Loro STAJKA/ Kthimi i pronës do të përcaktojë futjen e Shqipërisë në rrugën e demokracisë

    426
    Sigal

    Letër publike drejtuar kryeministrit z. Edi Rama dhe kryetarit të opozitës  z. Lulzim Basha

    Zotëri të nderuar, ju drejtohem me këtë letër publike pasi janë momentet decizive që ju të reflektoni për të mos shkuar në batakun e politikave antishqiptare. Quhem Loro Stajka, mua diktatura e Enver Hoxhës në vitin 1954 me detyroi të arratisem dhe prej vitesh jetoj në Virginia, të SHBA dhe jam shtetas me pasaportë amerikane. Kam qenë dhe mbetem shqiptar, por SHBA është atdheu im i dytë. Lexoj në internet çdo ditë shtypin dhe zhvillimet në Shqipëri. Ndjek me interes shkrimet që publikon siti i shoqatës së pronarëve si dhe artikujt e gazetave të ndryshme për pronën. Më brengos fakti se shteti e quan veten pronar të pronave të grabitura nga diktatura. Ministri i Bujqësisë zoti Edmond Panariti, sapo deklaroi se shpejt do t’i japim tapi fermerëve sipas ligjit 7501. Tokën e kujt do japi me tapi ky ministër apo kjo qeveri! Falë medias dhe gazetarëve vetë Sali Berisha, që ka imponuar kursin e egër antipronar, në 11 Shkurt 2014, e pranoi faktin e pamohueshëm se pas vitit 1991janë bërë një mal me falsifikime, pranoi se ai vetë kishte gabuar dhe mbante përgjegjësinë kryesore. Por pendesa e Saliut nuk mjafton, duhen korrigjuar gafat dhe kjo ju takon ta bëni pa hezitim, ju si kryeministër dhe ju si kryetar i opozitës. Gëzohem që Lulzim Bashën, Sali Berisha e vlerëson njeri me energji pozitive. Por pyes: kush e pengon dhe e detyron Lulzim Bashën të heshti për pronën? Ku shkon Shqipëria kur zoti Lulzim Basha hesht për pronën dhe e fton elektoratin e djathte në protesta. Të njëjtën thirrje për elektoratin e majtë, mund t’a bëjë dhe Edi Rama apo Ilir Meta. Por kur prona e grabitur nuk i është kthyer të zotit, në emër të kujt dhe pse duhet të protestojë populli?! Kam shkruar disa herë artikuj për pronën dhe në shkrimin e fundit, botuar më 13/01/2014, i jam drejtuar ministres Gjermeni dhe kryeministrit, por nuk kam parë asnjë reagim, ndërkohë në gazetë njoftohen legalizime, shpërthime tritoli dhe vrasje për shkak të konflikteve për pronën.

    Shqipëria për 23 vjet është qeverisur me mentalitetin dhe praktikat e filozofisë komuniste ku shteti në kundërshtim me liritë e të drejtat themelore të njeriut ka vepruar si pronar i pronës, që diktatura ja ka grabitur shqiptareve. Në demokraci Shteti është rregullator dhe koordinator që zbaton Kushtetutën, por ndëshkohet nëse cenon pronën e qytetarit. Enveri vdiq fizikisht në 1985, por enverizmi nuk është çrrënjosur dhe ka mbetur në drejtim. Unë nuk jam analist që të vlerësoj se ku mbaron enverizmi, ku fillon berishizmi, por vlerësoj se në Shqipëri sistemi nuk ka ndryshuar. Mungesën e shtetit ligjor e kam përjetuar personalisht. Për të rimarrë bahçen dhe shtëpinë time, të grabitur pa ligj dhe pa gjyq në 1954, mu desh mbi 20 vjet vuajtje dhe shumë seanca gjyqësore, megjithse i kisha të gjitha dokumentet dhe mbaja edhe pasaportë të shtetasit amerikan. Nëse unë hoqa picir për 20 vjet por ja dola, shumë pronarë të tjerë akoma nuk kanë marrë pronat e tyre.

    Duke lexuar një shkrim të botuar më 8 Shkurt 2014 nga një i burgosur politik z. Fatmir Lamaj kuptoj se të burgosurit politikë dhe të shpronësuarit janë mashtruar nga politikanët e postkomunizmit që kanë mbjellë korrupsion dhe kleptokraci. Sistemi në Shqipëri është hibrid kleptokratik i diktaturës, ku në mënyrë sistematike, dhe të justifikuara me ligj e VKM, institucionet e shtetit falsifikojnë pronat. Ky shtet nuk mund të quhet shtet demokratik dhe duhet vepruar për ta ndryshuar. Thirrjes së drejtë të Ambasadorit Arvizu “Act noë”, duhet t’i përgjigjen menjëherë ambasadori i BE-së zoti Etore Sequi dhe të gjithë ambasadorët pasi anarkia institucionale, e zhvilluar në këto 23 vjet, tregon dhe menaxhimin e keq të perëndimit, që është mjaftuar vetëm me vëzhgime, konstatime, rekomandime dhe këshilla të buta ndaj politikanëve shqiptarë dhe kjo ka konservuar neokomunizmin. Demokracia nuk mund të barazohet vetëm me frazeologji demokratike. Shqipëria pas katër muajsh do t’i nënshtrohet vlerësimit për statusin e vendit kandidat në BE. Por, a ka institucion Europian që mund të pranojë Shqipërinë kur Shteti Shqiptar shkel Kushtetutën, nuk ka kthyer pronën tek i zoti, vazhdon të mos respektojë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe jo vetëm kaq, por niveli i drejtësisë është i tillë që nuk i paguan dëmet e vendosura nga Gjykata Europiane megjithëse ka nënshkruar që të jetë nën juridiksionin e kësaj Gjykate. Janë ndërkombëtarët ata që duhet të kërkojmë nga Qeveritë Shqiptare pavarësisht krahut politik të zbatojë parimet dhe vlerat e shoqërive perëndimore, ligjet dhe kushtetutën e vendit, duke ndërtuar një demokraci funksionale në shërbim të jetës, pronës e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.

    Politikanët shqiptare duhet të shkëputen nga rruga e krimit të organizuar, që është avancim i politikës shekullore antishqiptare Beograd-Athinë, që ka qenë rrezik kombëtar. Postkomunizmi i maskuar si demokraci në fakt është kleptokraci dhe tradhti kombëtare. Qytetari Sali Berisha është përgjigjes për këtë situatë dhe duhet të vazhdojë korrigjimin e gabimeve të tij.

    Kryeminstri aktual, Edi Rama është në provë për të treguar se vepron si atdhetar apo anti shqiptar. Zoti Rama ka filluar veprime pozitive, si aksioni për të çliruar pronat e pushtuara nga ndërtimet pa leje; por duhet të ndalojë dhënien e tapive sipas ligjit 7501. Si mund të jepen tapitë pa verifikuar se origjina e pronës është në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Po ashtu Qeveria duhet të verë para përgjegjësisë ata që kanë vepruar në shkelje me ligjet, të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, kur konstatohen  vendime të pa bazuara në ligj. Kjo do të jetë rilindje e demokracisë dhe rilindje e Shqipërisë së skllavëruar nga politikat antishqiptare.

    Për moshën dhe eksperiencën që kam nga jeta, unë kuptoj se sllavo-komunizmi, që Enver Hoxha dhe Ramiz Alia për ndërgjegje, apo për bindje, ia imponuan shqiptarëve, Sali Berisha për 23 vjet me qëndrimin me luftën sistematike ndaj pronarëve, ka futur konfliktin dhe vëllavrasjen në popull. Berisha nuk e çrrënjosi diktaturën, por e maskoi atë. Ky mund të ketë qenë dhe arsyetimi i Ambasadorit Aleksandër Arvizu, kur zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 i krahasoi me vitin 1991. Ju drejtohem me këtë letër publike, për të drejtuar edhe një herë vëmendjen tuaj tek kthimi i pronës tek i zoti, kjo çështje e madhe që nuk po përmendet fare nga ju, si problem që duhet zgjidhur shpejt.