Loni Çuko:Andrea Shundi, personaliteti akademik i agronomisë shqiptare

    400
    Sigal

    Profesor Dr. Andrea Shundi dhe kontributet e tij në fushën e bujqësisë dhe shkencës

    Kur kontributet, përputhen me të dhënat e formimit, ato konsolidohen dhe bëhen sa të pranuara aq dhe të vlerësuara, siç ndodh me agronomin e mirënjohur Andrea Shundi. Andrea, hyn në radhën e agronomëve më të mëdhenj. Vlerësohet për një mëndje sintetike të rëndësishme, i gjithanshëm i agronomisë shqiptare. Të gjitha rezultatet dhe arritjet e shkencës bujqësore dhe përvojat e përparuara ai diti t’i grumbullojë në mënyrë enciklopedike e t’i përpunojë në kushtet e përshtatshme të vendit. Lindi në Tiranë në vitin 1934. Që në fillimet e arsimimit fillor binte në sy, me një zhvillim më të avancuar se bashkëmoshatarët, por i kujdesshëm në sjellje dhe i vëmendshëm në mësime. Arsimin e lartë e përfundoi në vitin 1956 me rezultatin shkëlqyeshëm në Fakultetin e Agronomisë të Institutit të Lartë Bujqësor Kamëz-Tiranë. Rezultatet e shkëlqyera, si rregull e kanë brenda tyre dhe fatin e fillimit të punës, që për Andrean ishte në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnje. Puna në këtë Institut, prej vitit 1956 deri në vitin 1960, e matur me vite akademike arsimimi, do të thoshte të mbaroje një master të niveli më të lartë. Një “kualifikim”që i dha Andreas të shikonte, arsyetonte dhe gjykonte me syrin e mendjen e shkencës, për çdo problem që shfaqet në jetën e bimës, duke u paraprirë zgjidhjeve më të sakta e në kohë. Këtë e mbështesin dhe arritjet  e kontributet në prodhim edhe të bashkëpunëtorëve që kishin punuar me Andrean në atë Institut si, Petrit Kalakula, Hysen Çobani, Meropi dhe Argjir Prifti. Gjatë viteve te punës kërkimore shkencore, çdo dukuri biologjike, fiziologjike, fizike, kimike, agronomike etj., etj,  të ndjekura me vëmendje duke i bërë prone të tijën, në praktikën e prodhimit, për këtë specialist, ishte një çelës dhe dukuri që e dallonte nga të tjerët. Syri vëzhgues dhe mëndje seleksionuesi, bëri zgjedhjet e duhura në shtimin e kulturave të reja me vlera ushqimore dhe prodhim të bollshëm në sezone ku ndjehej mungesë. Kështu përmirësimi i strukturës së kulturave me Perko e Kolzë si dhe futja e misrit me masë të njomë të lartë për silazh si dhe futja e përdorimi më i gjerë i mekanizimit të vogël, revolucionarizuan prodhimin foragjerë. Zgjidhja shkencore e problemeve për të ishte detyrë kryesore, të cilën si askush e vlerësoi dhe megjithëse në fillimet e tija, u bë i njohur dhe i  kërkuar nga shumë ekonomi, në veçanti ato blegtorale ku mori dhe kënaqësitë e para të punës. Natyrisht dijet e tij duke u përvetësuar nga ata që i materializonin direkt në fushë, rriste garancitë e arritjes së rezultateve të kërkuara. Kjo, me rritjen e kontrollit të zbatimit të detyrave dhe me seriozitetin që e karakterizonte, bëri që punët të shkonin ashtu siç duhej dhe prodhimi të arrinte grafik në rritje. Mbi të gjitha që në fillimet e tij, fitoi besimin e bashkëpunëtorëve, drejtuesve të brigadave dhe respektin e kooperativistëve të thjeshtë – thotë Filipi – që dëgjohej dhe vlerësohej në atë zone. Jo pak për të ecur përpara dhe për të organizuar një zhvillim potencial shumë degësh, në një ekonomi, ishin tokat fushore e pjellore si dhe bujqit me përvojë e përkushtim për punën që bënin. Njohja mire me këta njerëz të mrekullueshëm, si dhe njohja nga afër e potencialit agronomikë të tokave, e bënë Andrean që për çdo problem të fliste me një arsyetim  tekniko-shkencor bindës, sa here që kërkohej në ekonomi, rreth e më gjerë. Këto të dhëna ranë në sy të udhëheqjes në rreth, të cilët menduan se kontributi do te ishte me më shumë vlera duke drejtuar me profesionalizëm në shkallë rrethi. Kështu në vitin 1962, u emërua në seksionin e bujqësisë në Lushnje. Edhe në këtë pozicion spikati në organizimin e prodhimit të rajonizuar e specializuar në ekonomi e sektor, në bashkërendim të kulturave me kushtet tokësore-klimatike dhe me efektivitet financiar më të lartë. Me këtë u arrit që në një mënyre, ekonomitë të trajtoheshin më drejtë në planifikimin dhe kontribute në realizimin e prodhimeve në shkallë rrethi. Me ardhjen e Andreas në ekonomitë e Lushnjes, me seriozitet krahas prodhimit të gjerë filloi të aplikohej i programuar sipas detyrave e kushteve konkrete, kërkimi shkencor. Dijet dhe njohurit  shkencore të tij, së bashku me të gjithë rrjetin e gjerë të specialistëve u vunë në punë për rritjen e nivelit tekniko-shkencorë të specialistëve, drejtuesve të brigadave deri tek punonjësit e thjeshtë. Kështu u mjaftuan dy vjet në Krutje e dy vjet në Lushnje. Pra në vitin 1964, Andrea do të kontribuonte për zhvillimin e bujqësisë në shkallë vendi. Natyrisht edhe këtu, në problematikën e përgjithshme, kontributi i çdo specialisti kishte pjesën, rëndësinë dhe përgjegjësinë e vet. Puna në grup, ishte metodë me shumë rezultat, kur ajo organizohej me specialistët, vendin dhe kohën e duhur. Andrea me njohuritë e përvojën vetjake, spikati në përgatitjen e programeve studimore në mbështetje të problemeve të veçanta, rrethe dhe ekonomi të veçanta. Shumë shpejtë edhe në Ministri, organizimi i tij vetjak i punëve; problematike, studimore, kontrolluese në terren u bënë shembull përgjithësimi, për specialistët e drejtuesit në Ministrinë e Bujqësisë. Të mos harrojmë se në atë periudhë, një kohë e konsiderueshme harxhohej në organizimin ndjekjen dhe kontrollin e fushatave të mbjelljeve, shërbimeve, korrjeve, zbatimin e ligjeve dhe të porosive të partisë në terren. Më duhej ta theksoja këtë dukuri sepse ishin këto motivet që edhe në Ministri, kontributi në rritjen, përmirësimin dhe sigurimin e prodhimit foragjer ju dorëzua tjetër kujt, për të vazhduar në një sektor edhe më të kualifikuar që kërkonte ide të reja, rrugë të reja gjithëpërfshirëse siç ishte drejtimi dhe koordinimi i punës shkencore bujqësore në shkallë vendi. Statusi i ri, drejtoria e shkencës dhe Andrea u bë binom dhe gjenerues idesh dhe gjetjesh të goditura të të rejave shkencore të institucioneve të vendit dhe të huaja, në mbështetje t rritjes së prodhimeve dhe objektivave të shtruara në shkallë rrethi dhe vendi. Ka qenë evidente se organizimi i punëve shkencore në bujqësi mëshironte më së miri ngritjen e institucioneve të duhura, në vendet e duhura dhe me pajisje që herë-herë ndoshta ishin jo të kohës. Më kryesorja dhe më e rëndësishmja për realizimin e detyrave me objektivin e vendosur nga lart: “çdo gjë të sigurohej në vend dhe me forcat tona” ishin dhe rrugët për të intensifikuar prodhimin bujqësor. Situatat e krijuara, për nevoja më të mëdha prodhimi, detyruan udhëheqjen e lartë të pranonte, që kërkimi shkencor të lozte dhe të ishte në ballë për rritjen e prodhimit për çdo njësi të sipërfaqes së mbjellë. Kështu të studiuara e drejtuara nga Ministria e Bujqësisë, u ngritën dhe institucione të reja, të cilat me ato ekzistuese shkonin rreth 14 Institucione të veçanta si: Instituti i tokave, institute të specializuara për grup kulturash si bimët e arave, bimë industriale; duhan, pambuk, misër-oriz, vreshta, pyje-kullota etj. Institucione shkencore për zootekni; lopë, dele-dhi, njëthundrak, veterinari etj. Për më tepër u orientua që kërkimi shkencor dhe njohja  e përgjithësimi i përvojave të përparuara të masivizoheshin në të gjithë vendin. Kështu në 26 rrethe u ngritën Stacione Bujqësore me një ekip inxhinero-teknik, laborator e punonjës me 15 deri 30 secili. Në krye të bashkëpunimit dhe koordinimit të gjithë këtij rrjeti të gjerë punonjësish shkencor, qëndronte personi i duhur Andrea Shundi. Me njohjen në terren me gjendjen e përgjithshme të sistemimit të tokave në gjithë vendin, si dhe për tu përgjigjur parullës së kongresit të V të Partisë “t`u qepemi kodrave e maleve, për t`i bërë ato pjellore ashtu si fushat”, Andrea mendoi ky aksion “politik”, duhej udhëhequr e drejtuar nga një program tekniko-organizativ për të bërë atë që duhej dhe për të evituar në maksimum pasoja të dëmshme. Krahas udhëzimeve që shkonin në bazë nga qendra, Andrea me bashkautor agro-mekanizatorin Luan Shahu përgatitën një libër, “Udhëheqës Për Sistemimin e Tokave”, me nivel të admirueshëm teknik, duke i dhënë zgjidhje praktike çdo situate: fushore, kodrinore dhe malore. Në analizën e punës së bërë, në vitin 1975 u organizua, “Konferenca Kombëtare e Shkencave Bujqësore” që ideatori, organizatori dhe përgatitësi i mbështetur dhe nga një komision ishte Andrea Shundi. Konferenca, konstatoi se arritjet dhe ecuria ishte garanci për rezultate më të mëdha. Ndoshta edhe natyrshëm pyetet: Çfarë u arrit në atë kohë? Si prodhim i realizuar edhe sot, ende jemi shumë larg! Për të tjera? Atje ngeltë! Si të gjithë edhe Andrea provoi transferime të panevojshme, por sido që ishte prezenca dhe puna e tij, la gjurmë si shef i bujqësisë në rrethin e Kukësit për vitet 1975-76, apo për vitet 1976-80 përgjegjës i Degës së Farërave në Tiranë. Nga viti 1980 e më pas ai u gjend në fushën e tij, pedagog dhe Dekan i Fakultetit të Agronomisë. Kur mendon se nga 43 vjet punë e përvojë Andrea 21 vjet i zhvilloi në institucione shkencore ku nuk vegjetoi, por krijoi dhe botoi 9200 faqe shkrime fondamentale në shërbim të kohës dhe një pjesë, pararendëse në ndihme të zhvillimit të shkencës dhe tjetra më konkrete në ndihmë të fermerëve. Profesor Dr. Andrea Shundi për kontribute në fushën e bujqësisë dhe shkencës, në vitin 2010 nga Presidenti i  Republikës z.Bamir Topi, është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

    Jeta akademike-shkencore e Andreas:

    -Botoi  43 libra, nga të cilat 2 në Anglisht.

    -Pjesëmarrës në 17 studime dhe projekte kombëtare.

    -Kumtues në 34 kuvende shkencore kombëtare dhe në 18 ndërkombëtare.

    -Ligjërues në Universitetet e Viterbos dhe Potencës në Itali, Selanikut në Greqi.

    -Bashkorganizues në vitin 1991 i simpoziumit “Shkencat Agronomike në Zhvillimet e Reja Ekonomike të Shqipërisë”.

    -Nëntë seminare mbarëkombëtare për vreshtarinë dhe veterinarinë, për vitet 2002-2010.

    -Botoi  155 shkrime tekniko-shkencore nga të cilat 27 artikuj të mirëfilltë shkencor.

    -Me vlera janë dhe 9 libra të botuara në dekadën e fundit.