Llalla: Ka kandidatë të inkriminuar. Dekriminalizimi do i japë zgjidhje!

456
Ndërsa këtë të dielë shqiptarët i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj vendorë, kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi se në listat e kandidatëve për kryebashkiak ka persona me precedentë penale, por se sipas tij, ky problem do të zgjidhet me dekriminalizimin. Pas një takimi që mbajti me prokurorët të gatshëm për zgjedhjet, prokurori i Përgjithshëm Llalla tha se emrat e kandidatëve të inkriminuar u janë dërguar ndërkombëtareve dhe partive politike, dhe është vendosur që të mos bëhen publikë.
“Në lidhje me listën ka emra konkretë të cilët nuk janë bërë publik sipas kërkesave të kërkuara nga institucionet përkatëse. Ligji penal nuk pengon individët të kandidojnë si subjekte në procesin e zgjedhor. Mendoj se tashmë me procesin e nisur nga ligjvënësi në politikat shqiptare për dekriminalizimin e politikës, ky problem ligjor do të marrë edhe zgjidhjen e duhur”, tha Llalla.
Sa i përket ecurisë së procesit zgjedhor, Llalla tha se do të ndiqet me shumë vëmendje e gjithë situata zgjedhore, si dhe do të merren në kohë kallëzimet që do të paraqiten nga qytetarët, por se deri më tani sipas tij nuk ka asnjë incident zgjedhor. 
“Prokuroria është organizuar e gatshme për të ndjekur procesin zgjedhor. Lidhur me problematikat e hasura në zgjedhjet e kaluara janë parashikuar një sërë veprash penale dhe legjislacionin i parashikon të gjitha rastet. Përveç informacioneve të bëra publike nuk ka asnjë kallëzim të paraqitur në prokurori. Prokurorët si në Prokurorinë e Tiranës, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë do të ndjekin me vëmendjen gjithë situatën zgjedhore”, tha Llalla.
Sigal