Lindita Karadaku/ Rrugëtim në “Republikën e Spaçit”

    526
    Dy profesorë të Universitetit të Tiranës, Julian Bejko dhe Dritan Karadaku, kanë realizuar bashkë me studentët e tyre një dokumentar për burgun famëkeq të diktaturës në Spaç dhe atë që ai përfaqëson në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Ata i bëjnë thirrje zgjimi kësaj kujtese kolektive dhe bëjnë përpjekjen e parë serioze që studentët, brezi i ri të njohë dhe të kuptojë atë që përfaqësonte dhe përfaqëson Spaçi për Shqipërinë dhe shqiptarët, veçanërisht për shoqërinë e këtij vendi.

    Pse ky titull: Republika e Spaçit?

    Bejko: Ishim në dilemë si ta quanim, Republika e Spaçit apo Republika në Spaç, film apo dokumentar. Jemi nisur nga teksti i mirënjohur i Platonit, Republika, ku filozofi trajton çështje të ndryshme që prekin jetën e njeriut, të shoqërisë, të shtetit, të ekonomisë, artit, politikës etj. Prej këtej arritëm tek titulli, duke ekranizuar gjithashtu Alegorinë e Mitit të Shpellës së Platonit. Duket pra se zanafilla është Platoni, idetë themelore të të cilit shpjegohen përmes Spaçit dhe historisë sonë. Është një film që buron nga një ide filozofike dhe humaniste që kulmon me dënimin dhe vrasjen e Sokratit. Kjo është tragjedia e historive njerezore nder shekuj, vrasja e mendimit, dinjitetit dhe lirisë. Nje nga arsyet kryesore pse “Spaçët” bëhen të mundshëm. Republika në Spaç është leximi i dramës së Sokratit në Spaç, ndërsa Republika e Spaçit është leximi ynë i të gjitha ngjarjeve që kemi patur në fokus, për të treguar se kjo s’mund të jetë aspak Republika dhe as demokracia.

    Pse duhet të mësojëe studentët për Spaçin dhe atë që përfaqëson ai?

    Bejko: Sepse janë studentë, shqiptarë, të rinj dhe kështu është ajo çka kanë zgjedhur të bëjnë me veten e tyre, të studiojne aktualitetin dhe të shkuarën, të thellojnë njohuritë dhe të ndihmojnë shoqërinë kur të kenë një profesion. Mes të tjerash, studentët dhe brezi i ri, nisur nga një qasje pragmatiste, duhet të përballen me të shkuraën për të kuptuar se një pjesë e telasheve dhe shqetësimeve të tyre burojnë pikërisht prej saj. Raporti i tyre me të shkuarën është kryesisht virtual dhe i përciptë. Por një student i shkencave shoqërore, do duhej ta fillonte ditën e parë të mësimit nga kjo vizitë. Madje çdo semestër ata mund të zhvillojnë të tilla nëpër vende të ndryshme të asaj periudhe.

    Pse bëtë një dokumentar si ky me studentët?

    Bejko: Dëshironim të bënim një vizitë, ndoshta të parën e një grupi studentë-pedagogë në këto 25 vjet ashtu siç donim të dokumentonim Spaçin në ditët e fundit të tij – thuhet se do restaurohet. Lëndët tona në fakultet lidhen mes të tjerash edhe me shtetin, politikën, qytetarinë, ligjet, drejtësinë, demokracinë, të mirën, të bukurën, por asnjëra prej tyre nuk gjendet në Spaç, përtej gojëdhënave se aty dhe kudo tjetër në Shqipëri, mbisundonte ligji dhe shteti. Pra, kjo vizitë është sa studimore për veprimtarinë tonë, edukuese për të rinjtë dhe eksperimentale për shkencat shoqërore.

    Pse nuk është bërë më parë në universitet?

    Bejko: Pas mbarimit të studimeve master dhe Ph.D. në Paris, në filozofi dhe kthimit në Shqipëri për të punuar si pedagogë në Fakultetin e Shkencave Sociale (UT), prej dhjetë vjetësh tashmë, nisëm të shfaqnim filma dhe dokumentarë të integruar në kuadrin e leksioneve dhe programeve universitare. Gërshetimi i filozofisë, sociologjisë, shkencave politike me kinemanë dhe artet që e përbëjnë, ishte një risi për fakultetin, gjë që vijoi me krijimin e një lënde në nivelin master mbi kinemanë shqiptare të regjimit dictatorial. Dy vëllime librash janë botuar (Julian Bejko, Shoqëria e Kinemasë I, II, 2012, 2013) të cilët ndihmojnë studentin dhe lexuesin shqiptar në zgjerimin e njohurive dhe reflektimeve rreth shoqërisë shqiptare të shek. XX. Me një fjalë, në fakultet jemi përpjekur të hapim njëfarë tradite sa eksperimentale dhe të thelluar të shkencave shoqërore me artin, përvojë që na afroi me mundësinë e realizimit të këtij filmi dokumentar. Fakulteti ynë, por dhe Universiteti i Tiranës është tejet i ri në moshë, duke marrë parasysh faktin se gjatë diktaturës, disiplinat që vuanin më tepër ishin ato shoqërore, kryesisht filozofia edhe pse konsiderohej në propagandën e kohës si shkenca e masave proletare. Tranzicioni shqiptar është menduar kryesisht si ekonomik dhe politik, por përveç këtij kuptimi, vetë kultura, dija dhe arsimi shqiptar prej kohësh janë në tranzicion – një process që kërkon kohë, punë, durim dhe këmbëngulje të jashtëzakonshëme. Besojmë se është detyrë e kohës sonë, përmirësimi gradual, me kujdes dhe largpamësi i kulturës dhe botës universitare shqiptare, një peshë sa e rëndë dhe e çmueshme duke qenë se brezi i ri i studiuesve mund të kuptohet si pionier shkencave shoqërore shqiptare.

    A keni pasur mbështetje financiare për të?

    Bejko: Kur njeriu përjeton një ide të fortë dhe fisnike, kjo ide nuk e shtyn të mendojë menjëherë për financimet por për vetë realizimin e gëzuar të idesë. Qëllimi ynë ishte konkretizimi sa më i plotë dhe i lartë i idesë që patëm dhe jemi mjaft të kënaqur me rezultatet. Pastaj, rruga për në ish kampin e Spaçit është vetëm 90 km nga Tirana, rreth 1orë e30 min. Mjaftojnë fare pak shpenzime që qytetarët të shkojnë e të vizitojnë diçka që flitet prej kaq shumë kohësh, të zbulojnë zbraztësinë e çuditëshme dhe dhimbjen e heshtur. Realizimi i dokumentarit në çdo aspekt është kryer nga vetë ne, duke përdorur rrogat tona si pedagogë, po kështu edhe studentët kanë shpenzuar nga xhepi I tyre për të vizituar Spaçin.

    A do të mbetet ky nje dokumentar i vetëm apo do të vazhdoni ta ndiqni si praktikë me studentët?

    Karadaku: Mendojmë së shkencat shoqërore dhe artet në Shqipëri kanë shumë avantazhe. Para tyre shfaqet një pasuri e patrajtuar plotësisht që kërkon dhe meriton të flitet e reflektohet. Gjithashtu, teknologjitë e reja në ditët tona janë një ndihmesë fantastike për të krijuar me thjeshtësi dhe prakticitet diçka që më parë kërkonte kohë, staf të specializuar dhe shumë para. Krijuesit, qofshin të arteve apo shkencave shoqërore mund të prodhojnë vepra dhe madje kryevepra duke u nisur nga ide të bukura dhe të vërteta. Shpresojmë që ky dokumentar t’I japë një shtysë të apasionuarve pas filozofise, fotografisë dhe muzikës, letërsisë, poezisë, kinemasë, historisë dhe politikës, që të lëvrojnë dhe eksperimentojnë sa më tepër dhe më mirë. Për ne, krijime të tilla ecin paralelisht me punën akademike dhe na japin mjete, metoda dhe aftësi për të ngritur dhe zhvilluar më tej mendimin dhe kulturën.

    Çfarë prisni të arrini me përgatitjen dhe shfaqjen e një dokumentari të tillë?

    Karadaku: Shfaqja e këtij dokumentari, me shumë gjasa do të jetë grumbullimi më i madh me studentë, pedagogë dhe të interesuar të tjerë, që është bërë ndonjëherë në Shqipëri me temën e Spaçit; dhe me tej. Është si një konferencë shkencore pa monotonine qe e karakterizon, apo me mire si një opera me 15 akte, një udhëtim kinematografik në diçka që është kaq afër, kaq gjallë dhe kaq brenda nesh, ende sot. Atë që shqiptarët për shumë arsye e kanë anashkaluar në këto vite tranzicioni ku kanë patur halle dhe sfida të pabesueshme, tanimë kanë mundësinë ta “shijojnë” në 26 minuta tepër ngjeshura me imazhe, tinguj, fjalë dhe poezi. Besojmë se reagimi dhe transmetimi i idesë sonë do të jetë mjaftueshëm I fortë për të angazhuar njerëz të shkojnë e ta shohin me sytë e tyre dhe që të reflektojnë pak më shumë mbi të shkuarën tonë të padritë.

    Ju i përkisni një brezi që e ka jetuar pak ose aspak kohën e diktaturës. Pse është ky interes i juaji për të bërë diçka të tilla për Spaçin?

    Karadaku: Mbase pikërisht ngaqe e kemi jetuar pak kohen e diktatures dhe nuk na lidh gje personalisht me Spacin ishte e rendesishme qe te benim diçka. Kjo eshte historia dhe ngjarjet e vendit dhe popullit tone. Ne anen tjeter është e vërtetë që I përkasim një brezi të tillë që ka prekur fare pak atë periudhë dhe në moshën e fëmirisë. Por kujtesa dhe mbresat tona me atë kohë janë formësuar në raportin që fëmijët kanë me botën e të rriturve. Personalisht ditën e parë që kam shkelur në Spaç më janë zgjuar kujtimet e shkollës fillore. Ndërtesat, zërat, veprimet, ngjarjet, problemet dhe shqetësimet krijuan menjëherë një asosacion ndjesish, më dukej se kisha qenë dhe më parë këtu. Është një provë që dëshmon se fëmijët zotërojnë një aftësi unike për të lidhur realitetin fëminor me të tjerët e mëdhenj dhe t’I kuptojnë sipas strukturës së tyre dhe të japin gjykime që jo domosdoshmërisht janë të papjekura. Gjuha është fëminore, e çiltër, pa shumë doreza si të thuash, por mesazhi dhe kuptimi i tyre është I vërtetë, madje shpesh më i plotë se sa i të rriturve. Interesi për Spaçin është interes për të kuptuar shoqërinë dhe vetveten, periudhën në të cilën prindërit dhe gjyshërit tanë kanë jetuar, kohë të largëta që afrohen menjëherë sapo hyjmë në Spaç. Kemi dashur të kuptojmë më tepër dhe të kapërcejmë barrierat e të menduarit, të thyejmë zakonshmërinë e të folurit rreth diçkaje pa qenë kurrë aty, pa e njohur.

    Çfarë reagimesh keni pasur nga studentët me të cilët punuat dokumentarin?

    Karadaku: Studentët janë lindur në vitet e para të tranzicionit. Për ta, vizita në Spaç nuk zgjon ndoshta asnjë asosacion ndjesish apo kujtimesh krahasuar me tonat. Fillimisht studentët ishim mjaft të gëzuar që po organizohej një vizitë e tillë, mbase e para e këtij lloji në Shqipërinë e tranzicionit. Gjatë vizitës, hovi i tyre nisi të marrë një natyrë tjetër, më pak euforike – tipike e një ekskursioni – dhe më tepër reflektuese duke pyetur se si ishte mundur të ndërtohej gjithë kjo fabrikë vrasjesh dhe torturash. Ajo që shkaktoi habi tek ne ishte reagimi I tyre pas shfaqjes së dokumentarit në fakultet. Aty vumë re se raporti dhe ndjesitë që studentet kishin me dokumentarin ishin më të forta dhe prekëse sesa ajo që ata kishin parë dhe prekur gjatë vizitës. Puna dhe bashkëpunimi me ta ishte i thjeshtë dhe i këndshëm. Duheshin fare pak çaste që t’i shpjegonim skenat e xhirimit dhe ata hynin menjëherë në rol, role që nuk i pengonin të silleshin krejt natyrshëm; kjo ishte dhe ajo që i kërkuam studentëve, të mos interpretonin poezinë me patos, por t’i thoshin vargjet me natyrshmërinë e tyre. Ky ishte dhe një nga kritetet e punës tonë, natyrshmëria e sjelljeve. Ishte ndjesi shumë e bukur për të gjithë të xhironim student duke recituar Fjalët e Qiririt të poetit tonë kombëtar brenda Spaçit.
    Si do të ndihmonte në kujtesën kolektive edukimi i brezit të ri me të vërtetën e Spaçit?

    Karadaku: Edukimi i brezave duhet të fillojë nga reflektimi mbi ngjarje të tilla ku Spaçi është oxhaku i një tymnaje më të madhe dhe të rëndë. Ky ishte mendimi i filozofit Teodor Adorno pas ngjarjeve rrënqethëse e të parecedenta të Shoah-s. Kurse ne si shqiptarë duhet të kujtohemi që Spaçi është aty, që ekziston, që është një kapitull i hapur, i pashkruar mirë ose i shkruar me lloj-lloj kaligrafish, i rrahur me mbivendosje kuptimesh. Kujtesa është diçka shumë e brishtë, aq më tepër kur bëhet fjalë për kujtesën e një kombi dhe shoqërie. E vërteta e Spaçit është një nga nyjet që duhet kuptuar, që kërkon kohë dhe shumë metoda leximi përpara se t’ia fillojmë nga zgjidhja. Është nyje e ndërlidhur me shumë nyje të tjera dhe nuk mund të jetë strik puna apo detyra e specialistëve të ndryshëm. Mendojmë se nevojitet themelimi i një polifonie të vërtetash themelore nga ku mund të konsolidojmë demokracinë dhe shoqërinë. Vec te tjerave, dokumentari zotëron një vlerë dokumentarizuese, inventarizuese. Përveç imazheve video, e kemi kompozuar me rreth 100 fotografi ku secila ka domethënien e saj. Thjesht nisur nga kjo perspektivë, dokumentari ka një energji informuese, fotografike, dëshmuese e Spaçit dhe Spaçit të tranzicionit. Gjithashtu, përmes filozofisë dhe poezisë, referencave mbi personalitete botërore si Sokrati, Platoni, Naim Frashëri, Maya Angelou apo Linkolni, kemi dashur të transmetojmë mesazhet e tyre për brezat e të rinjve shqiptarë, të cilët fillojnë të interesohen për të shkuarën e tyre, njëherazi të ngrenë shijet dhe mendimet nisur nga këto personalitete. Një ndër mesazhet është ai i ringritjes, shpresës, forcimit të parimeve demokratike, tolerancës, edukimit dhe optimizmit racional. 
    Sigal