“LSI-ja nuk ka ofertë politike nga PS-ja për bashkëpunim”

454
Sigal

INTERVISTA/Prof.Dr. Shezai Rrokaj: “Mesazhi i Dritërorit ishte aq prekës, por edhe kaq mësimdhënës”

Prof. Dr. Shezai Rrokaj, kryetari i LSI-së për Tiranën, në intervistën për “Telegraf” nxjerr në pah risitë politike të Konventës së LSI-së, shpjegon përse aleanca LSI-PDUI nuk synon krijimin e një polit të tretë, ndërsa për mandatin e Kryeprokurores Ina Rama, ka mendimin se duhet që këtë ngërç ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese. Përsa i përket aleancës me PS-në, zoti Rrokaj pranon se PS-ja nuk ka afruar asnjë ofertë politike, ndërsa është e papranueshme nga LSI-ja që Gramoz Ruçi t’i kushtëzojë LSI-së daljen nga maxhoranca, për hir të aleancës.

– Zoti Rrokaj, cilat janë risitë politike të Konventës së LSI-së?

– Konventa mori një përmasë kombëtarë në kuptimin e sfidave që u artikuluan  dhe që kanë të bëjnë me integrimin kombëtar dhe integrimin europian.  Këto 2 proceset e integrimit, ishin gjithë lejmotivi i gjithë vizionit të LSI-së. Integrimi kombëtar duhet të vijë si një proces që shkon në të njëjtin hap me integrimin tonë në strukturat europiane. Dhe ky integrimi ynë në BE nuk mund të jetë i plotë, në qoftë se ne nuk shkojmë me një integrim kombëtar, që është integrim  vlerash, potencialesh, kulturor, ekonomik, politik.

– Përsa i përket bilancit qeverisës, cilat ishin ato tregues që dolën në pah?

– Kontributi i LSI-së në bilancin qeverisës u arrtikulua në 4 tregues bazë. E para, LSI-ja nëpërmjet koalicionit siguroi qëndrueshmërinë e institucioneve. Nuk e lejoi vendin që të rrokullisej në një maratonë zgjedhore, e cila do të pengonte axhendën e integrimit. E dyta, kontributi i LSI-së në ruajtjen e institucioneve të pavarura. Kontributin që dhamë për reformat që lidhen me integrimin. Dhe së fundi, me kontributin që dhamë në liberalizimin e vizave dhe për realizimin e 12 prioriteteve për marrjen e statusit kandidat.

– Mirëpo, LSI-ja në këtë periudhë ka dalë me një tezë: “Bëjmë pjesë në qeverisje, por nuk jemi qeverisja”. Mos doni të ndani përgjegjësitë e bashkëqeverisjes?

– Nuk duam të distancojmë përgjegjësitë. Problemi është se ne morëm pjesë në qeverisje  për të përfaqësuar programin e LSI-së dhe   të asaj pjese të së majtës që nuk përfaqësohet në qeverisje. Me këtë duam të themi që ne nuk plotësojmë PD-në, por jemi futur të realizojmë programin tonë që lidhet me integrimin.

– Kohët e fundit po ideologjizohet politika e taksave. LSI-ja, përse deri tani nuk ka mbajtur qëndrim politiko-ekonomik lidhur me formën e taksave?

– Ky problem nuk u trajtua në Konventë. Unë mendoj që debati midis taksave të sheshtë e asaj progresive është që PD-PS kërkojnë ta përdorin për të treguar që ato kanë ndryshime të mëdha politike. Është politikë pak frytdhënëse, dhe e largojnë politikën nga zgjidhjet. Është një debat që zhvillohet lart në qiell, larg  realitetit të shqiptarëve.  LSI-ja bëri thirrje që të jetë një politikë ekonomike që të jetë sa më pranë qytetarit, një politikë që afron punësim sa më shumë, që kryen reforma në dobi të biznesit që shton punësimin.

– Aleanca e re që u kristalizua midis LSI-së dhe PDUI-së, mos vallë synon krijimin e një poli të tretë politik?

– Nuk besoj. Zgjidhja e çështjen çame është pjesë e axhendës politike  të LSI-së dhe  ka të bëjë me misionin që ka LSI-ja në integrimin kombëtar. Në këtë këndvështrim, ne bashkërendojmë përpjekjet tona me  PDUI-në  për zgjidhjen e çështjes Çame, si një kontribut që japim për shqiptarët në këtë ngërç historik. Nuk është një sinjal për bashkim elektoral, për krijimin e një poli politik.

– LSI-ja dhe PDUI-ja janë në maxhorancë. Çfarë ju pengon që të jepni një shtysë të re çështjes Çame, si pjesë e së njëjtës maxhorancë, që të miratohet edhe Rezoluta në Kuvend?

– Ne jemi në qeverisje, por jo në qeveri. LSI-ja, është në përkrahje të kësaj rezolute, do të duhet të gjendet një konsensus me PD-në dhe PS-në. Ne nuk i bëjmë numrat në Kuvend. Fakti që kjo çështje u artikulua edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tregon që kjo maxhorancë ka një qëndrim për çështjen  Çame. Qëndrimet e kësaj natyre, është mirë të jenë kombëtare, të jenë unifikuese të gjitha forcat politike, edhe PS-ja.

– Ditët e fundit, zoti Ylli Manjani deklaroi se duhet të shkarkohet Prokurorja e Përgjithshme. Zoti Manjani shpreh mendimin e tij, apo është qëndrimi politik i LSI-së?

– LSI-ja është e mendimit që çështja e Prokurorit të Përgjithshëm të zgjidhet në harmoni të plotë me atë që quhet institucione të pavarura.

– Më i qartë, që t’ju kuptojmë.

– Që do të thotë, nëse ka një dilemë legjislativi, përsa i përket mandatit të Kryeprokurorit, atëherë, kjo zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese.

– Ndërsa maxhoranca për mandatin e Kryeprokurores, shprehet se, mandati i skadon duke u nisur  më kohëzgjedhjen e saj, ndërsa  mandatin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, interpreton ndryshe. A nuk është politikë  me dy  qëndrime?

– Ju thashë, që këto mosmarrëveshje i zgjidh vetëm Gjykata Kushtetuese. Zoti Manjani u shpreh që asgjë nuk e pengon legjislativin, ministrinë e drejtësisë,  apo një grup deputetësh, që të kërkojë largimin e Ina Ramës për shkak të mosushtrimit siç duhet të detyrës.

– Si u prit mesazhi i Dritëro Agollit në Konventën e LSI-së?

– Dritëro Agolli është një simbol i së majtës shqiptare. U prit me mallëngjim, sepse ai është pjesë shpirtërore e së majtës sonë. Mesazhi i Dritëroit ishte aq prekës, por edhe kaq mësimdhënës dhe besoj se në dy drejtime duhet mirëpritur. E para, që na dha mësimin që të bashkohemi kokë më kokë, si të majtë. Dhe e dyta, mënyra sesi duhet perceptuar 100- vjetori i Pavarësisë dhe që ka të bëjë vlerësimin e rolit të Ismail Qemalit. Dhe mesazhi i Dritëroit ishte i qartë. Ne jemi duke festuar 100 vjetorin e Pavarësisë dhe jo 100 -vjetorin e shpalljes së mbretërisë. Në këtë 100- vjetor, figura kryesore,- tha Dritëroi është ekipi i atyre atdhetarëve të shquar të gjithë trojeve  shqiptare, që vendosën të shpallin Pavarësinë.

– Pra, Dritëroi eci kundër rrymës politike të sotme, që në 100 vjetorin e Pavarësisë, kërkon më shumë rehabilitimin e Ahmet Zogut. Dritëroi na dha mësimin historik. Zogu e ka tradhtuar Shqipërinë.

– Zogu është një personalitet me dritëhijet e veta. Mund të vlerësohet ana shtetformuese e tij, sikundër, natyrshëm, momente të ecurisë së shtetit nën drejtimin e tij, që kanë të bëjnë me disa konçensione që ai bëri gjatë kohës së tij për të ardhur e forcuar pushtetin e tij dhe largimi i tij në 7 prill 1939 janë nga pikat më të dobëta e më të errëta të tij. Ka ardhur koha që historiografia të piqet. Duhet një reflektim më i thjeshtë, jashtë ngjyrave politike.  Duhen vlerësuar edhe figura të tjera historike, sikurse Sulejman Delvina, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçori, që ka qenë zv/kryeministër i qeverisë së Ismail Qemalit. Është momenti që të bashkohemi të gjithë rreth ngjyrës së flamurit kombëtar.

– Faleminderit!