Llalla-Cvitan: Vlerësojmë rolin e Prokurorisë Kroate në ndihmesë të hyrjes në BE

389
Sigal

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, zhvilloi një takim me homologun e tij kroat, z. Dinko Cvitan, ku u diskuan mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prokuroria e Kroacisë, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, konsiderohet si një strukturat hetimore të suksesshme në rajonin e Ballkanit dhe kjo është arsyeja që Prokuroria Shqiptare e vlerëson shumë të rëndësishëm përvojën e homologëve kroatë.

Z. Zvitan gjendet në Shqipëri në rolin e ekspertit, i ftuar nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe do të zhvillojë seancë trajnuese me prokurorë, të cilët ndjekin hetimet kundër korrupsionit. Në kuadër të kësaj vizite, z. Cvitan diskutoi me z. Llalla për çështje me interes të përbashkët, ditën e Hënë (dt.23.03.2015).
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se sfidat e strukturave hetimore janë hetimi i krimit ekonomik, korrupsioni në nivele të larta dhe hetimi pasuror.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, i prezantoi shkurtimisht homologut të tij përpjekjet e vazhdueshme të institucionit shqiptare për të goditur klimën e pandëshkueshmërisë. Në këtë drejtim, ai vlerësoi rolin e Prokurorisë Kroate në ndihmesë të atij shteti për të arritur standartet europiane.

Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, z. Cvitan, do të zhvillojë një leksion të hapur ditën e martë (dt.24.03.2015) me prokurorë që trajtojnë krimin ekonomik dhe hetimin pasuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, si edhe të Njësive Task-Force që funksionojnë pranë prokurorive të rretheve gjyqësore.