Llazar Biqiku: Avokati i Popullit, nuk zgjidh hallin, shërben si zyrë informacioni

    443
    Sigal

    Avokati i Popullit nuk është në gjendje të mbrojë të drejtat e qytetarëve të tij, ndaj nuk ka si të jetë përfaqësues i popullit. Këtë nxjerr si përfundim qytetari elbasanas z. Llazar Biqiku në letrën e tij, drejtuar redaksisë së gazetës “Telegraf”. Qytetari Llazar Biqiku përfaqëson të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët emigruan në vendin tonë fqinj, në Greqi për një jetë më të mirë. Z. Biqikun e shqetëson një problem jetik për të gjithë emigrantët shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë derdhur kontributet e tyre në shtetet ku kanë emigruar. Shqetësimi i tyre është shumë i thjeshtë: Njohja e viteve të punës dhe kontributet e tyre nga shteti shqiptar. Dhe kujt më mirë se Avokatit të Popullit mund t’i drejtohesh për këtë problem? “Por i ashtuquajturi “Avokati i Popullit” nuk është në gjendje të zgjidhë problemin e një grupi të madh shoqëror si ai i emigrantëve”, shprehet në letrën e vet qytetari. Sipas tij, Avokati i Popullit, nuk zgjidh hallin, por është shndërruar në një zyrë informacioni. Qytetari shprehet kështu se pas kërkesës për zgjidhje të shqetësimit me anë të një letre, drejtuar Avokatit të Popullit, përgjigjja kishte qenë e thatë, informacion i thjeshtë: Ishin interesuar dhe Ministria e Punës e kishte informuar se nuk kishin marrëveshje me Greqinë dhe se “…nuk është momenti për të lidhur marrëveshje”. Ndaj qytetari pyet: Për çfarë Avokati Populli bëhet fjalë, kur ai nuk është në gjendje të garantojë minimalen e të drejtave njerëzore, atë të mundit dhe djersës së mijëra emigrantëve shqiptarë në dhe të huaj!? Ndaj, shprehet qytetari, “unë si shtetas shqiptar nuk mund të hesht, kur institucioni i posaçëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut nuk funksionon. Nëse BE na ka vënë kushte për t’u bërë pjesë politike e saj (sepse natyralë jemi), a nuk e kemi dhe net ë drejtën për të kërkuar mundin dhe djersën tonë, apo më shkoqur akoma, të drejtën e mbijetesës?”.

    Letra, drejtuar Avokatit të Popullit

    Z. Igli Totozani

    I nënshkruari Llazar Naun Biqiku, lindur në 24 korrik 1948 dhe banues Elbasan paraqes kërkesën si më poshtë:

    Kam qenë emigrant në Greqi, për arsye ekonomike në vitet 1993-2009, pra 16 vjet. Për mungesë pune u ktheva përgjithmonë në vendin tim në 13 mars 2009. në librezën time të punës, rezultojnë 25 vite punë. Në Greqi kam punuar 10 vjet me siguracione, të cilat ekzistojnë të dokumentuara në atë vend, sipas kodit tim personal. Jam interesuar pranë degës së sigurimeve shoqërore të rajonit Elbasan dhe më kanë thënë  se, “deri tani nuk kemi shkresë qeverie për njohjen e viteve të punës të emigrantëve në Greqi, për efekt pensioni”. Kam biseduar dhe me drejtorin e Kontributeve në ISSH, Tiranë, i cili më ka thënë se me Italinë e kemi vënë në vijë, kurse me Greqinë nuk bisedohet, se po kalon krizën. Sipas kësaj logjike, paskam qenë i paligjshëm në Greqi (vetëm veprimi ilegal nuk merret në konsideratë ligjore), por e vërteta është se qëndrimin tim e ka legalizuar shteti grek, se vërtetohet nga lejeqëndrimet e dhëna nga organet greke, të cilat shoqërojnë këtë kërkesë.

    Nëpërmjet kësaj kërkese shtroj pyetjet:

    A ka vlerë për shtetin grek, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut?

    A duhet të lidhet kriza greke me kontributet tona të siguracionit? Nëse jo, ku duhet ta kërkojmë të drejtën tonë, sepse si problemi im mund të kenë me qindra, por unë përfaqësoj vetveten?

    Me anën e kësaj kërkese, ju drejtohem për ta shqyrtuar problemin tim, sepse kam besim te ju, por edhe pse mundësitë e mia financiare nuk ma bëjnë të mundur që të merrem me gjyqe që i kalojnë kufijtë e vendit. Besoj se ky problem e ka një zgjidhje, duke qenë se nga shteti grek, unë nuk po kërkoj lëmoshë por të drejtën legjitime.

    Elbasan, më 19 tetor 2012

    Përgjigje nga Avokati i Popullit

    …Në letrën që ju na drejtoni, me anë të së cilës kërkoni ndërhyrjen tonë për të mundësuar njohjen e 10 viteve të punës së bërë si emigrant në shtetin grek, ju bëjmë me dije se institucioni ynë më herët, duke u nisur edhe nga ankesa të shtetasve të tjerë ka ndërmjetësuar për këtë problem… u interesuam në Ministrinë e Punës dhe, aktualisht, nuk ka marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit grek. Ministria e Punës, ka filluar negociatat që prej dy vitesh me shtetin grek, por dhe me atë italian, por nga ana e homologëve kanë marrë përgjigje se nuk është momenti i duhur për të lidhur marrëveshje.