Liljana Kristuli: Vartësitë patologjike, të sëmurë, anulojnë kontrollin mbi vetveten

    65

    INTERVISTA/ Flet mjekja Liljana Kristuli: Sëmundja e vartësisë nga jo substancat, problem i kohës

    Vartësitë  më të studiuara deri tani kanë qenë ato të lidhura me drogat (substancat).Vitet e fundit, po flitet gjithmonë e më shumë  për vartësitë nga jo substancat, të cilat kanë pasoja rrënuese njësoj si përdorimi i drogës. Të  kalosh orë  të tëra  në FB, ose duke luajtur poker, të vësh baste o të luash kumar,  me shuma, të cilat nuk t’i mban xhepi, të rrish me orë  në palestër, janë vetëm disa shembuj të personave që kanë humbur ndjenjën e masës, që  janë duke shkatërruar jetën e tyre dhe të të tjerëve, e që  megjithëse nuk e pranojnë, se janë të sëmurë.

     Ç’do të thotë  të  kesh  vartësi, pra te jesh nën vartësinë  e diçkaje apo dikujt…?

     Të  kesh vartësi,  do të thotë të kesh nevojë,  për diçka ose për dikë, për të plotësuar një kërkesë jetësore, një mirëqenie fizike apo psikologjike. Kjo vartësi mund të jetë normale, fiziologjike ose patologjike, e sëmurë.

    Vartësi normale është vartësia për ajër, ujë, ushqim, për raporte shoqërore e dashuri familjare, të cilat në masën e duhur na bëjnë të jetojmë e të ndjehemi mirë psikologjikisht.

    Vartësi patologjike, të sëmura, janë ato vartësi, të cilat zvogëlojnë ose anulojnë kontrollin mbi vetveten,si dhe  aftësinë për të bërë zgjedhje, duke  ndikuar negativisht në jetën e personit  vetë dhe të personave që e rrethojnë. Këta persona duan të mbushin jetën e tyre që  e ndjejnë të kotë,  dhe zhvillojnë vartësi nga jo substancat mbi një bazë pasigurie, paqartësie, papjekurie, shpresash të humbura,  o dëshirash të pa realizuara.

    Si kuptohet  kur  dikush ka  vartësi nga “drogat”  jo  substanca?

    Ashtu  si për të gjitha drogat e tjera, shenjat janë të njëjta… Pra personi  nuk arrin ti rezistojë  impulsit për tu marrë “me drogën e tij”. Dëshira e pafrenueshme që ndjen deri  sa ta rifillojë dhe  humbja e kontrollit (në masë e në kohë) mbasi e ka filluar. (p.sh futet në  FB, e kalon aty gjithë  orët e natës,   fillon të luajë kumar e vazhdon edhe  pse i ka humbur pothuajse të gjitha të hollat).  Shqetësim, e nervozizëm në rast  se për ndonjë arsye nuk  mundet  të merret me “drogën e tij”. Vazhdon të sillet njësoj,  megjithëse është i ndërgjegjshëm që po shkatërron veten e familjen.

    Përpiqet të heqë dorë, por pa sukses… Rifillon përsëri,  mbasi ka hequr dorë për pak kohë.

     Cilat  janë  vartësitë nga jo  substancat_

    Mund t’i ndajmë në  këto lloje: vartësia nga persona (prindërit, të afërmit, partneri, krerë frymëzues)

    varësi nga gjendje të ndryshme (seksi, blerje të pa kontrolluara,stërvitje e tepruar në palestër). Varësia nga bota virtuale (internet, facebook, celularë). Vartësia nga loja (kumari, bastet)

     Mendoj të  fillojmë me vartësinë emocionale, pra si mund të përcaktohet  një vartësi afektive, emocionale?

    Shpesh duket e vështirë të bësh dallimin midis lirisë dhe pavarësisë të një personi. Shumë persona janë të pavarur fizikisht, materialisht dhe ekonomikisht, pra mund të përballojnë jetën më së miri edhe vetëm, por në brendësinë e tyre  nuk ndjehen të lirë: ata e venë veten e tyre në vartësi të personave të tjerë, në vartësi të veprimeve,të mendimeve e të gjykimeve  të tyre. Ka persona, gra ose burra  qofshin,të cilët  një lidhje dashurie e jetojnë si një përkushtim ndaj personit tjetër, të  aftë të bëjnë çdo lloj sakrifice ose të durojnë çdo lloj  keqtrajtimi, e vuajtje, që  e anulojnë personalitetin e tyre e jo rrallë të humbasin edhe jetën në emër të kësaj dashurie. Kjo është pa dyshim një vartësi e sëmurë emocionale, e cila zhvillohet në një person me një vetëstimë  të   ulët, me mungesë pjekurie në dinjitetin e  vlerat e tij personale. Kjo mungesë vetëvlerësimi mund të jetë pasojë e eksperiencave negative në fëmijëri, në  gjirin e familjes ose në rrethin shoqëror.

     Kur mund të themi se një lidhje dashurie  është e ekuilibruar?

    Një  lidhje dashurie bëhet e  ekuilibruar  vetëm kur  të dy partnerët kanë  arritur  autostimën personale, kur arrijnë ta njohin , ta çmojnë njëri- tjetrin  e të respektojnë  hapësirat  e veta dhe të partnerit. Kur  ky lloj raporti nuk  bazohet  mbi këtë bazë, kemi  të bëjmë me një vartësi  emocionale të sëmurë, e cila  paraqitet ne forma të ndryshme

    -Vartësia emocionale këmbëngulëse: personat e prekur nga kjo lloj vartësie, nuk janë në gjendje të largohen nga një partner edhe se ky i fundit nuk është më i disponueshëm (emocionalisht  o  seksualisht), është egoist, violent, ka një lidhje tjetër  dashurie, ka vartësi nga droga,etj..

    -Vartësia  emocionale  e varur. Personat e këtij grupi, janë  të gatshëm të bëjnë gjithçka për partnerin e tyre, të kujdesen edhe në mënyrë  të  tepruar vetëm që të mos braktisen prej tij.

     -Vartësia nga lidhja  emocionale. Personat e këtij grupi,  kanë  frikë të mbeten vetëm , pa një relacion ( pra  jo  pikërisht pa partnerin  me të  cilin kanë  këtë lidhje)

     Që të  mos mbeten vetëm,mund të  durojnë  edhe keq trajtimin,  e  shpesh edhe pse e dinë që dashuria ka marrë fund,  ose  që  ky raport  po  i shkatërron, nuk janë në gjendje të shkëputen.

    -Vartësia emocionale e dyfishtë. Për  personat e këtij grupi nuk është problem ndarja, por konsolidimi i një raporti. Ata ose janë të tërhequr emocionalisht nga persona, të cilët nuk janë të disponueshëm ndaj tyre, pra vuajnë në heshtje për një dashuri që  nuk ju përgjigjet,  ose  largohen menjëherë sapo  një relacion fillon të  bëhet i qëndrueshëm. (mund të ndodhë  edhe  pas takimit të parë, para martesës,pas kontaktit të parë seksual etj.)

    -Vartësia Romantike. Personat e këtij grupi lidhen në mënyrë romantike, me të gjithë partnerët e tyre, e shpesh edhe  me  më shumë se një  njëkohësisht.

    Shumë nga këto kategori  nuk janë  kështu të qarta e të dalluara mirë  tek individët. Një person mund të vuajë  njëkohësisht nga dy tipe të ndryshme  vartësie emocionale.

    Nga kjo vartësi patologjike,  mund të themi se  personat shpesh  bëhen stalker,  pra  e ndjekin  në mënyre  këmbëngulëse objektin  e dashurisë së tyre,  duke  ja vështirësuar shpesh edhe jetën. Për këtë fenomen,kam folur më gjatë  tek  libri “Heshtja nuk është  Zgjidhje”