Ligji i ri për ish-të përndjekurit: 85 milion dollarë për të gjallët

    363
    Sigal

    Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantoi ligjin e ri për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Në një dalje për mediat nga kjo ministri, zv/ministrja Genta Sula u shpreh se ishte rënë dakord që të dëmshpërbleheshin ata persona ish-të përndjekur të cilët janë gjallë. Fondi për këtë kategori ish-të përndjekurish është 8 miliardë lekë ose rreth 85 milionë dollarë. “Konstatuam se gjithsej ish të burgosur politikë gjallë janë 2 754 persona. Nga këta në moshën mbi 75 vjeç janë 1284 persona, të tjerët janë nën 75 vjeç. Nga këta na ranë në sy që gra janë 117 persona. Duke bërë disa analiza financiare konkluduam që shuma që mbetet për të shpërblyer kategorinë e personave të gjallë është 8 miliardë e gjysmë lekë ose rreth 85 milionë dollarë.”

    Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kategoria e ish-të përndjekurve që janë gjallë është konsideruar si një grup prioritar, dhe brenda këtij grupi janë veçuar disa nëngrupe si: “ish të dënuaret politike femra, ish të dënuarit politikë të mbetur gjallë mbi moshën 75 vjeç, ish-të dënuarit politik që kanë sëmundje të rënda, ish të dënuarit politikë që kanë fëmijë minorenë dhe ata që janë nën 75 vjeç”.

    Zv/ministrja Sula u shpreh se “Sipas këtij ligji çdo fond vjetor të ndahet në 70% që të shpërblejë kategorinë prioritare dhe 30% për të shpërblyer trashëgimtarët e këtyre personave. Sipas ligjit do të shpërblehen ata që nuk kanë marrë asnjë këst, më pas ata që kanë marrë vetëm një këst, pastaj vetëm ata që kanë marrë vetëm dy këste, e kështu me radhë”. Zv/ministrja ka garantuar që qeveria do të bëjë të pamundurën që brenda këtij mandati të shpërndajë dëmshpërblimet për kategorinë që janë gjallë.

    Detaje

    2 754 ish të burgosur politikë gjallë

    1 284 persona mbi 75 vjeç

    1 470 persona nën 75 vjeç

    117 persona janë gra

    85 milion dollarë duhen për të shpërblyer ish të burgosurit politik të gjallë

    70% e fondit vjetor për kategorinë prioritare

    30 % e fondit vjetor për trashëgimtarët

    Kategoritë prioritare

    ish të dënuarat politike femra

    ish të dënuarit politikë të mbetur gjallë mbi moshën 75 vjeç

    ish-të dënuarit politik që kanë sëmundje të rënda

    ish të dënuarit politikë që kanë fëmijë minoren

    ata që janë nën 75 vjeç