Loro Stajka*/ Një pyetje publike për Kryeministrin Edi Rama

607
Sigal

Pyetja që dëshiroj t’i drejtoj publikisht Kryeministrit është: Kur do filloni të zbatoni Kushtetutën dhe t’i ktheni tokën shqiptare pronarëve shqiptarë? Shkak i kësaj pyetje është reagimi im qytetar ndaj shkrimit të botuar në gazetën “Telegraf”, datë 20 .01.2015 sipas të cilës, shteti nuk zbaton vendimin e gjykatës, për t’i kthyer pronën familjes së poetit dhe patriotit të nderuar Llazar Gusho, i mirënjohur si Lasgush Poradeci. Nuk kam asnjë dyshim se familja e Lasgush Poradecit ka të drejtë. Por, ka mundësi që ajo pronë duhet të jetë në ndonjë pozicion shumë të mirë buzë liqenit piktoresk dhe ndonjë nga “baronët” e mafies së politikës shqiptare ka maskuar kthetrat për ta përvetësuar. Se cilët janë këta politikanë apo biznesmenë që arrijnë t’i mbylli gojën ministrit të Drejtësisë dhe të pengojnë ekzekutimin e vendimit të gjykatës, këtë mund ta dinë mirë jo vetëm ata që e kanë penguar ekzekutimin e vendimit të gjykatës, por dhe i gjithë Pogradeci, pasi në atë qytet të vogël pronat e Lasgushit i di i gjithë qyteti.

Bëj pyetjen, se ç’do të ndodhte në SHBA, nëse do verifikohej se një vendim gjykate i formës së prerë nuk ekzekutohet dhe ekzekutimi nuk bëhet, edhe pak javë pasi qytetari ankohet në Ministrinë e Drejtësisë? Me siguri që masa më e butë do të ishte shkarkimi dhe zëvendësimi i ministrit si i paaftë për të drejtuar. Kjo më shtyn që t’i kërkoj publikisht zotit Edi Rama, që të shqyrtojë këtë rast ekstrem dhe konform ligjit të marrë masat duke filluar nga ministri i Drejtësisë dhe gjithë vartësit e tij, jo vetëm të paaftë për të kuptuar se vendimet e gjykatave të formës së prerë zbatohen pa diskutim, por dhe pengues për të zbatuar një vendim gjykate. Kjo do të jetë një mësim i mirë demokracie për ata që do zënë ato vende pune, por dhe për çdo nëpunës që pengon zbatimin e ligjit dhe aq më tepër ,kur pengon ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës, ndëshkohet. Sinonimi i fjalës Atdhe dhe Demokraci është “Pronë e trashëguar, që shteti e mbron, konform Kushtetutës”. Nëse Qeveria dënon me burg një qytetar që nuk respekton kontratën dhe nuk paguan energjinë elektrike, si duhet të dënohet një nëpunës i Ministrisë së Drejtësisë, që pengon ekzekutimin e një vendimi gjykate të formës së prerë? Besoj në reagimin e shpejtë dhe bërjen publike te masave për këtë rast ekstrem. Reagimi do të jetë një shenjë e mirë, për një Kryeministër që synon të bëjë shtet dhe të distancohet nga platforma e Katovicës, ku e drejtoi vendin dyshja Berisha-Nano. Por nëse nga ana e Kryeministrit do të ketë heshtje, kjo do të jetë një shenjë e keqe, pasi nuk ka sistem drejtësie dhe nuk bëhet fjalë për shtet ligjor dhe as për demokraci, por vazhdon platforma e Katovicës që zoti Sali Berisha e pranoi se ishte qëndrimi i gabuar prej tij si ish Kryeministër dhe ish President i vendit.

*Virginia, SHBA