Llalla takim me Marin: Të aplikohen metodat e reja në luftën kundër krimit e terrorizmit

494
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, u mirëprit në një takim në Paris nga homologu i tij, Jean Claud Marin, ku u diskutua mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar dhe terrorizmit. Kryeprokuropri Llalla njohu homologun e tij me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, Llalla theksoi se në Shqipëri tashmë po diskutohet për Reformën në Drejtësi dhe asistenca e qeverisë franceze në këtë drejtim është e nevojshme dhe e mirëpritur. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e aplikimit të metodave dhe teknologjive të reja për të pasur sukses të mëtejshëm në vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve në veprime abuzive.

Prokurori i Përgjithshëm francez garantoi Llallën se do të vijojë të jetë mbështetës në aktivitetin e prokurorisë shqiptare në këtë drejtim. Diskutimi ndërmjet dy homologëve u përqëndrua edhe në masat e marra në luftën kundër terrorizmit, sidomos pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Paris, në nëntor 2015. Llalla garantoi Prokurorin e Përgjithshëm të Francës, Marin, se Shqipëria dhe autoritetet gjyqësore shqiptare do të vijojnë të jenë të angazhuara maksimalisht në luftën globale kundër terrorit. Në vijim, bashkëbiseduesit shprehën qëndrime të përbashkëta për intensifikimin e marrëdhënieve sa i përket përballimit të sfidës me krimin e organizuar ndërkombëtar, ku fokusi kryesor konsiston në hetimet financiare. Takimi i Llallës me homologun e tij, Jean Claud Marin, u parapri nga diskutime me përfaqësues të tjerë të lartë të drejtësisë penale në Francë, ku fokusi kryesor ishte pikërisht hetimi për luftën kundër korrupsionit. 
Sigal