LSI: Populli izoloi kryeministrin e vetmuar dhe bretkosat përqark tij

509
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, vlerësoi mitingun e 27 janarit të opozitës, ndërsa nënvizoi se fundi për qeverinë “Rama” është i pashmangshëm. “Protesta vuri përballë nderin e moralin e qytetarëve në njërën anë dhe nga ana tjetër kryeministrin e kriminalizuar, të vetmuar, të izoluar dhe bretkosat vetmitare rreth tij, të shpëlara nga dinjiteti e që rrinë poshtë atleteve të tij vetëm për ca para të ndyta më shumë”, u shpreh Vasili. Sipas tij, morali i qytetarëve nga njëra anë dhe amoraliteti i kryeministrit u ndanë një herë e mirë. “Kjo ishte një fitore kaq e madhe, që kalon çdo fitore tjetër, sepse kryeministri dhe kori i bretkosave, që kuasin përqark tij kërkonin që Shqipëria të kthehet në një moçal të madh kolektiv ku ata të gjallonin pa siklet dhe pa u dalluar, të ushqyer nga narkothelat dhe në shërbim të përulur të vetmitarit të madh që ka zaptuar qeverinë. Ky është hapi më gjigant që populli bëri, duke e vënë në qoshe të vetmuar dhe të izoluar kryeministrin dhe bretkosat e tij. Fundi është i pashmangshëm dhe është shumë afër….”, tha Vasili. Edhe dy ditë më parë, LSI falënderoi çdo shqiptar që ishte në protestën e opozitës. LSI shprehu mirënjohjen për çdo të moshuar, pensionist, intelektual, punëtor apo student, për çdo njeri që ka humbur shpresën dhe që protestoi ndaj narkoshtetit. Në të njëjtën kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim falënderoi edhe forcat e rendit, që edhe pse të urdhëruar nga shefat trafikantë të drogës, nuk ranë pre e provokimeve të tyre, por kryen detyrën si profesionistë. “Le të jetë kjo ditë shenja e nisjes së protestës mbarëpopullore kundër qeverisë së krimit dhe drogës! Të gjithë së bashku do të mundemi ta shporrim nga qeverisja Edi Ramën dhe klikën e tij të hajdutëve! Kjo është protesta jonë, forca jonë dhe rruga e vetme për të rifituar dinjitetin”, thuhet në deklaratën zyrtare të LSI-së për protestën e 27 janarit. Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës zhvilluan përpara selisë së qeverisë një protestë masive, duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sigal