Loni Çuko: Dhimo Liko specialist i bujqësisë, drejtues dhe njeri me virtyte të larta

    602
    Sigal

    Dhimo Liko, “Hero i Punës”, specialist i njohur, ka meritë për ndërtimin e serave me ngrohje për herë të parë në Shqipëri dhe kthimin e ranishtave të Divjakës në tokë buke

    Në udhëtimin tim në jetën e punës, për çudi, si ‘stacioni’ i parë është Divjaka. Oh! sa shumë që kamë për të thënë. Mendja ecën me shumë shpejtësi, ndërsa fjala e gjetur dhe e shkruar, nuk e mbanë ritmin. Divjaka e natyrës së bukur, me vlera të spikatura turistike, me pyllin e pishave gjigande, që krahas pamjeve piktoreske, janë dhe burim i madh oksigjeni për shëndetësimin e ambientit ku jetohet dhe punohet. Ky masiv prej 1500 ha i bënë karshillëk dhe është vlerë e shtuar e bregdetit dhe vet detit Adriatik që është i frekuentuar nga një masë e madhe turistësh nga zona dhe më gjerë. Për ne, më të rëndësishëm janë njerëzit e mrekullueshëm të kësaj zone, punëtorë dhe miqësorë, që janë bërë në kohë garanci e zhvillimit ekonomik, arsimor, social-kulturor etj. Pikërisht, në Divjakë, punoi e jetoi shumë gjatë specialisti dhe drejtuesi i njohur Dhimo Liko, sot 92 vjeç, i cili ka lënë gjurmë në fushën e bujqësisë.

    TOKAT RANORE Në TOKË ARË

    Rëra, simbol dhe vlerë për plazhet, nga divjakasit, masivi me mbi 1200 hektarë toka ranore, me punën e tyre e kthyen në toka të prodhimit intensive e me vlera në hershmëri dhe vonëshmëri, prodhime aq shumë të kërkuara nga tregu i brendshëm dhe eksporti. Këtu, është kryesisht dhe merita e kontributi i Dhimo Likos, specialistit e drejtuesit me emër… Për të parë nga afër punën dhe personalitetin e tij, le të futemi në rrjedhën e punës dhe jetës në mesin e divjakasve. Në fillim të vitit 1966 me një urdhër transferimi nga partia në ekonominë e madhe të Divjakës, u ndodha në mes të stafit drejtues të saj me në krye Dhimo Likon. Prezantimi pa shumë llafe e ceremoni i bërë nga shefi i bujqësisë Sotir Vaso, që ishte zyrtar, filloi dhe mbaroi me shtrëngime duarsh. Më shumë se fat për mua ishte pranimi nga kryetari që unë të punoja në të njëjtën zyrë me ‘të. E thënë kjo pas 40 vjetësh punë e përvojë, rrit besueshmërinë për vlerat që mbarte dhe transmetonte ai tek bashkë punëtorët e drejtpërdrejtë, vartësit e deri tek populli. Dhimo, si specialist, si drejtues dhe njeri, ishte një shembull i pashoq për respektin dhe dashurinë që gëzonte në gjithë zonën. Në ditët e para mendova që puna që duhej të bëja ishte njohja në terren me organizimin, me tokat, në të njëjtën kohë edhe me punonjësit e çdo brigade. Prezenca e Dhimos në këto vizita, më bëri të ndjehesha mirë dhe për më shumë, gjatë kalimit nga njëra parcelë tek tjetra na jepte mundësinë që të këmbenim dhe çfarë duhej bërë për përmirësimin e më tejshëm të tyre. Nga biseda e çiltër me Dhimon, kuptoja se ky njeri ishte i interesuar për punën dhe mirëqenien e popullsisë që përbëhej  nga fshatrat Divjakë, Xëng, Mizë dhe Kular, me mbi 5800 banorë.

    BASHKPUNIMI ME DHIMON

    Në ditët në vazhdim Dhimos, i shtrova mendimin se për ti vënë të gjitha brigadat në kushte të përafërta toke dhe në afërsi të shtëpive apo lagjeve të banimit. E shoh me vend për një riorganizim të territorit ku të përfshiheshin zona kodrinore, toka të zeza, të bardha dhe pjesa më e madhe ato ranore. Duke qenë në vend dhe nga vetë shtrirja e tyre në një brez me kufizim si me dy paralele, me distancë të ruajtur veri-jug nga pylli i Pishave në perëndim dhe kodrat e Divjakës në lindje, na e bëri më të kapshëm atë që po kërkonim. Mendimi i çiltër dhe praktik, brenda pesë minutave arrin atë që herë-herë nuk zgjidhet edhe për orë të tëra diskutimesh. Ky mendim i miratuar nga Dhimo, pa as një kundërshti në mbledhjen e parë, u mirë prit nga të gjithë brigadierët si një zgjidhje e drejtë duke kërkuar nga vetë ata, që menjëherë të fillohej nga puna. Dhimo karakterizohej nga një thjeshtësi e urtësi bujare, me vlera mendimi që të bënte për vete. Ai në sjellje ishte i barabartë, si me bashkëpunëtorët, ashtu dhe me punonjësit e thjeshtë apo me njerëzit më me pushtet shtetëror. Ky mendim e vlerësim për ‘të, ka qenë dhe është për cilindo që e ka njohur apo ka punuar. Për mua, që për vite pata nderin të jem pranë tij, në kohë e pa kohë, në terren dhe zyrë, ai me bashkëbiseduesin nuk krijonte për asnjë rast distancë, por e dëgjonte me shumë vëmendje dhe në përgjigjet e tij të sinqerta, kurdoherë kishte seriozitet dhe përgjegjësi.

    ‘MJEKU’ I TOKES E BIMEVE

    Gjatë kontrolleve për gjendjen e tokave dhe parcelave të mbjella me grurë, nga Dhimo dëgjoja për secilën në formë “diagnoze” nga se vuanin, kjo nga lagështia e tepërt, ajo tjetra nga thatësira, nduke diskutuar dhe se çfarë kërkohej për tu përmirësuar. Për të dy, puna e parë që kërkohej të bëhej, ishte sistemimi i madh i kullimit, krahas, të cilit të vazhdonte sistemimi sipërfaqësor dhe i punimit të tokës në përshtatje me strukturën e saj. Të gjitha sa shikonim e shkelnim me këmbë, ishin objekt i diskutimit dhe mendimit se çfarë duhej bërë. Më bënte çudi fakti, se asnjëherë nuk përdori fjalët “shënoi dhe më raporto zbatimin e tyre”. Asnjëherë nuk e përdori këtë autoritet që ja jepte statusi si drejtuesi kryesor i asaj ekonomie të madhe. Dhe si shpërblim mori respektin më të madh dhe dashurin time që dhe sot mbas dyzet vjetësh e ruaj të pa ndryshuar. Është për t’u theksuar se gjatë kontrollit të parcelave të mbjella me grurë më tërhoqi vëmendjen për mbirje uniforme një tokë me përbërje ranore që i përkiste brigadës që administrohej nga Uançi Lapi. Nga biseda të nesërmen me Uançin, mora vesh se në këto toka , në fazat e para bimët e grurit paraqiteshin shumë të mbara por më vonë gjendja vinte duke u zbehur, natyrisht janë të varfra – rëra hesapi, dhe pa ujitje – shtoi ai. -Mirë i thash. Bëjmë një marrëveshje bashkë? Marrëveshja do konsistoi: unë do të garantoi për këtë parcelë pleh azotik jashtë planit dhe së bashku do të vendosim dozën dhe kohën e hedhjes së plehut që do të jetë mbas çdo shiu dhe fazave të zhvillimit të bimës-. Bindje dhe dakordësi. Uançi punoi me seriozitet dhe përkushtim. Rezultati i papritur, 19 kv/ha nga 15 kv/ha rendimenti i realizuar si ekonomi. Nisur nga kjo përvojë dhe besimi që unë krijova, se si Uançi këtë punë mund ta bënin dhe brigadierët e tjerë si Nasi Shkoza, Stavri Gjini, Nasi Monçe, Lefte Biti, Llambër Veliu, Llazar Mali, Haki Hasani, Mazllëm Hasa… Njëri më i mirë se tjetri për zellin e përvojën e organizimit të vogël të punës. Me Ata, mund të realizoje objektiva në rritje të sipërfaqes së mbjellë me grurë dhe prodhim si ekonomi. I kujtoj me mall dhe falënderoj për punën dhe sakrificat e mëdha njerëzore që i përkushtuan zhvillimit të Divjakës.

    SPECIALIST KOMPETENT

    Me që jemi këtu, kontribute të vlefshme në sistemin në kullim e ujitje si dhe në parcelimin dhe sistemimin sipërfaqësor të tokave kanë dhënë të papërtuarit dhe profesionist Mikel Mali dhe Josif Zaka, miqtë e mi dhe shumë të respektuar, brigadierë e punëtorë. Me këta njerëz, Dhimo Likon mbështetës e frymëzues dhe një brigade mekanizatorësh në gatishmëri, mund të merrje përsipër për të realizuar çdo objektiv me çfarëdo vështirësie teknologjie dhe kërkesa shkencore. Brigada traktoriste, “artileria” e luftës për rritjen e prodhimeve, me brigadierë Seit Satka, ku punonin deri në sakrificë, Sotir Kruti, Llambri Jorgo, Vllasi Biti, Uançi Janko, Pandi Kokoneshi, Sotir Mali, Koli Gjermëni e të tjerë, të cilët megjithëse në vartësi të ndërmarrjes shtetërore (S.M.T) kontribuonin me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Për sa shkruaj, jemi brenda një realiteti të jetuar pa asnjë shtesë apo zbukurim. Besojeni! Se dhe në atë kohë, jeta në një komunitet me rreth gjashtëmijë njerëz ishte e qetë ku punohej e jetohej me shpresa se po bëhej e do bëhej më e mirë. Në këtë ambient, isha futur edhe unë. Si ata, dhe unë ishim bërë një, rreth një njeriu që ishte përligjur dhe shpirtërisht më i besuari megjithëse me moshë 44 vjeç, nga të gjithë të rinj dhe ata mbi 50 –tat, thirrej “baba Dhima”. Ky titull i lartë shpirtëror, u përdor nga divjakasit për më shumë se 20 vjet. Dhimo Liko për njëzet vjet kryetar i kooperativës Divjakë. Unik, i papërsëritshëm. Zgjuarsia e tij e përdorur me maturi bënte vend. Thjeshtësia dhe zemërmirësia, një tjetër virtyt.

    NOVACION NË BUJQESI

    Në fillimet e zgjerimit të mbjelljes së grurit pati dhe hezitime. Ndonëse dhe për mua ankesa e vetme e disa anëtarëve të brigadës së gjashtë drejtuar kryetarit, për mbjelljen e grurit në toka ranore ishte me vend, se mos realizimi lidhej me shpërblimin e tyre. Ankesa natyrshëm më takonte mua, po më besoni të nesërmen në mëngjes kur më komunikoi ankesën, vura re se ishte ai në siklet, por gatishmëria ime për të shkuar e biseduar me brigadën, bëri që të vinte edhe ai. U nisëm. Në rrugë e sipër shohim makinën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Uan Hila. Po këtij çfarë do t’i themi? –tha me zë të ulët Dhima. Ndërkaq Uani, me të mbërritur, zbriti, na takoi dhe na pyeti – ku po shkoni? Eh! për Dhimon siklet pas sikleti ,por menjëherë e mora unë fjalën. Shoku Uan! Jemi nisur për të biseduar me anëtarët e asaj brigade atje tej, se i kemi planifikuar mbjellje gruri në toka ranore. Sakaq, meqenëse mu dha rasti, e vura në dijeni se ne jo se nuk e dimë se çfarë tokash preferon gruri, por me fondin e tokave që disponojmë, mbjellja edhe në ranore me një teknologji që do zbatojmë-të cilën ja zbërtheva- mendojmë se prodhimi do të jetë më i madh se ç’kemi realizuar. Pasi dëgjoi me vëmendje, pyeti- sa hektar keni ndër mënd të mbillni? Duke pare Dhimon i them: rreth 100 – 150 ha. Pse jo 300-të – ishte pyetja e dytë, pyetje – porosi, që na shtoi më shumë besimin dhe kjo zgjidhte më së miri strukturën e mbjelljes më të drejt dhe më me efektivitet në përshtatje tokave, klimës dhe mundësive të kufizuara për ujitje. Kjo zgjidhje bëri realitet dyfishimin e më tej të sipërfaqes dhe prodhimit të grurit. mua më lidhi dhe më shumë me Dhimon dhe më shtoj respektin për një nga drejtuesit me autoritet të rrethit me të cilin kisha punuar për dy vjet afër Tij. Pranoj se fillimi dhe dy vjet pune me drejtues si: Uan Hila, Dule Çarçani, Koço Neço, Sotir Vaso, Rrapi Vodo dhe specialistë nga më të zgjedhurit, Adriatik Skënderi , Ilia Pali, Ali Ypi, Pali Saveta, Mihal Shyti dhe Dhimitër Papa për mua ishte një përvojë me vlera të paçmueshme në formimin e personalitetit tim për përballimin e jetës si njeri dhe si specialist. Vazhdimi i Punës e bashkëpunimi me një drejtues dhe njeri model pune e jete, që me plot gojën nuk njihte asnjë lloji abuzimi e moraliteti, që e veçonte nga drejtuesit në përgjithësi. Edhe metoda operative e takimeve me brigadierët, ku koncizë e me pak fjalë, shtronte detyra konkrete dhe nuk përdorte referenca pa bukë si porosi nga partia apo pushteti siç flitej rëndom. Ky njeri i kompletuar u bë dhe pjesë e jetës time.

    NDËRTIMI I SERAVE

    Ndodhi e dytë. Ishte aksioni i ndërtimit të serave. Përsëri protagonist Dhimo, e Uani mbështetës. Punët kanë qenë të shumta dhe pa fund për Dhimon, por sollëm dy nga ato që bënë ndryshimin dhe diferencën në prodhimin dhe zhvillimin ekonomikë dhe financiar të Divjakës. E konkretizuar, domatja e mbjellë për eksport në serra dhe në fushë qysh vitin e pare me një sipërfaqe toke që zinte rreth 1,8 %, në të ardhura e përgjithshme si ekonomi përbënte 50 % të tyre. Si mund të rrish pa përmendur këtu dy brigadierët e brigadave që merreshin me kultivimin e domateve si Naun Rrudha, Kozma Dhori, të ndihmuar nga Mina Kruti, Pulie Daka, etj… Tek këto brigada me nga 150 punëtorë, 80-90 për qind ishin gra e vajza të reja. Në realitet, tregohej vëmendje e veçantë dhe çdo kujdes ishte i përligjur që punët të shkonin mirë. Ç’është e vërteta vetë proceset e punëve kërkonin njohuri dhe mjeshtëri, për të realizuar me cilësi dhe kohën e duhur , prodhim sa më të hershëm. Përgatitja e fidanëve në shtretërit e nxehtë kërkonin kujdes si në mbirje ,rritje, kalitje, dhe i trajtonim sikur të ishin “fëmijë”. Mbyllja e xhamave për të ruajtur nxehtësinë dhe mbulimi me rrogoza thekri sipër, si dhe mbulimi me kashtë anash shtretërve gjatë natës, u besohej punëtorëve më të kujdesshëm. Gjatë rritjes së fidanëve edhe gjumin brigadierët e bënin me merak, ku në netët e ftohta me orë e pa orë do të gjendeshin në bllokun e shtretërve. Jo rrallë herë në rolin edhe të kontrollit do të gjendesh edhe Dhimo. Ata që mbjellin, kultivojnë e përgatisin domate për eksport, e dinë mirë se puna veç specialitetit kërkon dhe intensitet që fillon nga tetor-nëntori, kur grumbullohet e përgatitet plehu për të siguruar ngrohjen biologjike në shtretër, përgatitja e fidanëve, përgatitja e tokës, mbjellja, shërbime në vazhdim (mbajtja e regjimit të klimës në serrë me hapje e mbyllje në kohë dritare e dyer, plehërime, ujitje, prashitje, luftë kundër sëmundjeve e dëmtuesve) dhe së fundi, vjelje seleksionim, ambalazhim për eksport. Çdo njëra, art dhe kujdes më vete. Përmend këtu specialistët e punëtorët punonin Ola Bashuri, Nushe Gixho, Zaka Lapi, Liri Liko, Zoica Zaka e shumë të tjera. Nuk mund të le pa përmendur se ishin po këto punëtore dhe gjithë të tjerat, që çdo porosi të Dhimos e kryenin në kohë dhe me ndërgjegje që së fundi materializoheshin me rezultate të larta prodhimi dhe të ardhura.

    DREJTUES KOMPETENT

    Për jetën në kooperativë ai që mendonte e drejtonte ishte në krye po Dhima. Me dhjetëra e dhjetëra ishin punët që me një fjalë quheshin aktivitete ndihmëse që “qeveriseshin” nga kryetari dhe stafi. Këtu bëhet fjalë për sektor ndërtimi; përpunimi të qumështit, përpunimit të domateve në salcë, tharje, përpunim rrushi e shumë të tjera. Sektori i shërbimit; rrobaqepësi, berberë, çerdhe e kopshte. Të mos harrojmë se u ndërtua një shtëpi kulture me një sallë kinemaje me treqind e ca vende, me bibliotekë e salla leximi si dhe ambiente, ku bënin prova grupi i këngëve e valleve si dhe grupi amator i teatrit. Përsa sipër, çdo njëri nga këto grupe kanë konkurruar dhe janë nderuar me çmime në festivale zonale, shkallë rrethi dhe vendi. Në shkallë kooperative kishte një skuadër futbolli që në vitin 1967 u kurorëzua si kampione e ndërmarrjeve e kooperativave bujqësore të rrethit duke fituar në finale në stadiumin “Roza Haxhiu” 1 : 0 me skuadrën me tradita të Bubullimës. Edhe skuadrat e volejbollit të vajzave e të djemve si dhe garuesit e atletikës gëzonin respektin nga të gjithë shikuesit divjakas. Të gjitha këto kishin kujdesin dhe interesimin edhe të Dhimos. Po interesimi i kryetarit të kooperativës nuk mungonte edhe për mirëmbajtjen dhe mbarëvajtjen e shkollës fillore, 7- vjeçare dhe e mesme natën. Ndihmë dhe përkujdesje tregohej edhe për spitalin dhe maternitetin në Divjakë. po me kujdes e preokupim ndiqte çdo nevojë e kërkesë të çdo familje për tulla tjegulla,lëndë drusore e të tjera materiale për riparime të shtëpive apo ndërtime të reja e të tjera.

    Me këtë njeri aq të respektuar, të drejtë dhe shumë njerëzor në takime ndjeheshin mire jo vetëm punonjësit e tij, por edhe njerëz me pushtet në rreth apo nga instanca më të larta. Në periudhën 1965-1970, Divjaka njohu një hop të mirë zhvillimi e përparimi, duke u bërë pikë referimi për tu njohur nga afër për organizimin e eksporteve nga serat dhe për sektorët ndihmës. Vizita ka pasur që nga udhëheqës të lartë; Enver Hoxha, Mehmet Shehu Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Haki Toska, Haxhi Lleshi e të tjerë anëtar të Byros, ministra, ambasador…etj.. Thelbi që dua të them është se nuk ka tjetër si Dhimo në komunikim, thjeshtë i kuptueshëm dhe me një modesti që të bënte të mendoje se mos t’i ke ardhur për të dhënë përvojë?

    I MATUR DHE KËMBËNGULËS

    Dhimo ishte njeri i urtë, i matur dhe i sinqertë por asnjëherë i përulur. Biseda e tij me zë të ulët përcillte burrëri dhe kur duhej duke e pare tjetrin në sy. Raste të tilla mund të sjellë disa! Le të ndalemi në njërën prej tyre. Ishim në fushatë mbjellje gruri. Punët dhe detyrat po shkonin sipas planit, me gjithë atë në zyrën e Dhimos erdhën për tu njohur me situatën njeri nga sekretarët e komitetit të partisë së bashku me kryetarin e ri të komitetit ekzekutiv dhe pas njohjes së situatës së mirë kërkoi që Divjaka të dyfishonte grafikun e mbjelljes, duke porositur të shfrytëzoheshin tokat e pluguara. Në përgjigje Dhimo i kishte shpjeguar se ato janë dhe kanë destinacion kultura të tjera që do mbillen në pranverë dhe kjo është një detyrë e programuar. Biseda ishte ndezur dhe po acarohej- më tregon jashtë brigadier i traktoristëve Seit Satka, që sapo kishte dal nga zyra pasi ishte thirrur e pyetur për sipërfaqe toke të pluguar të pambjellë. Mirë për mua, se u rakordova. Hyrja ime në momentin që sekretari po fliste me zë të lartë,nuk u vu re nga ai dhe Dhimo. Kryetari i ri Spiro Rusha i bëri shenjë sekretarit për prezencën time. Sakaq unë vura re se nga duart e Dhimos mbi tavolinë u hodhën çelësat. Menjëherë, biseda u zhvendose tek unë me pyetjen – sa hektarë tokë të pluguar keni? Kemi toka të pluguara qilizëm 350 ha gjithsej. Pra grafiku i mbjelljes së grurit për këtë javë duhet ta dyfishoni, kjo do të bëjë që ne dhe si rreth të realizojmë një zotim të marrë si parti – shtoi ai. Ky pohim i tij siç kuptuam më vonë, i drejtohej Dhimos. Unë si specialist më duhet tu njoftoi se e gjithë sipërfaqja e pluguar vitin e kaluar, ka qenë mbjellë me grurë dhe më tej një pjesë e mire,dy herë. Për mos tu zgjatur argumentimi i ndërsjellë zgjati më se një orë tjetër. Edhe lëvizjet nervore e sekretarit nëpër zyrë nuk e dha efektin që dhe ne prisnim. Ngelëm secili në të vetën. Për ne, mbjellja grurë pas gruri, teknikisht dhe shkencërisht nuk rekomandohej. Sekretari me mendimin se për sipërfaqet që bimësia nuk premton e kthejmë dhe e rimbjellim në mars, pa menduar për rritje të kostos dhe prishje të strukturës së tokës. Largimi i tyre u bë i tensionuar deri atje sa Dhimos, Kozma Veliut (sekretari i partisë, Divjakë) nuk iu dha dora. Edhe mua jo, por në momentin e shtrëngimit të dorës me Spiron, i cili më tha se ju mbështes, me zë të lartë – ju drejtova sekretarit dhe e përshëndeta duke thënë – nga ne, udhë të mbarë!  Kur mbetëm vetëm, Kozmai më tregoi për një qëndrim dinjitoz të Dhimos duke na përgëzuar shoqërisht dhe për mirë kuptimin. Përsa i përket qëndrimit të sekretarit tha : e bënte se në grupin e ardhur nga Komiteti Qendror për të ndjekur fushatën për rrethin tone i deleguar ishte anëtari i Byros Politike Xhaferr Spahiu. U shpërndamë, por nuk ishte e thënë që me aq u mbyll, se pas një gjysmë ore më thërret Kozmai dhe më thotë: Shoku Seit në emër të komitetit të partisë me telefon urdhëron të rritet grafiku i mbjelljes. Ç’të bëja? U nisa për t’u takuar me brigadierët që dispononin këto toka dhe ndërtuam “grafikun”e ri të mbjelljes për javën. Në fakt,u zbatua grafiku i programuar. Në mbyllje e shoh me vend të bëjë të ditur opinionit në përgjithësi se realiteti i gjendjes social -ekonomike për vitet 1965 – ‘75 ishin në rritje dhe jepnin shpresë. Ndërsa periudha mbas 1976-s deri në fund të viteve ‘89, gjendja si rezultat i politikave të shkurtimit të oborrit kooperativistë, tufëza-arëza u rëndua deri në katastrofë, e cila ka mbetur në memorie, si periudha më e errët për fshatin dhe qytetin. Për të gjitha kontributet dhe nivelin e arritur në kooperativën e Divjakës Kuvendi Popullor i Shqipërisë, Dhimo Likon e nderoi me Titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste” . Në përvjetorin e 92 –të, ne i urojmë jetë të gjatë Dhimo Likos…