Ligji i helmatisur i Berishës dhe mashtrimet e programit të Rilindjes për invalidët

    429
    Sigal

    VKM-ja që cenoi statusin e invalidit

    Qeverisja e djathtë e ish kryeministrit Sali Berisha me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 404 datë 20.6.2012 “Për caktimin e masës së kritereve e të procedurave të përfitimit të kompensimit financiar, nga Personat me statusin e të Verbrit dhe invalidit, Para e Tetraplegjik, për faturën e energjisë elektrike dhe faturën e telefonisë fikse”, bëri të mundur ndryshimin e Ligjit 8098 dt. 28.03.1996, “Për statusin e të verbrit” dhe u privoi njerëzve të kësaj kategorie një varg të drejtash

    Premtimi elektoral i Ramës

    Një nga premtimet elektorale të Ramës ishte e lidhur me ndryshimin e statusit të tyre me ligjin famëkeq të Berishës. Ja çfarë citoi në fjalën e tij kryeministri aktual Edi Rama përpara invalidëve të verbër dhe para e tetraplegjikë: “Në 100 ditët e para të qeverisjes ne do ta anulojmë atë ligj, i cili praktikisht ju zhveshi edhe nga të drejtat e shkruara në letër, se të drejtat e marra në realitet, ju e dini mirë, janë shumë herë më pak sesa ato që ishin shkruar në letër”.

    Realiteti postzgjedhor

    Realiteti postzgjedhor do të ishte krejt ndryshe, pasi, fatkeqësisht, kaluan më shumë se 300 ditë dhe asgjë nuk është bërë. Sot invalidët e verbër dhe ata para e tetraplegjikë vazhdojnë ta paguajnë të plotë faturën e energjisë elektrike dhe të kënaqen me atë kompensim qesharak prej vetëm 2 mijë lekësh për invalidët e grupit të parë dhe 1400 lekësh për ata të grupit të dytë, kur ky konsum i energjisë është shumëfish më i lartë, kryesisht, për ata që jetojnë në qytet.

     

    Të shkruash për invalidët e verbër dhe ata para e tetraplegjikët është një sfidë e hapur për disa arsye që lidhen me vetë jetën e tyre të vështirë. Në jetën e tyre të përditshme ata kanë nevojë për shumë njerëz, të afërm, për ligje të cilat rregullojnë marrëdhëniet e tyre në shoqëri dhe me institucionet, për drejtues të devotshëm dhe përfaqësues në parlament sy e veshë hapur ndaj realiteteve të tyre të hidhura. Qeverisjet vijnë dhe shkojnë, premtimet jepen lehtësisht, por nuk mbahen, vendimet merren, por shpesh në dëm të personave të verbër dhe atyre para e tetraplegjikë, përpjekjet për t’u hedhur “hi syve” janë tashmë të zakonta për këtë shtresë sa të vuajtur aq edhe të dënuar nga keqqeverisja.

    I pari, që e guxoi dhe nisi betejën me personat e verbër dhe ata para e tetraplegjikë ishte qeverisja e djathtë e ish kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të kabinetit të tij Spiro Ksera, i cili me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 404 datë 20.6.2012 “Për caktimin e masës së kritereve e të procedurave të përfitimit të kompensimit financiar, nga Personat me statusin e të Verbrit dhe invalidit, Para e Tetraplegjik, për faturën e energjisë elektrike dhe faturën e telefonisë fikse”, bëri të mundur ndryshimin e Ligjit 8098 dt. 28.03.1996, Për statusin e të verbrit dhe u privoi njerëzve të kësaj kategorie një varg të drejtash. Invalidët në Shqipëri jetojnë çdo ditë me frikën për mbijetesë që mbillet nga qeverisjet e këqija dhe ushqehet nga ligje të helmatisura që varfërojnë dhe shkatërrojnë ekuilibrat socialë.

    Në sheshin përpara parlamentit të vitit 2012, vazhdonin për javë e muaj me radhë protestat e fuqishme dhe plot vendosmëri të personave që cenoheshin nga prekja e statusit të tyre, ku qeverisësit e asaj kohe me guximin e paturpshëm vendosën ta kthenin këtë ligj vetëm me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave. Opozita e asaj kohe vuri në shërbim të protestuesve gjithë resurset njerëzore intelektuale dhe vendosi që të ngrinte zërin në Parlament për mos u kaluar ky ndryshim për votim, pasi do të ishte destruktiv për personat e verbër dhe para e tetraplegjikë.

    Ende janë të nxehta diskutimet e deputetëve socialistë në parlamentin e asaj kohe që arritën të rrëqethnin çdo zemër të lënduar që priste me ankth se diskutimet e kolegëve deputetë dhe protestat e fuqishme do të kthenin atë vendim aq të errët të qeverisë Berisha. Vasilika Hysi, Erion Braçe, Eglantina Gjermeni, Klodiana Spahiu e shumë të tjerë folën haptazi me argumente të qarta dhe bindëse për pasojat e ndryshimit të statusit të të verbërit dhe personit para e tetraplegjik.

    Zhgënjimi nuk kishte kufij! Pasi ligji kaloi me forcën e shumicës së Parlamentit për dekretim në Presidencë. Ish presidenti Bamir Topi, i cili në atë kohë nuk karakterizohej nga një frymë e re demokratike, e shkeli premtimin e bërë pak orë më parë ndaj grupeve të interesit që u cenoheshin të drejtat me këtë ndryshim në status dhe e dekretoi ligjin famëkeq të dalë nga Parlamenti me maxhorancë të djathtë të asaj kohe.

    Fushata për zgjedhjet e 23 qershorit ishte nga më të zjarrtat të zhvilluara ndonjëherë, por për invalidët ishte një mundësi e artë për të zgjedhur për të ardhmen e tyre, nëse do të ishte vazhdim i ngjarjeve të së shkuarës së hidhur, apo do t’u premtohej ndonjë alternativë më e suksesshme për ta bërë më të lehtë jetën e tyre. Nuk ishte rastësi që qeveria Berisha e mbylli mandatin e dytë qeverisës me një rezultat të thellë humbës, pasi ndër 1 milion shuplaka të dhëna ndaj tij, ishin pjesë edhe ato të 170 mijë invalidëve në të gjithë vendin, pa përmendur këtu edhe pjesëtarët e tjerë me të drejtë vote të familjeve të tyre.

    Takimet me invalidët ishin pjesë e axhendës së liderve të ndryshëm politikë në fushatën zgjedhore të 23 qershorit. Me rëndësi të madhe u prit takimi Edi Ramës, kryetarit të partisë më të madhe opozitare në vend, me kategorinë e personave me aftësi të kufizuara në kuadër të prezantimit të programit të Rilindjes për invalidët. Në këtë takim nuk munguan premtimet e dhëna të cilat ishin me mjaft interes për aspektin social-ekonomik të jetës së tyre. Një nga premtimet më të rëndësishme ishte e lidhur me atë plagë të hapur tek invalidët e verbër dhe ata para e tetraplegjikë, si ndryshimi i statusit të tyre me ligjin famëkeq të Berishës. Ja çfarë citoi në fjalën e tij kryeministri aktual Edi Rama përpara invalidëve të verbër dhe para e tetraplegjikë: “Në 100 ditët e para të qeverisjes ne do ta anulojmë atë ligj, i cili praktikisht ju zhveshi edhe nga të drejtat e shkruara në letër, se të drejtat e marra në realitet, ju e dini mirë, janë shumë herë më pak sesa ato që ishin shkruar në letër. Ne do ta shfuqizojmë atë ligj në 100 ditët e para të qeverisjes dhe do ta bëjmë me kënaqësinë më të madhe”. Ishin këto fjalët e duhura që i dhanë krahë shpresës se brenda disa muajve gjithçka do të ishte si para Vendimit të Këshillit të Ministrave nr .404 datë 20.6.2012.

    Realiteti postzgjedhor do të ishte krejt ndryshe, ai nuk kishte asnjë lidhje me citimin e shkëputur nga fjala e Edi Ramës, pasi kanë kaluar 100 ditë, madje edhe 200, e fatkeqësisht më shumë se 300 dhe asgjë nuk u bë nga sa u përmend. Sot invalidët e verbër dhe ata para e tetraplegjikë vazhdojnë ta paguajnë të plotë faturën e energjisë elektrike dhe të kënaqen me atë kompensim qesharak prej vetëm 2 mijë lekësh për invalidët e grupit të parë dhe 1400 lekësh për ata të grupit të dytë, kur ky konsum i energjisë është shumëfish më i lartë, kryesisht, për ata që jetojnë në qytet.

    Si për ta sjellë më pranë paradoksin e realitetit të sotëm të invalidëve, nuk mund të lihet pa përmendur një pjesë tjetër e fjalës së tij, ku shprehet: “Sot, ju kërkoni që qeveria t’ju dëgjojë. Ne kemi marrë një angazhim, që në 100 ditët e para të qeverisjes sonë do të publikojmë një akt të gjithëpërfshirjes në procesin e ligjvënies për të gjitha grupet e interesit… Ne do të garantojmë përfaqësimin demokratik të personave me aftësi të kufizuar”. Por a u mbajt ky premtim i radhës?

    Ngjarjet e fundit, nuk mund të harrohen lehtë, kur të verbrit dhe para e tetraplegjikët përpara dyerve të Kryeministrisë dhe Parlamentit, kërkonin që projektligji i ministrave Ksera dhe Veliaj, të rishikohej nga grupet e interesit, sepse nuk bindte se do të sillte diçka të re për këtë shtresë.

    Vetë kreu i Shoqatës së të Verbërve, avokati Sinan Tafaj, morri përsipër të trajtonte me hollësi çdo detaj të shkruar në çdo nen të atij projektligji dhe pasi e zbërtheu atë në aspektin juridik, me ndërgjegje dhe kurajë të plotë vendosi t’i bëhej barrikadë Ministrit Veliaj. A nuk janë vallë përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve, pjesë e grupit të interesit për nxjerrjen e ligjeve për invalidët? Padyshim që po, por ndryshe nga fjala e kreut të PS-së, Edi Rama, ata jo vetëm që nuk u dëgjuan kurrë nëpër takime, protesta, opinione të vazhdueshme në media, por u hodh baltë mbi figurën e kryetarit të kësaj shoqate, dr. Sinan Tafaj.

    Pse e bënë këtë, pikërisht, në një moment të tillë? Përse nuk i nxorën këto akuza edhe më parë, por u kujtuan vetëm në kulmin e debatit të projektligjit që do të kalonte për votim ato ditë në Parlament? Nuk është aspak rastësi, por është produkti i një mendje keqdashëse si ajo e ministrit Veliaj, që e përdori këtë situatë për të nxjerrë veten e tij si një puritan të pagabueshëm dhe për të larguar vëmendjen e qytetarëve invalidë nga e vërteta e këtij projektligji.

    Akuzat për Tafaj u bënë publike në mediat e shkruara, sikur të ishin fakte të ardhura nga ndonjë invalid përmes një letre në redaksi. Me pafytyrësinë më të madhe ministri me diploma false, si ato të djalit të politikanit italian Umberto Eço, qe u trajtuan publikisht nga gazetari investigativ Kastriot Myftaraj, guxoi të përbalte figurën e Sinan Tafaj për të ardhurat e tij, që, për hir të së vërtetës, ishin të ardhura të deklaruara e që nuk kishin vend për akuza.

    Çfarë mund të thotë ministri Veliaj për të ardhurat mujore prej 6 milion e gjysmë lekë të vjetra në muaj të Sinan Tafaj, kur ai vetë paguhej me 4000 dollarë në muaj, që 19 vjeç nga sorosianët, pa përmendur këtu të ardhurat që siguronte nga shitja e barnave, sendeve, ushqimeve që vinin nga ndihmat humanitare për Kosovën? Kjo pa diskutim që nuk ka nevojë për asnjë koment. Faktet e papëlqyeshme duket se nuk kanë fund.

    Në një përballje televizive mes kryetarit të Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj dhe zv/ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, ajo harroi të merrej me vlerën që kishte kalimi i këtij projektligji për votim në Parlament dhe filloi të mbronte figurën e saj përballë fakteve që e vendosnin me shpatulla pas murit se ajo qysh herët ishte marrë dhe manipulonte me fondacionin “ADRF”. Të tilla figura, që kanë vendosur të marrin në dorë fatet e invalidëve në këtë vend, duhen eliminuar nga jeta institucionale, sepse lëkurën e ndërrojnë çdo ditë, e fjalët e bukura nuk i kursejnë, por asnjëherë nuk kanë për ta harruar zakonin e mbushjes së xhepave.

    Si për t’i vendosur kapakun akuzave ndaj reformatorit të të verbërve, Sinan Tafaj, që e çoi shumë përpara kategorinë e të verbërve në aspektin legjislativ në Shqipëri, u përdor si guri i fundit i shahut edhe figura e invalidit të verbër Kristaq Xhaho, i cili deri para pak kohësh ishte kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Vlorë. Meqë e njihte mirë teorinë e sulmit edhe në situata kompromentuese ndaj tij, pasi kishte abuzuar me fondet e të verbërve në Vlorë, duke i përdorur për interesa personale, i udhëhequr nga kundërshtarët me pushtet të dr. Sinan Tafaj, vendosi të ishte nismëtar për përmbysjen e “monarkut” dhe reforminin e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë.

    Të verbrit dhe para e tetraplegjikët, në çdo kohë kanë ditur t’i mbijetojnë vuajtjeve dhe sfidave, por nuk mundet kurrsesi të pranohet lehtë që e keqja të vijë nga gënjeshtrat e krerëve qeverisës. Edhe sot si një vit më parë në fushatë parazgjedhore, çdokush do ta kishte të vështirë mos u besonte zotimeve të Kryeministrit të sotëm kur shprehej: “Bibla thotë e para ishte fjala, Zoti ishte fjala, fjala ishte Zoti, ku i ka rënë shumë vlera me thënë të drejtën, madje fjala është bërë djalli vetë, sepse fjalë-fjalë dhe rrej-rrej se dikush do ta hajë. Mirëpo këtu ngelëm duke e ngrënë… Problemi është që duke pasur unë fatin e mirë apo të keq, (nuk e di, herë është mirë e herë keq të kem 198 centimetra), matem mire kur jap fjalën, se pastaj e kam të vështirë të gjej vend, ku të fshihem, se dhe ju pastaj me të drejtë mund të thoni: Po mirë mo ato të tjerët ishin… po ky i gjati…”. Për fat të keq, as gjatësia nuk është kriter për gënjeshtra . Edhe i gjati na zhgënjeu… Vend ku të fshihet nuk ka për të gjetur, por do t’i duhet që pas 3 vitesh të largohet me një njollë të zezë, të damkosur nga vetë invalidët.

     BAJRAM ZYFI

     Kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Pogradec