Loro Stajka/ Opozita dhe pozita duhet të punojnë për zgjidhjen e çështjes së pronës

    397
    Sigal

    I nderuar kryetar i opozitës, nga komunikimet që kam me bashkëpatriotët e mi, dhe nëpërmjet gazetave në internet, kuptoj se në Shqipëri qytetarët nuk kanë asnjë mundësi t’i kërkojnë llogari politikanëve për shkelje ligjore dhe për qëndrime krejt arbitrare.

    Mungesa e opozitës është në dëm të interesave të popullit dhe kam bindjen se pronarët, që jetojnë në Shqipëri, me të cilët komunikoj vazhdimisht, ndihen të pasigurt t’i thonë troç këto të vërteta, që me 15 shkurt ua shkruajta në gazetë si letër publike, por as ju dhe as kryeministri nuk dhatë përgjigje, ndërkohë që, ky problem pret zgjidhje.

    Mendoj se vlen t’ju rikujtoj se politika shqiptare po ecën në rrugën e gabuar, të iniciuar nga PD dhe PS që nga viti 1991. Kjo politikë, që deri në vitin 2013 ka funksionuar si klan që ka abuzuar me parimet morale dhe njerëzore të së drejtës së qytetarëve për pronën e tyre të trashëguar, duhet të ndryshojë një orë e më parë. Nëse pronën që Enver Hoxha e konfiskoi, ju vazhdoni ta konsideroni pronë të shtetit ose pronë të maxhorancës, a jeni ju vazhdimësi e neokomunizmit të maskuar me frazeologjinë demokratike? Nëse ju, si qytetar, por dhe si kryetar i PD-së, i konsideroni pronat e konfiskuara nga diktatura si pronë që duhet t’ju kthehet të zotëve atëherë unë dhe ju, jemi me të njëjtën mendje. Deri tani ju flisni për Kushtetutë, por pse e shkelni atë? Si është e mundur që ju i kërkoni llogari Kryeministrit për frenim të legalizimit të ndërtimeve pa leje kur kjo është nga veprimet e mira që po bën? Përse nuk organizoni protesta për t’i kërkuar zbatimin e Kushtetutës dhe kthimin e pronës tek i zoti? Problemi i pronës tek i zoti, është problem kombëtar dhe ju që jeni në krye të opozitës tani duhet të shpreheni qartë. Për 23 vjet, për të pasuruar një grusht politikanësh, për shkak të rrëmujës me pronat janë raportuar 8000 të vrarë. Nuk kuptoj pse nuk po merren në analizë këto denoncime të bëra publike nga shoqëria civile sepse de fakto kjo heshtje e ka futur popullin në gjak. Ju e dini mirë se Raporti Vjetor 2013, i Progresit i Komisionit Europian ka theksuar problemet e vazhdueshme në fushën e të drejtave të pronësisë dhe se Komisioni Europian në 2013 e ka cilësuar pronën si pjesë të 5 prioriteteve që duhet të përmbushen nga autoritetet kombëtare përpara se Komisioni të mund ta propozojë hapjen e negociatave. Ju e njihni shumë mirë situatën e brendshme. Pronarët gjithnjë e më shumë po i drejtohen Strasburgut dhe siç jeni në dijeni Raporti i KE 2013 shpreh shqetësim si për vendimet e brendshme, që nuk ekzekutohen, dhe po ashtu edhe për vendimet të Gjykatës së Strasburgut që nuk janë ekzekutuar dhe së shpejti do të gjykohen në grup. Plani i veprimit që ka paraqitur Qeveria për zbatimin e vendimit Pilot të Strasburgut  është si premtim para elektoratit, por nuk zgjidh asgjë. Shqiptarët si asnjëherë tjetër në historinë e tyre po grinden edhe brenda familjes, dhe po vriten midis tyre, për shkak të anarkisë së pronës. Sa vendime kompensimi janë dhënë në këto 20 vjet? Kur ka mundësi kthimin e secilit në pronën e vet, të insistosh për kompensim, a nuk është kjo marria e madhe. Kushdo e kupton se zgjidhja nuk mund të bëhet me kompensim dhe se një shtet që respekton të drejtën e pronës s’mund t’i japi dikujt atë që nuk i takon dhe pronarit që pret t’i kthehet prona ta kompensojë. Raporti i delegacionit të komisionarit Nils Muiznieks i 2013 e ka sqaruar mirë se zgjidhja e qëndrueshme fillon me kthimin fizik të pronave. Pas kthimit krijohet mundësia për kompensimin, por dhe çështje të tjera, siç janë ndërtimet e paligjshme që duhet të trajtohen, p.sh. kur bëhet fjalë për shtesa katesh apo shtesa anësore. Ju e dini se shumica e vendimeve që kanë dhënë komisionet e pronave dhe Agjencia e pronave janë pjesërisht ose totalisht të gabuara.
    Pavarësisht nga deklarata pozitive e ministrit të jashtëm grek z. Venizellos, edhe sikur ai të jetë i sinqertë për fjalën dhe votën e tij, nëse ju dhe z. Edi Rama do vazhdoni të heshtni për pronën, atëherë ju të dy do jeni pengesa reale për marrjen e statusit kandidat. Por edhe sikur për arsyet x, y, nga Komisioni Europian të bëhet një dhënie e sforcuar e statusit kandidat, duke qëndruar sehirxhi për problemin e pronës, ju i mohoni shqiptarëve identitetin e tyre dhe tokën e të parëve dhe konsolidoni politikën e interesave të Beogradit dhe të Athinës.
    Ju drejtohem me dëshirën dhe ndjenjat e mira patriotike dhe ju rekomandoj që ju dhe Edi Rama për problemin e pronës, të mos e konsideroni veten opozitarë, se prona e grabitur nuk është pjesë e politikës së majtë apo të djathtë por kthimi i pronës tek i zoti është problem kombëtar. Edhe një herë me dorë në zemër, ju ftoj të deklaroni publikisht se do të punoni bashkërisht dhe me ndërgjegje kombëtare për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë, pasi këto elementë bazë të demokracisë de fakto nuk ekzistojnë për sa kohë shteti shkel Kushtetutën.