Ligji i ri për karrierën ushtarake, specialistët: Ushtarakët në karrierë do të vlerësohen nga “spiunët”

    903
    Sigal

    Përplasjet me Kushtetutën e brenda ligjit për kompetencat e emërimeve dhe lirimeve të oficerëve madhorë dhe frika e ushtarakëve të rinj nga spastrimet, në emër të ligjit

    Ligji i ri “Karriera ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” fut në Komisionet e Karrierës, e pikërisht në Komisionin e Lartë edhe dy ushtarakë nga Inteligjenca, ndërsa ligji i vjetër i përjashtonte “spiunët” nga komisionet e karrierës. Ushtarakët nga Inteligjenca, sipas specialistëve, e kompromentojnë komisionin. Ligji i mëparshëm i përjashtonte, ndërsa dosjet e konkurrentëve duhet të jenë të sekretuara. Gjithashtu ky ligj ka qenë shumë i përfolur, sepse i jep të drejtë Kryeministrit të shkarkojë ose të nxjerrë në rezervë oficerët me grada madhore “Gjeneral”, kompetencë që me ligjin aktual mund ta bëjë vetëm Presidenti. Gjithashtu problemi i spastrimeve të mundshme, në emër të ligjit, është një tjetër shqetësim që ka kapluar FA. Në ligjin e ri për karrierën ushtarake, të miratuar tashmë, ka shumë problematika, të cilat do të ndjehen më së shumti gjatë implementimit të tij, shprehen për “Telegraf” specialistë të ushtrisë. Shqetësimi më i madh i specialistëve ushtarakë është se kur dhe si do të implementohet ligji. Edhe vetë specialistët  janë dyshues se çfarë do të ndodhë me qindra mijëra ushtarakë nënoficerë, togerë dhe nëntogerë që kanë mbushur vitet e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura. Ata kanë një sërë pyetjesh të cilave ligji i ri nuk i jep përgjigje, si për shembull: Po ushtarakët që kanë plotësuar kriteret sipas ligjit 2004, do të largohen, apo do të përfitojnë nga ligji i ri?

    Si është zbatuar ligji aktual i gradave? Kur do të hyjë në fuqi ligji i ri dhe a do të ketë një shtrirje në kohë, në mënyrë graduale? Çfarë do të bëhet me Ligjin e Shërbimit Ushtarak”, ku përcaktohen afatet e moshës së pensionit?

    Gjithashtu specialistët mendojnë se në formulimin e ligjit ka ujëra të tepërta. Ligji, sipas tyre, ka nocione, ndërsa të tjerat sqarohen me VKM dhe udhëzime.

    Në tërësi ky ligj është pozitiv, pasi: ul korrupsionin, zgjidh problemin social dhe ul koston e ushtrisë. Sipas specialistëve ushtarakë ligji i ri për karrierën ushtarake e ka spunton që nga viti 2009, kur u vu re se Forcat e Armatosura u kapluan nga korrupsioni për dhënien e gradave. Korrupsioni me gradat e ka zanafillën që kur u aprovua VKM-ja, në dhjetor të 2004-s, ku u parashikua që pagat në ushtri nuk ishin më në bazë të funksionit, por në bazë të gradës. Në këtë mënyrë grada u bë biznes dhe madje flitet që gradat bliheshin me qindra mijëra euro. Po e gjithë kjo nuk mbaronte këtu, pasi ata që përfitonin grada më të larta, duhej të rimbursonin paratë me të cilat kishin blerë gradën, duke bërë tashmë pazare me të tjerë, të cilët donin të merrnin gradë më të lartë për të përfituar edhe pagë më të lartë. Kështu grada në ushtri u bë biznes i pastër, pasi grada në ushtri do të thotë para dhe karrierë. Ndaj dhe lindi nevoja, sipas specialistëve, e përmirësimit të ligjit. Por sipas tyre ministrja e Mbrojtjes deri më tani ka shprehur vetëm tre gjëra të vërteta: se së pari, ky ligj i ri ul koston e ushtrisë; së dyti, minimizon korrupsionin me gradat e ushtrisë dhe së treti, zgjidh problemin social. Duke u rritur koha e shërbimit, në kuptimin ekonomik, nuk lufton më për t’u rritur në gradë, pra, eliminohet në një farë mënyre korrupsioni. Kjo ul korrupsionin, pasi sipas specialistëve nuk ke si të paguash për të ndenjur 2 vjet më shumë në ushtri dhe gjithashtu zgjidh dhe problemin social.

     Ja problematikat e ligjit të ri, nen për nen

     Neni 9, “Kontrata e shërbimit ushtarak aktiv”

    Në këtë nen, sipas specialistëve, nuk është përcaktuar mosha e pranimit, ndërsa ligji i vjetër e ka të përcaktuar, nga mosha 19-30 vjeç.

    Nenin 9, pika 2 thotë se “Në rast shkeljeje të kontratës, shtetasit dhe ushtarakët detyrohen të dëmshpërblejnë shpenzimet për kohën e studimit apo kualifikimit brenda ose jashtë vendit…”. Sipas specialistëve, kjo pikë për studentin nuk është e drejtë, pasi mund të ketë një problem familjar ose pamundësi fizike, të cilat nuk janë parashikuar në ligj. Ndoshta është e drejtë të paguajnë për kohën e shërbimit dhe jo për kohën kur është student.

     Neni 13 “Koha e qëndrimit në gradë”,

     Neni 13, pika 2, ku thuhet se “Në rast mospërparimi në gradë, ushtarët me gradën ushtar IV, nënoficerët me gradat nëntetar, tetar dhe oficerët me gradat nëntoger, toger, kapiten, që plotësojnë 14 vite shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, dalin në rezervë”, parashikon përjashtimin e të gjithë këtyre ushtarakëve me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, thonë specialistët.

    Neni 13, pika 4, ku thuhet se “Koha e shërbimit në rezervë nuk llogaritet si kohë qëndrimi në gradë për gradim në shërbimin aktiv”.

    Sipas specialistëve, kur ushtaraku është në rezervë, nuk ka më kthim (veçse në kohë lufte), ndaj ky formulim duket i tepërt.

    Neni 15, “Titullimi dhe gradimi i ushtarëve aktivë”

     Ky nen, sipas specialistëve, parashikon përqendrim të kompetencave të padobishme të Shefit të Shtabit. Shefi i Shtabit është këshilltari i Presidentit, është autoriteti më i lartë ushtarak dhe këto janë ngarkesa të kota, ai nuk mund të merret me rekrutimin e studentëve, ushtarakëve, nënoficerëve. Ai nuk mund të bëjë kontrata, këto i bën ose QPR (qendra e rekrutimit), ose komandantët e forcave (ajrore, detare, tokësore), në bazë të kërkesave të Forcave të Armatosura. Specialistët i shohin këto kompetenca si të padobishme, pasi i japin ngarkesë Shefit të Shtabit. Gjithashtu ky përbën dhe një tjetër problem, pasi kur titullon Shefi i Shtabit ky është një vendim i pakthyeshëm.

    Rekrutimi i ushtarit

    Neni 15 thotë se: “Titullimi “ushtar/detar aktiv” dhe dhënia e gradës së parë të ushtarit/detarit aktiv bëhet me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura, i cili ka certifikuar kandidatin në përfundim të kursit. Gradat e tjera për ushtarët/detarët aktivë jepen nga: a) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm për ushtarët/detarët që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe strukturat e varësisë së tyre; b) Komandanti i forcës për strukturën që drejton dhe ato të varësisë; c) Komandanti i strukturës mbështetëse për strukturën që drejton dhe ato të varësisë…”.

     Neni 18 “Kriteret e përgjithshme për përparimin në gradë”

    1. Ushtaraku merret në shqyrtim për marrjen e gradës së radhës, kur plotëson kriteret e mëposhtme: a) Të ketë plotësuar kohën e qëndrimit në një gradë sipas pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji; b) Të ketë arsimimin dhe kualifikimin e nevojshëm për marrjen e gradës së radhës, sipas nenit 20, të këtij ligji; c) Më shumë se gjysma e vlerësimeve vjetore gjatë viteve të qëndrimit në gradën që mban të mos jetë më e ulët se “kënaqshëm”; ç) Të jetë i aftë fizikisht dhe në gjendje shëndetësore të mirë.

    2. Nënoficerët me gradë nëntetar dhe oficerët me gradë nëntoger, toger, shqyrtohen nga komisionet e karrierës vetëm 1 (një) herë për marrjen e gradës së radhës. 3. Nënoficerët me gradë tetar dhe oficerët me gradë kapiten shqyrtohen 2 (dy) herë radhazi nga komisionet e karrierës për marrjen e gradës së radhës”.

    Në Nenin 18, pika 1 c, sipas specialistëve kemi të bëjmë me një vlerësim të ulët, kur bëhet fjalë për përparimin në gradë, pasi në konceptin ushtarak vlerësimi “kënaqshëm” do të thotë “çka”.

    Ndërsa në pikat 1, 2, 3 të këtij neni “koha për sa herë testohet për gradë”, mënyra e vlerësimit dhe politikat e rekrutimit lenë vend për spekulime politike.

      Neni 21 “Kriteret e përparimit në gradë për specialitetet”

    Ky nen, sipas specialistëve, ka rritur me një gradë specialitetet, për të rritur kohën e qëndrimit të tyre në karrierën dhe gjithashtu duhet patjetër një VKM për zbatimin e këtij neni. Ndërsa krahasuar me nenin 19 të ligjit të vjetër, formulimi lë për të dëshiruar.

    Sipas nenit 21: “Kriteret e përparimit në gradë për specialitetet 1. Përparimi në gradë për oficerët deri nënkolonel/kapiten i rangut II dhe nënoficerët deri kapter, që kryejnë detyra organike në specialitete në Forcat e Armatosura si mjekë dhe personel i orkestrës frymore, bëhet sipas kritereve të përcaktuara në nenet 13 dhe 14, të këtij ligji, dhe në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura…”.

     Neni 22 “Komisionet e karrierës”

    Një ndër problemet kryesore të këtij ligji është Neni 22, sipas specialistëve. Në përbërjen e Komisioneve të Larta” nga 7 persona, duhet të jenë 2 nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (“spiunë”). Ushtarakë nga Inteligjenca, sipas specialistëve, e kompromentojnë komisionin. Ligji i mëparshëm i përjashtonte, ndërsa dosjet duhet të jenë të sekretuara.

    Gjithashtu, Komisioni i Veçantë për të vlerësuar kolonelët në gjeneralë, krijohet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Sipas specialistëve, duhej të ishin dhënë afatet kohore për të përcaktuar gradat e karrierës.

    Neni 22 thotë se: “1. Komisionet e karrierës janë autoritetet përgjegjëse për vlerësimin e përparimit të ushtarakëve në gradë, si dhe për kualifikimet që shërbejnë për marrjen e gradës së radhës. 2. Komisionet e karrierës janë: a) Komisioni i Veçantë, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave madhore. b) Komisioni i Lartë, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave major/kapiten i rangut III, nënkolonel/kapiten i rangut II, kolonel/kapiten i rangut I, si dhe nënoficerët për marrjen e gradës kryekapter.

    c) Komisioni i zakonshëm për oficerët me grada të ulëta, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave toger/lejtnant dhe kapiten/kapiten lejtnant.

    ç) Komisioni i zakonshëm për nënoficerët, i cili vlerëson nënoficerët për marrjen e gradave të radhës, përjashtuar gradën kryekapter. 3. Përbërja e komisioneve të karrierës: a) Komisioni i Veçantë përbëhet nga: i. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kryetar; ii. Një gjeneral major/nënadmiral anëtar; iii. tre gjeneralë brigade/kundëradmiralë anëtarë. 15

    b) Komisioni i Lartë përbëhet nga: i. një gjeneral major/nënadmiral kryetar; ii. tre gjeneralë brigade/kundëradmiralë anëtarë; iii. tre kolonelë/kapitenë të rangut I anëtarë.

    Në rastet kur shqyrtohen oficerë dhe nënoficerë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në komision marrin pjesë respektivisht edhe dy kolonelë kur shqyrtohen oficerët dhe dy kryekapterë kur shqyrtohen nënoficerët nga kjo Agjenci, me të drejtë vote. Në rastet kur shqyrtohen nënoficerët e forcave dhe strukturave mbështetëse për marrjen e gradës kryekapter, në komision marrin pjesë edhe dy kryekapterë, me të drejtë vote. Komisioni i Lartë mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes. c) Komisioni i zakonshëm për oficerët me grada të ulëta përbëhet nga:

    i. një gjeneral brigade/kundëradmiral kryetar;

    ii. gjashtë kolonelë/kapitenë të rangut I anëtarë. Në rastet kur shqyrtohen oficerë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në komision marrin pjesë edhe dy kolonelë nga kjo Agjenci, me të drejtë vote. Komisioni i zakonshëm për oficerët me grada të ulëta mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes. ç) Komisioni i zakonshëm për nënoficerët përbëhet nga: i. një gjeneral brigade/kundëradmiral kryetar; ii. tre kolonelë/kapitenë të rangut I anëtarë; iii. tre kryekapterë anëtarë. Në rastet kur shqyrtohen nënoficerë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në komision marrin pjesë edhe dy kryekapterë/kapterë nga kjo Agjenci, me të drejtë vote. Komisioni i zakonshëm për nënoficerët mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes. 4. Nuk bëjnë pjesë në komisionet e karrierës: a) anëtarët e kabinetit të ministrit të Mbrojtjes; b) ushtarakët e shërbimeve inteligjente dhe informative, me përjashtim të rasteve të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të këtij neni. 5. Komisionet e karrierës i përfundojnë procedurat e punës së tyre brenda muajit korrik të çdo viti, me përjashtim të Komisionit të Veçantë. 6. Komisionet e karrierës ngrihen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. 7. Funksionimi, procedurat e punës, mënyra e vlerësimit të ushtarakëve, gjatë procedurave për vlerësimin e përparimit të ushtarakëve në gradë, si dhe për kualifikimet përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. 8. Përjashtim nga sistemi i vlerësimit me pikë bëhet për marrjen e gradave gjeneral major/nënadmiral dhe gjeneral lejtnant/admiral, të cilat vlerësohen në bazë të meritave, përgatitjes dhe aftësive profesionale”.

     Neni 25 “Dalja në rezervë”

    Neni 25, pika 2, bie ndesh me konceptet ushtarake sipas specilistëve, pasi Shefi i Shtabit nuk del në rezervë, por në lirim. Gjithashtu këtu kemi përtplasje brenda ligjit, pasi

    gradën e jep Presidenti dhe dalin në rezervë me urdhër të Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. Gjithashtu Neni 25 dhe 26 përplasen dhe me nenin 17 brenda për brenda ligjit, pasi grdat madhore dekretohen nga presidenti, por shkarkohen prej Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.

    -Neni 25, pika 2, 3, 4 thotë se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm del në rezervë me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit. 3. Oficerët me gradë madhore dalin në rezervë me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. 4. Oficerët, përveç atyre që mbajnë grada madhore, dalin në rezervë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm”.

    -Neni 17, pika 5 thotë se: “Gradat madhore u jepen oficerëve me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, përveç gradës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. 6. Shefit të Shtabit të Përgjithshëm i jepet grada me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit. 7. Grada e Komandantit të Forcave të Armatosura në kohë lufte jepet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit”.

     Neni 28 “Ankimi për procedurën e vlerësimit të komisioneve të karrierës”

    Neni 28, Pika 3, s’mund të jetë, sepse duhet të përcaktohet edhe Komisioni i Ankesave dhe jo të krijohet nga ministri i Mbrojtjes. Komisioni i Ankesave merr në shqyrtim ankesat dhe ia paraqet Ministrit të Mbrojtjes, por Komisioni i Ankesave nuk mund të rrëzojë vlerësimet e komisioneve të tjera, sepse do të kemi ulje të autoritetit të gjeneralit.

    Në nenin 28 thuhet se: “1. Ushtarakët, që janë marrë në shqyrtim për gradën e radhës, mund të ankohen për vlerësimin e komisionit të karrierës te ministri i Mbrojtjes. Ankimet bëhen brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e shpalljes së rezultatit vetëm një herë. 2. Për shqyrtimin e ankesave, ministri i Mbrojtjes krijon një komision të posaçëm të drejtuar nga një ushtarak me gradë madhore. 3. Komisioni i ngritur për shqyrtimin e ankesave vendos lënien në fuqi të vlerësimit të komisioneve të karrierës ose ndryshimin e këtij vlerësimi. 4. Procedurat dhe funksionimi i komisionit të shqyrtimit të ankesave përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.”

     Neni 29 “Përfundimi i procedurave të gradimit”

    Në këtë nen thuhet se “Gradimet e radhës bëhen vetëm pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit të ankesave nga komisioni, sipas nenit 28, të këtij ligji”. Sipas specilistëve në këtë nen nuk janë parashikuar afate kohore, ndaj si rrjedhojë “bëjnë si të duan”

     Neni 35 “Implementimi i daljes në rezervë lirim”

    Neni 35, paragrafi 1 bie në kundërshtim me Nenin 13 dhe 14 “Koha e qëndrimit në karrierë”. Sipas specilistëve ky ligj duhet të implementohet gradualisht që të mos jetë abuziv e politik, duhet që të mos ndikojë negativisht në Forcat e Armatosura.

    Në të thuhet se: “Zbatimi i neneve 13 dhe 14, të këtij ligji, do të bëhet duke mos cenuar operacionalitetin dhe gatishmërinë e strukturave të Forcave të Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, miraton planin e daljes në rezervë ose lirim të ushtarakëve, kur dalja në rezervë ose lirim sjell cenimin e operacionalitetit dhe gatishmërisë së strukturave të Forcave të Armatosura”.

    Neni 13 “Koha e qëndrimit në gradë”

    1. Koha minimale e qëndrimit në një gradë për fitimin e gradës së radhës është: Forca Tokësore/Ajrore Forca Detare Koha në gradë a) Ushtar I Detar I 1 vit; b) Ushtar II Detar II 1 vit; c) Ushtar III Detar III 1 vit; ç) Ushtar IV Detar IV 3 vjet; d) Nëntetar Nëntetar 3 vjet; dh) Tetar Tetar 4 vjet; e) Rreshter Rreshter 6 vjet; ë) Kapter Kapter 5 vjet; f) Nëntoger Nënlejtnant 3 vjet; g) Toger Lejtnant 4 vjet; gj) Kapiten Kapiten lejtnant 5 vjet; h) Major Kapiten i rangut III 6 vjet; i) Nënkolonel Kapiten i rangut II 5 vjet; j) Kolonel Kapiten i rangut I 5 vjet; k) Gjeneral brigade Kundëradmiral 3 vjet; l) Gjeneral major Nënadmiral 3 vjet.

    2. Në rast mospërparimi në gradë, ushtarët me gradën ushtar IV, nënoficerët me gradat nëntetar, tetar dhe oficerët me gradat nëntoger, toger, kapiten, që plotësojnë 14 vite shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, dalin në rezervë.

    3. Koha e qëndrimit në një gradë në shërbimin aktiv llogaritet nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit përkatës për dhënien e gradës.

    4. Koha e shërbimit në rezervë nuk llogaritet si kohë qëndrimi në gradë për gradim në shërbimin aktiv.

    5. Kriteret për gradimin e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve në rezervë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.

    Neni 14 “Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv”

     1. Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv është: Forca Tokësore/Ajrore Forca Detare Mosha në shërbim aktiv

    a) Ushtar I Detar I 28 vjeç; b) Ushtar II Detar II 29 vjeç;

    c) Ushtar III Detar III 30 vjeç;

    ç) Ushtar IV Detar IV 33 vjeç;

    d) Nëntetar Nëntetar 37 vjeç;

    dh) Tetar Tetar 41vjeç;

    e) Rreshter Rreshter 54 vjeç;

    ë) Kapter Kapter 55 vjeç; 8

    f) Kryekapter Kryekapter 57 vjeç; g) Nëntoger Nënlejtnant 30 vjeç; gj) Toger Lejtnant 34 vjeç;

    h) Kapiten Kapiten lejtnant 41 vjeç;

    i) Major Kapiten i rangut III 55 vjeç; j) Nënkolonel Kapiten i rangut II 57 vjeç; k) Kolonel Kapiten i rangut I 59 vjeç; l) Gjeneral brigade Kundëradmiral 61 vjeç; ll) Gjeneral major Nënadmiral 63 vjeç; m) Gjeneral lejtnant Admiral 65 vjeç. 2. Oficeri me gradë madhore, pavarësisht nga mosplotësimi i moshës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, dhe i kritereve të përcaktuara në nenet 25 dhe 26, të këtij ligji, nxirret në rezervë apo lirim, kur plotëson njërin nga këto kritere:

    a) Kur pas kalimit të kohës së qëndrimit në një gradë sipas pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji, nuk ka marrë gradën e radhës;

    b) Kur nuk ka kuota të lira për konkurrim për gradën e radhës, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve.

    3. Oficerët, pas marrjes se gradës major dhe nënoficerët pas marrjes së gradës rreshter, nuk nënshkruajnë kontratë, por vazhdojnë shërbimin aktiv të karrierës dhe shërbejnë në shërbimin aktiv sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni. 4. Mosha minimale e pranimit në Forcat e Armatosura është 18 vjeç. 5. Shtetasit, në momentin e titullimit oficer aktiv dhe ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 27 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen oficerë dhe ushtarë/detarë aktivë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura dhe në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç”.

    Mendimet kundër ligjit “Për gradat dhe karrierën”

     Presidenti Bujar Nishani

    Sa i përket projektligjit “Për gradat dhe karrierën”, Presidenti është shprehur se ai është kaluar në hartimin e kësaj nisme, pasi nuk i është marrë asnjë mendim, pavarësisht se është Komandant i Përgjithshëm i FA. Sa i përket emërimit të ushtarakëve të lartë, Presidenca gjykon se kompetencat që i jepen Presidentit me ligj, mund t’i hiqen vetëm kur ato bien në kundërshtim me Kushtetutën. Gjithashtu, Presidenca vëren se njësimi i gradave me funksionet organike në ligjin aktual bëhet me ligj nga Kuvendi, ndërsa me ndryshimet e sjella bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit.

    “Kjo sjell si pasojë disiplinimin e karrierës së tyre ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri dhe anashkalim të Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave të Armatosura” thuhet në materialin për shtyp të Presidencës.

     Pandeli Majko

    “Do t’u lutesha, sidomos ushtarakëve, që ta gjykojnë dhe një herë se, në frymën e nenit që Presidenti në kohë paqeje ushtron drejtimin e FA nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit, interpretimi ka qenë që gjeneralët do jenë nomenklaturë e Presidentit. Dmth, edhe kur ka shkuar shefi i Misionit në NATO, edhe kur është bërë drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Është ‘check and balance’. Ne mund të kemi pakënaqësi të shumta me Presidentin e Republikës, me të drejtë, pa të drejtë, ç’rëndësi ka, politika është politikë. Por interpretimi që elita ushtarake duhet të jetë e balancuar dhe të ruhet ky interpretim që nomenklatura e lartë ushtarake lidh marrëdhënien President-Komandant i Përgjithshëm dhe Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes”.

      Fatmir Mediu

    “Si pjesë e NATO-s duhet t`i përgjigjemi standardeve të saj, për ato që konsiderohen trupa luftimi, mbështetëse dhe shërbimi. Raportet në vendet e NATO-s synojnë në një përqindje të dukshme të forcave luftuese mbi ato të shërbimit. Për fatin e keq ky raport në FA tonat është krejt i përmbysur. Në vendet e NATO-s ka një raport të caktuar të numrit të oficerëve, n/oficerëve dhe ushtarëve. Raporti është 1 Oficer/2 nënoficerë/12 ushtarë. Mbështetur në rekomandimin e SDR, FA e Shqipërisë synon të ketë një numër total 8,500 nga këta janë 2,000 civilë, janë 2,500 oficerë dhe nënoficerë dhe rreth 4,000 ushtarë. Pra raporti është 1/2/2 në rastin më të mirë që është e papranueshme. Po ashtu, FA sot ka 11 Gjeneralë dhe 2,500 oficerë dhe n/oficerë dhe në mes tyre janë rreth 800 kolonelë n/kolonelë dhe majorë. Pra, mbi rreth 35% e FA janë nga ky grup, atëherë ku shkojnë??

    Siç duket qartë, kemi jo vetëm një raport tërësisht negativ por dhe një dispropocion të madh në vetë trupën e oficerëve. Sistemi i FA është një sistem në formë piramide dhe në rastin tonë kjo vetëm piramidë nuk mund të quhet. Kemi një trup me kokë të vogël, trup të shëndosh, të madh në nivelin e kolonel, n/kolonel dhe major, e cila qëndron mbi disa këmbë të vogla të paqëndrueshme”.

     Luan Rama

    “Janë një bllok kompetencash që ligji ia jep, jo Presidentit, dhe jo Bujar Nishanit, se nuk ia ka dhënë as Rexhep Mejdanit kur ka qenë president, por ia ka dhënë Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në qoftë se do të bëjmë një zhbalancim të autoriteteve dhe do të bëjmë dhe Kryeministrin Komandant të Përgjithshëm, atëherë unë jam dakord ta kalojmë kështu siç është”.

     Pjerin Ndreu

    “Ministri është strukturë politike, keni ngatërruar kompetencat e ushtarakëve. I keni shtuar kompetenca të tjera ministrit me të padrejtë. Ligjet nuk bëhen me emra ministrash, ligjet bëhen që t’i rezistojnë kohës dhe të jenë të zbatueshëm. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të ketë më shumë peshë në gjithë karrierën e ushtarakëve dhe në këtë nen ju keni shkuar deri te pezullimi që ia keni çuar ministrit. S’ka sens”.

     LARGIMET

    Hyrja në fuqi e projektligjit të ri pritet të shoqërohet me një “furtunë” në radhët e ushtarakëve, të cilët nuk kanë përparuar në gradë dhe kanë mbushur afatin maksimal të qëndrimit në detyrë.