Luan Meta/ Kronikë  e “detyruar” e një minere (Memaliaj)

    647
    Sigal

    VËSHTRIM MBI LIBRIN “KOHA E MINIERËS” TË RESMI HOXHËS

     Para disa kohësh, një prej inxhinierëve më të mirë dhe më jetëgjatë në minierën e qymyrit në Memaliaj, Resmi Hoxha, botoi librin” Koha e Minierës”, kushtuar minierës së qymyrgurit të Memaliajt. Vetë titulli i librit është sa gjithëpërfshirës aq dhe kufizues, sa teknik po aq dhe lirik. Ai zotëron ngjarjet e fillimit të vërtetë të kësaj miniere, zhvillimet gjithnjë në rritje të përshpejtuar, zgjerimin e saj në një sipërfaqe dhjetëra herë më e madhe se vetë qyteti, lavdinë e kampionit rekord në sasi dhe cilësi të qymyrit. Bashkë me këto, janë shënuar e nënvizuar qartë, prodhimi  edhe më cilësor se qymyri, i një fryme të papërsëritshme sociale-artistike-sportive në qytetin e Memaliajt, fryt i së cilës janë dhjetëra e dhjetëra figura të shquara, që pasi i “kthyen” reston vendlindjes, nisën  të shkëlqejnë e të shërbejnë  në rang kombëtar. Libri është një kronikë profesionale e minierës dhe sociale për derivatin e saj, Memaliajn. Gjatë 56 viteve të funksionimit të saj, miniera ka ushqyer dhjetëra kombinate, qindra e qindra fabrika, shkolla çerdhe, institucione, mijëra e mijëra stufa familjare, në ditët e ftohta dimërore. E ka marrë prej tyre bekimin. Madje, në vitet ‘80-‘90, kur ngrohja me dru mungonte në treg, ky qymyr, nisi të sigurohej me mik. Garantimi i një makine me qymyr nga Memaliaj për institucione në të gjithë vendin, ndoshta u barazua me një autorizim televizioni. Autori e nis këtë rrëfenjë me punimet e hershme, në sektorin e parë, të cilin e ndante nga qyteti, vetëm rrjedha e paprerë e Vjosës. Në ndërtesat njëkatëshe e më vonë në pallatet e tij, vinte normalisht zhurma  e punës  dhe mekanizmave ndihmës, një zhurmë pothuaj metalike. Në startin e këtij sektori, fillimtarë  ishin kryesisht minatorë, që kishin punuar në minierat e Francës dhe ishin kthyer sërish. Autori Resmi Hoxha, rrëfen kështu në libër, takimin e parë me minierën: “Në një nga galeritë e këtij sektori, ndoshta në moshën 8 vjeçe, në pushimet e verës, kam hyrë brenda në thellësi të malit. Kisha veshur një palë çizme të mëdha, mbaja në kokë një kapele me llambë karbiti dhe shtyja, së bashku me dy punëtorë një shtrat me dru. Shkuam deri në disinteri. Që nga ajo ditë kontakti me minierën u shtua dhe në sektorët e III-të dhe të IV-të, ngaqë prindërit e mi punonin në minierë, nëna në llambisteri dhe babai minator. Disa vizita të organizuara kur isha gjimnaz, ndonjë aksion  në  ndihmë të minierës së bashku me shokët e shkollës, prindërit, të afërmit, gjithë gjindja e qytetit, Qendra e Zërit, pranë Pallatit të Kulturës, me komunikatën e përditshme të rezultateve, jepnin  përmasat e reja të qymyrnxjerrjes, ndodhitë  më të rëndësishme, me pak fjalë fuqinë e saj. Të gjitha këto, inxhinier Resmi Hoxha i ka shpalosur fuqishëm dhe qartë, në kronologjinë rritëse të qytetit dhe në pamjet e tij pas punës, të dielave dhe në festa. Dhe erdhi një ditë: që puna, qymyri, u balancua me produktet që vetë qyteti i jepte vetvetes. Lajmet  nga frontet e thella, ku puna ndalonte në pak festat e asaj kohe, tani përziheshin me shkollarët, sportistët e tij të shumtë, me artistët dhe muzikantët, që shtoheshin pas kthimin nga licetë dhe që  i kthyen pasditet memaliote në festë të përditshme, ku spektatorët gati si  në festën e Dionisit në Greqinë e vjetër, dilnin nga plateja e ngjiteshin në skenë si të ishin dublantë të tyre. Prandaj, vitet 1970- 1995, sikundër dëshmon ky libër, por dhe shkrime të tjera të plota, që trajtojnë lindjen dhe kulmin e qytetit të Memaliajt, në gjykimin tim, ngjajnë me një raport tepër modest, me periudhën e shkëlqyer të Perikliut, në Athinën antike, ku si asnjëherë tjetër u zhvillua qytetaria, debatet  publike dhe olimpiadat e famshme, arti, dhe veçanërisht, teatri i Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit. Mjafton të përmendim vetëm artistët Medin Malka dhe Agron Llakaj, portierin jetëgjatë të Kombëtares sonë Foto Strakoshën, të cilët,  u rritën në skenën plot duartrokitje të qytetit dhe fushën sportive të tejmbushur nga tifozët. Tepër i kujdesshëm, autori thekson marrëdhëniet me inxhinierët e huaj, kontributin e tyre në mbarëvajtjen dhe veçanërisht, në problematikën e menaxhimit të saj, në kohën e zhvillimit të vrullshëm. Madje jep një fakt të habitshëm, një prej tyre, polak, ishte pjesë e ekipit te futbollit të qytetit. Me një vëmendje të hollësishme dhe respekt të përligjur, për të gjithë drejtuesit dhe punëtorët e shquar, ai sjell së bashku me emrin e tyre kontributin tashmë të harruar, në hapjen e sektorëve të rinj, vështirësitë dhe durimin për t’i kapërcyer ato, telashet e njëpasnjëshme, që të nxinin jetën, kritikat për mosrelizimet. Të gjendura në faqet e këtij libri, ata ndjejnë respektin e fundit, si një dekoratë mirënjohje. Ne banorët dhe punëtorët e atij qyteti, ndërsa lexojmë dhe kujtojmë tek ky libër historinë e Memaliajt, mund të themi se brenda tij nuk ka gjë tjetër veçse elementët fillestarë të një kllasteri nëntokësor, i cili për çdo qytetarë të moshuar dhe ish-punonjës i saj është sa rizgjim edhe krenari. Shtjellat e fjetura do të dynden dhe megjithë përpjekjet gjithëpërfshirëse të autorit, ky libër do të dukej i “varfër”.  I pasur me problematikën e pashtershme të punës, më triumfet dhe dështimet e natyrshme të saj, ky libër, i shkruar nga një njeri, që nisi punën aty si një inxhinier i porsa diplomuar,(1975-2005) që drejtoi brigada, sektorë dhe vetë minierën, është sot kuinstenca profesionale dhe arkivore e historisë së njërës prej minierave më të mëdha, që ka dhe ka pasur deri më sot vendi ynë. Në fund të librit, në kapitullin ”Kontribute dhe data”, autori jep listën e drejtorëve të kësaj miniere, shefat e 15 sektorëve, listën me inxhinierëve dhe teknikëve që kanë punuar aty si dhe sasinë e prodhimit të qymyrit në vite. Sipas llogaritjeve, të treguesve të prodhimit të qymyrit, për çdo vit, rezulton se në minierën e Memaliajt janë nxjerrë gjithsej 10 milion e 519 mijë e 191 ton qymyr. Por nuk mund të le pa përmendur dhe fatkeqësitë, që kanë ndodhur në galeritë e shumta. Si banor i këtij qyteti dhe për disa vjet punëtor i saj, kam dëgjuar dhe kam parë aksidente fatale. Kur ishim fëmijë, me të marrë vesh kumtin e zi, shkonim pranë shtëpisë së të ndjerit, në një ritual lehtësues dhe fëmijët e tyre, për një kohë të gjatë, mbase deri vonë ngeleshin miqtë tanë. Duke e uruar autorin Resmi Hoxha, për gjerësinë dhe thellësinë e këtij libri, për gjuhën e qartë dhe të thjeshtë, për këtë “ngrohje” shpirtërore, si një qymyr virtual, unë e ndiej se ai, po bëhet gati, ndoshta për ta dyfishuar informacionin, gjë që do të pasurojë historinë e një miniere, që lindi dhe rriti me shpejtësi, një qytet të ri, rrënjët e së cilit, nuk ishin të ngjashme me qytetet e tjerë, ngaqë ai zgjatej deri në thellësitë e qymyrgurit.