Lika rrit ngarkesat, kërkon mendësi sulmuese në fushë

514
Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, është duke e stërvitur Luftëtarin me ngarkesë në dy seanca stërvitore, paradite në sallën e forcës dhe pasdite në fushë. Këtë javë, ai ua ka bërë të qartë lojtarëve, se nuk duhet të ketë asnjë nënvlerësim për Lushnjen, pse është skuadra e vendit të fundit të renditjes. “Nuk duhet nënvleftësim për Lushnjen, edhe pse ne do të kemi më shumë prioritet e mendësi sulmin në këtë takim, por edhe në vazhdimësi. Edhe ata vijnë në Gjirokastër me synimin e tyre e mund të luajnë me shumë forca në mbrojtje, por ne na duhet që të gjejmë sa më shpejt rrugën e rrjetës”, kështu ka deklaruar Lika në këto seanca stërvitore me Luftëtarin, i cili ka vetëm dy javë në stolin e skuadrës gjirokastrite, duke ju përmbajtur në po atij formacioni që ka luajtur edhe me trajnerët e mëparshëm. Ajo që po ndryshon në stërvitje është se futbollistët i mban të bashkuar dhe vepron vetëm në çerekun e gjatësisë së fushës së stërvitjes, në mënyrë që të ketë sa më shumë kontakt me topin, por edhe për të komunikuar direkt me ta. Me kthimin në formacion të Aleksit dhe Toledos, Luftëtari nuk do të ketë asnjë mungesë në ndeshjen e radhës, kështu që stafi teknik ka mundësinë të bëjë zgjedhjen e duhur.
Sigal