Ligji i lë hapësirë veprimeve korruptive të punonjësve në organet zbatuese

    422
    Sigal

    Letër ministrit të Shëndetësisë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion për rishikimin e Ligjit Antiduhan: Qytetarët dhe bizneset, të paqartë për hapësirat, ku ndalohet duhani

    Misioni i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion është ndihmë, mbështetje dhe mbrojtje për shtetasit dhe subjektet në luftën kundër korrupsionit dhe parandalimit të tij, nga veprimet dhe aktet ligjore e nënligjore të organeve të administratës publike, që cenojnë kërkesat e Kushtetutës dhe akteve ligjore e nënligjore në zbatim të saj, si dhe akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.

    Për realizimin e këtij misioni, Shoqata ka legjitimimin që të shqyrtojë ankesat e kërkesat e shtetasve dhe subjekteve të interesuara, për përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore për përmirësimin e të drejtave e interesave të tyre kushtetuese dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e tyre nëpërmjet ndërhyrjes, bashkëpunimit dhe mbështetjes të organeve të administratës publike.

    Burim i këtij legjitimimi janë: Neni 46 i Kushtetutës; Vendimi nr. 3635, datë 30.07.2013 i Gjykatës Tiranë, me të cilin Shoqata AA Shqiptare, figuron e regjistruar dhe ka detyra investiguese, në mbrojtje të interesave të ligjshme të shtetasve e subjekteve; Neni 5 dhe 7 i Ligjit nr. 9814, datë 4.10.2007 “Për organizatat Jofitimprurëse”; Ligji nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të R.SH.”, etj.; si dhe Neni 18, gërma “d” e Ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”.

    Në zyrat e Shoqatës kanë mbërritur qytetarë dhe subjekte të biznesit, të cilët kërkojnë ndërhyrjen pranë Komitetit Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e duhanit ( KNMSHPD ) për të parë më drejtë përmbajtjen e pikës 18 të ligjit Ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”, ku jepet përkufizimi i “Mjedisit të Mbyllur” në këtë mënyrë:

    Është :

    “a) një mjedis që ka tavan ose çati, dyer, dritare ose rrugëkalime që mund të jenë të hapura apo të mbyllura dhe është kufizuar plotësisht me mure të përhershme ose të përkohshme;

    b) një mjedis, që ka tavan ose çati, dyer, dritare ose rrugëkalime që mund të jenë të hapura apo të mbyllura dhe është i kufizuar me mure të përhershme ose të përkohshme, muret e të cilit kanë hapje të përhershme, që nuk mund të hapen apo të mbyllen, me sipërfaqe më pak se 50 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të mureve”.

    Sa më sipër, paraqitja e kuptimit të “mjedisit të mbyllur” është krejt i paqartë dhe konfuz, gjë që del e nevojshme për të parë mundësinë e rishikimit të ligjit në drejtim të interpretimit për ta bërë atë sa më të kuptueshëm nga shtetasit dhe subjektet e interesuara dhe njëkohësisht lehtësisht të zbatueshëm për të mos lënë rrugë veprimeve korruptive të punonjësve të organeve zbatuese të kërkesave të ligjit.

    Mendimi i Shoqatës është për të parë edhe një herë përcaktimin e “mjedisit të mbyllur” siç është shtjelluar më sipër, por ne sugjerojmë se në ligj duhet të jepet dhe përcaktimi i “mjedisit të hapur” për lejimin e pirjes së duhanit ose vetëm të këtij, pasi e bën akoma më të qartë këtë pjesë të rëndësishme të ligjit dhe qytetarët dhe subjektet e interesuara bëhen më të ndërgjegjshëm, si dhe bëhet shumë i qartë për zbatuesit në teren të kërkesave të këtij ligji bashkëkohor.

    Nisur sa më sipër, kërkojmë një zgjidhje të shpejtë dhe të përshtatshme të këtij problemi, nëpërmjet marrjes së mendimeve të ekspertëve të disa fushave dhe grupeve të interesit të bizneseve, nisur nga e drejta që u jepet në pikën “b” të nenit 18 të Ligjit nr.9636, datë 6.11.2006 , i ndryshuar ku thuhet : “KNMSHPD-ja përgjigjet për rishikimin e akteve në fuqi për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet e duhanit dhe propozimin për përmirësimin e ligjit”.

    KRYETARI

    Av. Ndue Pjetra