(Gjilan)
Ngjitur majave dashurishë
Kush nuk u ngjit majave
e si pa thelpinjtë e kthesave
rrugicave me kalldrëm
e s’e pa lakoren e hënës shtruar
mbi puset e ujit
e s’i njomi sytë
nga flladi i vjeshtave
tinëzake e zemërake
e kush se shkriu dashurinë
si dyll i qullosur
ngjitur kësaj maje
veç djersa e tharë
na shkon nëpër kurriz.
E s’di në të jem ngjitur
në murin e gjatë
gurë ndërtuar kinezësh
që të më çojë
në pellgjet e pashterura fjalësh
a në vreshtat e verës Vjenezë
se dehur vallëzoja “Danubin blu”.
Kush s’u ngjit dashurisë…
si ne që prisnim netët
çarçaf mes ditës e natës
hëna të dukej
hije klandestine në tokë.
VJESHTË DASHURIE
Edhe pse vjeshtës vonë u bien gjethet
pemishteve të kuqërremta
ngjitur me dritën e diellit tani më ikanak
ani pse vjeljet kishin mbaruar
ti i vluar erdhur ishe
jo se s’ta njihja ardhjen
veç numëroja minutat e pritjes.
Dhe vjeshtat ikin mbi supet e kohës
pa kërkuar kusur
se unë e ti ashtu të mbledhur
puthemi e shthuremi
nga po ai zjarr i dashurisë
së derdhur nga perënditë dikur
se s’mund te merret vesh vallë
ne u krijuam frymë me frymë.
Vjeshtat kanë për t’u shthurur
gjithmonë furtunave të tyre
sa flokë mbi kokë të lënë shprishur
ne të pa ndrojtur ndonjëherë
pushtuar nga i njëjti zjarr
që kishin hedhur perënditë
atëherë kur dashuritë ngjizen
…si vjeshtë dashurie.
SONATË DHE HËNË
Sonte hëna i paska fsheh hijet e veta
Diku pas qiellit rrumbullak
Dritat gri që netëve bien mbi flokun tim
Kush e di se ku ka mbetur
Dehur puthjeve shtrënguar dashurish.
Veç tavolina katrore që mban
Dy gotat e mbushura me verë
Të tjerë zëra paskan fjetur hijeve të hënës
As garso’ nuk i përgjigjet thirrjeve
Të atyre që pin freskun çdo natë.
Po le të flenë se bota ish- farkuar me njerëzit
E unë e ti ta shijojmë këtë shije
Të fshehur si aristokrat të krehur kohësh
Sonatë dhe hënë sërish do ketë
Le të fshihet hëna ashtu le të rrijë
Po të dojë se nur i saj sërish do ngjizet
Netëve tona puthur e shthurur nëpër shtrat.