flinte pa hequr këpucët. Ishte koha e “Luftës Italo-Greke”. Ajo i kish lënë dy mollë në komodinë dhe ishte tërhequr pa fjalë… Po, biri i saj po flinte… Tani po flinte përjetësisht dhe ajo s’donte që të tjerët ta zgjonin. Papritur imazhet e turbullt iu errësuan dhe s’dëgjoi më asgjë. Kishte humbur e tëra… Vetëm zërat e njerëzve që bërtitën e zgjuan nga ajo kllapi: “Të rrojë! Të rrojë në jetë të jetëve kujtimi i Aliut!”. Në Vlorë, ceremonia ishte e madhe dhe njerëzit gëlonin. Të gjithë kishin ardhur të ishin të pranishëm në nderimin e një prej heronjve më të shquar të asaj lufte. “Ato ditë në Vlorë ne ndenjëm më gjatë, pasi nënën e ftuan në Kongresin e Çamërisë, – kujtonte nëna ime, – i cili u hap më 23 shtator. Ngado e pritën me nderim të veçantë.

    Flasin familjarët : Ja e vërteta e Ismail Golemit

    Ismail Golemi në Gjyqin Special, më 12 shkurt 1945, ka deklaruar se: “Në Vlorë unë asnjë ditë nuk kam komanduar forca balliste. Forcat e mia i sistemova të Jusuf Luzaj dhe i kam këshilluar që të mos bënin asnjë veprim se nuk e njihnin vendin”. Kështu, kur është vrarë Ali Demi, Ismail Golemi ndodhej në Tiranë në një takim me z. Mit’hat Frashërin. Ai asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me pushtuesit gjerman. Për veprimtarinë e tij patriotike z. Ismail Golemi  është dekoruar në vitin 1996  nga Presidenti i Republikës z. Sali Berisha me titullin “Martir i Demokracisë”. Z.Luan Rama, për formimin e tij dhe kulturën qe ka, duhej t’ju referohej burimeve arkivore dhe disa të vërteta historike, kuptohet të papolitizuara, të cilat sigurisht, do të zbardhin të vërtetën  reale për Luftën Civile në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj.

    Me respekt

    z. Bajram Golemi (djali i z.Ismail Golemi)

    tel; 00 355 42250 160