Loro Stajka/ Pa kthyer pronën tek i zoti, lufta kundër korrupsionit është vetëm slogan politik

    532
    Sigal

    Kujtesë, drejtuar Kryeministrit z. Rama, deputetëve, gazetarëve, analistëve të politikës dhe shqiptarëve patriotë: Kontribuoni për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë në Shqipëri

    Shqetësimi im për këtë kërkesë publike fokusohet tek politikat negative ndaj pronarëve që ka realizuar PD/PS, pas vitit 1991 e deri sot. Kjo politikë që shkatërron themelet e demokracisë dhe të ardhmen e popullit shqiptar, po vazhdon prej 23 vjetësh për shkak të mungesës së vullnetit politik për kthimin e pronës tek i zoti, duke zbatuar Kushtetutën e vendit. Kur popullit i mohohet prona e trashëguar, ai zhytet në mizerje, në konflikte dhe kjo është skllavëri e maskuar. Burimi i të keqes është anarkia e pronës dhe sistemi në Shqipëri nuk është demokratik, por pseudodemokratik…

    Unë, nuk mund ta paragjykoj se çka do mund të thotë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, zoti Aleksandër Arvizu, për këtë problem, por dëmet e kësaj politike, me mbi 8000 të vrarë, konflikte pa fund dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë, tejkaloi ato të çdo pushtimi që ka kaluar nga Shqipëria dhe ato të periudhës së rëndë sllavo-komuniste që kaloi populli shqiptar. Pronarët u mashtruan nga Berisha/Nano, por shumica druhen të shprehen publikisht, pasi do të përballen në konflikte me mafien që u ka grabitur pronat dhe po ashtu edhe me pushtetin që mund t’i largojë nga puna. Duke shkruar me sinqeritet këtë letër publike për problemin e pazgjidhur të anarkisë së pronës, ndjej se realizoj një detyrim moral dhe patriotik ndaj atdheut tim. Theksoj se për këtë problem themelor të të drejtave të njeriut, shumë nga bashkëpatriotët e mi që jetojnë në Shqipëri e kanë humbur besimin tek politika, tek drejtësia dhe presin nga ndërkombëtarët, por problemet duhet t’i zgjidhin politikanët shqiptarë.

     

    Nuk vlen “fitorja” e Beogradit nëse nuk zbaton Kushtetutën në vendin tënd

    Më datën 15/2/2014 gazeta “Telegraf” ka botuar një letër që unë ju kam adresuar publikisht ju dhe zotit Lulzim Basha, po për këtë problem, për të cilën ju me siguri jeni në dijeni. Ju drejtohem përsëri për të njëjtin problem pasi janë momentet decizive që të reflektoni dhe të veproni për të mos u zhytur më tej në rrugën e politikave antishqiptare. Unë personalisht, si një nga shqiptarët, që prej dekadash kam emigruar dhe jetoj në SHBA, por me dashurinë për atdheu tim, u ndjeva shumë i kënaqur për qëndrimin

    tuaj objektiv në takimin me Daçiç në Beograd. Por, sa para bën kur në Shqipëri, edhe pas 23 vjetësh demokraci e shpallur me Kushtetutë, pronat akoma nuk u janë kthyer pronarëve, por mbizotëron kleptokracia. Në këto 23 vjet në administratën shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë, nuk zbatohet ligji në përputhje me Kushtetutën, por korrupsioni dhe interesat vulgare. Ndërkombëtarët relatojnë se në Shqipëri, janë të shumta rastet kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave të vendit dhe ato të Gjykatës së Strasburgut, por si mund të deklarohet nga ju, apo dhe nga ndërkombëtarët se funksionon shteti ligjor dhe sistemi i drejtësisë? A ka pasur probleme të tilla shqiptari në kohën e pushtimit otoman, pas Pavarësisë në 1912, apo edhe në kohën më të keqe të diktaturës? Në këtë 23 vjet nga klanet PD/PS është lejuar pandëshkueshmëria, edhe në rastet kur shkelja e ligjeve dhe përvetësimi e pronës së tjetrit është i qartë, prandaj dhe korrupsioni dhe e keqja është zhvilluar nga lart poshtë. Është klasa politike e pas vitit 1991 ajo që ka lejuar këtë situatë që ka shkaktuar mbajtjen peng të pronave të pronarëve të ligjshëm, të grabitur nga diktatura sllavo-komuniste, për të pronësuar në ato prona pronarë, të fabrikuar nga klanet e politikës dhe të korrupsionit dhe po kultivon vëllavrasje. Pa kthim të pronës tek i zoti, fjala demokraci është politikë antishqiptare ose në rastin me të mirë iluzion. Prandaj, pa kthyer pronën tek i zoti, deklarimi se në luftën kundër korrupsionit nuk ka kthim prapa, është vetëm slogan politik.

    Anarkia e pronës dhe djalli sllavo-komunist

    Situata e anarkisë së pronës është tregues i mbijetesës së sllavo-komunizmit që është përshtatur në kushtet e pluralizmit. Djalli i sllavo-komunizmit nuk është çrrënjosur, por është përshtatur dhe po mbijeton dhe gabimet vazhdojnë të thellohen, për vetë faktin se pavarësisht nga fjalët dhe premtimet, maxhoranca gjatë këtij viti ka ecur në të njëjtin drejtim antikushtetues siç eci Sali Berisha, Fatos Nano dhe kryeministrat e tjerë pas vitit 1991. Për rrugën e gabuar me pronat, në periudhën e pas vitit 1991, mjafton fakti që z. Sali Berisha, ish President dhe ish Kryeministër, e ka pranuar publikisht, prandaj nuk ka pse përsërit më të njëjtat gjëra. Kjo është korniza e Katovicës dhe e Ramiz Alisë. Shqiptarët tradicionalisht e kanë respektuar pronën e tjetrit, kurse tani ligjet i justifikojnë të përvetësojnë ose të vjedhin pronat e njëri-tjetrit. Kushdo e ka të qartë se kjo politikë favorizon helenizimin e Shqipërisë së Jugut, fut konfliktin permanent midis shqiptarëve, i mban larg investimet e huaja. Unë kam qenë dhe jam me bindje të djathta, sepse ishte diktatura komuniste që më bëri jetën të padurueshme dhe më detyroi të rrezikoja jetën, të kaloja kufirin dhe të largohesha nga vendi im. Nëse pronën që Enver Hoxha e konfiskoi, ju do vazhdoni ta konsideroni pronë të shtetit, ose më saktë të maxhorancës në pushtet siç e ka trajtuar oligarkia politike e derisotme PD/PS, unë jua them shqip dhe me sinqeritetin ma të madh se: Me apo pa koshiencë, edhe ju jeni vazhdimësi e sllavo-komunizmit të maskuar me frazeologjinë demokratike. Nëse ju, si kryetar i maxhorancës, i konsideroni pronat e konfiskuara nga diktatura si pronë që duhet t’ju kthehet të zotëve, konform detyrimeve kushtetuese të vitit 1991 dhe Kushtetutës aktuale, atëherë për këtë problem unë jam me të njëjtën mendje me ju. Heshtja e pajustifikueshme e kryetarit të PD z. Lulzim Basha, për të drejtën e pronës së trashëguar më deziluzionon, pasi tregon mungesën e opozitës konstruktive.

     Z. Rama, zgjidhja është në dorën tuaj!

    Megjithatë, zgjidhja apo moszgjidhja e këtij problemi themelor sot është ne vullnetin tuaj, pasi jeni kryetar i maxhorancës. Ju i keni të gjitha mundësitë, ta impononi pushtetin të zbatojë Kushtetutën, ose të miratoni me ligj detyrimin e Shtetit për të zbatuar Kushtetutën. Kjo kërkesë këtu në SHBA tingëllon qesharake ose pa kuptim. Pronat e konfiskuara nga sllavo-komunizmi nuk janë prona të pushtetit dhe as të shtetit dhe nëse doni sukses dhe demokraci, lufta kudër korrupsionit duhet të fillojë pa humbur kohë me kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe korrigjimin e veprimeve të gabuara të bëra pas vitit 1991. Meqenëse gabimi ka marrë përmasa të mëdha dhe është sistematik, me ligj të Parlamentit duhet të korrigjohen ato akte, ku shteti pronën nuk ia ktheu familjes së shpronësuar, por bëri ligje që ato prona t’i përvetësojë oligarkia politike. Berisha u kufizua vetëm me legalizimet. Legalizimi mund të bëhet vetëm në prona që juridikisht i përkasin qeverisë apo shtetit, por jo mbi tokat dhe pronat e konfiskuara nga diktatura. Një vendim të ndryshëm nuk mund ta marrë askush, as edhe me ligj Parlamenti, përveç rastit kur toka është për nevojë publike dhe pronari i tokës zhdëmtohet paraprakisht e jo me mashtrime, duke kompensuar vetëm për 200 metër katrorë. Nëse ju nuk do të veproni me efektivitet për të korrigjuar gabimet Berisha/Nano me prona, por do vazhdoni po nё atë rrugë, korrupsioni do të prevalojë, degradimi moral i politikanëve do të thellohet dhe zgjerohet. Oligarkia politike do fitojë ca para më shumë, por Shqipëria dhe demokracia do dëmtohen. Ky është problem i ndërgjegjes tuaj kombëtare, detyrim i çdo politikani, deputeti, gazetari apo analisti të politikës. Kjo thirrje është për çdo njeri të ndershëm që të kontribuojë për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë, pasi “de fakto” për popullin shqiptar nuk ka demokraci për sa kohë shteti shkel Kushtetutën. Prandaj, ju lutem, në radhë të parë Ju, zoti Kryeministër, të shprehni në media qëndrimin tuaj ndaj këtij problemi, që i intereson jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe mijëra të tjerëve që kanë emigruar dhe nuk jetojnë në Shqipëri.

    Som

    Situata e anarkisë së pronës është tregues i mbijetesës së sllavo-komunizmit që është përshtatur në kushtet e pluralizmit. Djalli i sllavo-komunizmit nuk është çrrënjosur, por është përshtatur dhe po mbijeton dhe gabimet vazhdojnë të thellohen, për vetë faktin se pavarësisht nga fjalët dhe premtimet, maxhoranca gjatë këtij viti ka ecur në të njëjtin drejtim antikushtetues siç eci Sali Berisha, Fatos Nano dhe kryeministrat e tjerë pas vitit 1991