Loro Stajka/ Drejtësia e munguar e pronave për 75 vjet

    376
    I nderuar zoti Marko Leideker, quhem Loro Stajka, jam një ndër shqiptarët që duke qenë kundërshtar i regjimit sllavokomunist, u detyrova të arratisem nga atdheu im në vitin 1948. Sot jetoj me familjen time, me gruan dhe fëmijët nipër e mbesa në Fredericksburg, VA të SHBA. Edhe unë jam një ndër shqiptarët e shumtë që ngre zërin e protestës ndaj padrejtësisë që po vazhdojnë të bëjne drejtuesit e politikes shqiptare me pronarët e shpronësuar padrejtësisht nga diktatura e Enver Hoxhes. Pasi lexova në gazeten “Dielli”, 17 Gusht 2015, letrën që ju ka adresuar Nuro Kulluri, që kërkon ndërhyrjen tuaj për të ndaluar pushtetarët që po bëjnë ligje për të vjedhur zonën turistike të bregdetit, vendosa që t’ju dërgoj këtë informacion dhe apel publik. E njoh shumë mirë pasi e kam provuar edhe mbi veten time situatën e rëndë te krijuar në Shqipëri pas vitit 1991me pronat. Problemi i anarkisë postkomuniste me pronat me shqetëson dhe kam shkruar disa artikuj kritikë në mediat shqiptare (13 Janar 1014, gazeta “Telegraf”) ku kritikoj Qeverinë për konceptimin e gabuar të kompensimit. Nëse qeveria e maparshme qëndroi në vend numro ndaj kërkesave të KE për zgjidhjen e problemit të pronës, Qeveria ka bërë hapa të theksuar prapa me projektligjin e propozuar për ta zgjidhur problemin e anarkisë së pronës me një kompensim që eshte në shkelje të plotë me Kushtetutën e vendit. Personalisht mendoj se Zyra juaj dhe KE keni informacione të shumta por është burokracia, mos vlerësimi dhe indiferentizmi i strukturave të KE ndaj ankesave të pronarëve dhe denoncimeve të shtypit, që e ka favorizuar korrupsionin me pronat. Ishte shumë me vend kritika publike që bëri ambasadori i SHBA në Tiranë z. Donald Lu, për korrupsionin në sistemin gjyqësor, por kritikat sado të drejta dhe të forta nëse nuk shoqërohen me masa të tjera shtrënguese nuk mjaftojnë për të realizuar zbatimin e të drejtës së pronës, që është themeli i demokracisë. Mendoj se Zyra juaj ka informacionet të shumta për të krijuar bindjen se dekriminalizimi i shtetit do të jetë pa rezultate pozitive dhe vetëm farse, nëse nuk fillohet me kthimin e pronës tek i zoti konform kushtetutës dhe kjo të jetë e përcaktuar si detyrimi për shtetin. Kjo eshte zgjidhja që kërkuar edhe nga shoqatat e pronarëve të cilat kanë bërë një punë shumë të mirë me krijimin e faqes së internetit http://www.defendingproperty.com. Unë dhe miqtë e mi në SHBA të interesuar për informacion, aty gjej dhe sugjerimet për zgjidhjen e drejtë. Unë kuptoj se është mungesa e vullnet politik, ajo që vazhdon të pengojë zgjidhjen e problemit të pronës. Në shkrimin e Nuro Kullurit por dhe në shkrimet e tjera të botuara në faqen e internetit të shoqatës, unë mbështes pronarët. Ata kanë shumë të drejtë që kërkojnë ndërhyrje kushtëzuese nga ana juaj, që kompensimi të jetë në bazë të Kushtetutës dhe të aplikohet vetëm për prona që janë zënë për nevoja publike. Në të kundët e keqja do përhapet nën mbrojtjen tuaj. Pronarët ankohen se Qeveria Shqiptare me projekligjin e ri e ndryshon, kontekstin dhe kuptimin e kompensimit pët të përvetësuar pronat e Karaburunit dhe për pronat e tjera turistike që shteti ka detyrim t’i kthejë fizikisht subjektit të shpronësuar. Ju si përfaqësues i KE, duhet ta verifikoni dhe të veproni me përparësi për këtë ankesë. Nese rezulton e vërtetë kjo është vjedhje që strukturat shetërore i realizon në emër të ligjit dhe në këtë rast, Strasburgu duhet të marrë masa efektive. Rruga e deritanishme e këshillimeve dhe veprimeve nga KE ka qenë jo efektive dhe ka prodhuar korrupsion në administratën shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë. 
    Vendimet e gjykatave për pronat janë ankande dhe shkelje flagrante
    Vendimet e gjykatave për pronat janë ankande dhe shkelje flagrante e ligjit në fuqi dhe për me teper vendimet e gjykatave nuk zbatohen dhe askush nuk mban përgjegjësi. Për këtë ju ofroj si shembull edhe rastin tim konkret në Shqipëri. Pas arratisjes sime shteti komunist ma shtetëzoi shtëpinë dhe oborrin për rreth. Në vitin 1992 kur mu krijua mundësia për të shkuar në Shqipëri konstatova se në shtëpinë time shteti komunist kishte strehuar një qytetar tjetër. Fillova menjëherë procedurat e përcaktuara nga ligjet e kohës qe shteti të më kthente shtëpinë që ma kishte marrë padrejtësisht. Nga Komisioni i Pronave, në bazë të dokumentit të shtetëzimit, mu dha vendimi që më njeh shtëpinë dhe oborrin për rreth. Ky vendim nuk u ekzekutua. Unë detyrova t’i drejtohem gjyqeve. Gjykata mori vendimin me të cilin me kthen shtëpinë, por vendimi nuk e shënonte oborrin, ashtu siç ishte shënuar në dokumentin e shtetëzimit dhe në vendimin e AKKP. Kjo ndodhi sepse personi qe ishte strehuar në shtepinë time nuk donte të largohej në një banese tjeter, pasi trualli im është vend i preferuar. Ai person kishte njohje me persona qe punonin ne gjykate dhe prokurori. Ndërkohë une nuk pranova të paguaja ryshfete nën dorë, pasi nuk përputhet me mentalitetin tim që të paguaj rryshfet që gjykatësi të zbatojë ligjin! Jam ankuar për gjyqtarin që ka deformuar dokumentat por asnjë masë nuk është marë ndaj tij. I jam drejtuar me letra të përsëritura Ministrit të Drejtesisë, Kryeministrit, por ata nuk kanë kërkuar që te merren masat për gjyqtarin që ka abuzuar haptazi me të drejtën për pavarësinë e vendimmarrjes. Ky rast tregon në mënyrë të qartë pse vazhdon papërgjegjshmëria e gjyqtarëve në marrjen e vendimeve edhe kur çështja është shumë e qartë. Nëse e shikoni te vlefshem ju lutem ta citoni këtë rast në relacionet e KE dhe unë jam i gatshëm të paraqis te gjithë dokumentat qe tregojnë funksionin e keq te sistemit të drejtësisë. Ju keni informacion të bollshëm edhe nga gazetat e shumta në Shqipëri se kjo situatë sa shkon dhe rëndohet. Kjo papërgjegjshmëri e shtetit, që deri sot ka shkatuar mbi 8000 viktima, bën të domosdoshme veprimet tuaja aktive që Strasburgu të veprojë në mënyrë efektive për të bllokuar dhe për të korigjuar korrupsionin shtetëror me pronat. 
    Sigal