Lidhja e Mësuesve të Athinës, sikurse …Klubi i Selanikut

    436
    Sigal

    Sapo më dërgoi mesazh nga Athina fëmija im 10 vjeç dhe më shkruan në shqip: “Më mori malli, baba”. Fëmija, ma dërgoi mesazhin në shqip, për të më dëftuar që ka mësuar të shkruajë edhe shqip  vetë, me abetaren që i dhurova. Abetaren shqipe fëmijës time ia gjeta në Athinë, në një zyrë të një përfaqësuesi të shoqatave të emigrantëve, që i mbante si dengje me kashtë, sepse nuk ka ku t’i japë… Ato abetare ia ka dhënë falas shteti shqiptar këtyre, pseudo-përfaqësuesve të emigrantëve shqiptarë, por abetaret e gjuhës shqipe, që i marrin nga shteti shqiptar, këta pseudo-përfaqësues,  i mbajnë nëpër thasë në zyrat e Athinës. Ndërsa fëmija ime, sikurse mijëra fëmijë të bashkatdhetarëve të mi emigrantë, deri sot nuk ka mësuar të shkruajë shqip, sepse nuk ka asnjë shkollë shqipe në Athinë. Edhe pse në shkollën e saj, në Athinë,  90 % janë fëmijë emigrantë shqiptarë. Ndaj debatin unë e bëj si prind emigrant, e jo si gazetar. Fëmija im i parë, ndonëse mbaroi shkollën e mesme në Athinë me mesatare 19,5, e vlerësuar nga ministrja greke e Arsimit e asokohe, Marieta  Janaku, nuk pranoi të shkonte në universitetin shtetëror të Athinës, sepse i refuzuan kërkesën e saj të ndiqte shkollë ushtarake,  ngaqë është emigrante. “Përse të më refuzojnë dëshirën, ngaqë jam shqiptare? Unë, që në kopsht, e gjithë klasat i kam bërë në Athinë, ç’kanë më shumë bashkënxënësit e mi grekë?- ishte përgjigja e fëmijës ndaj refuzimit të  kërkesës së saj nga shteti grek, që të ndiqte studimet në shkollë ushtarake, edhe pse ishte ne notë 19,5 në të gjitha vitet e shkollës së saj. Dhe fëmija im u detyrua të ndjekë studimet në një universitet privat në Tiranë, në gjuhë angleze, sepse nuk di të shkruajë e të lexojë gjuhën shqipe. Unë dhe gruaja nuk kishim as kohë dhe as mundësi që t’i mësonim gjuhën shqipe fëmijës, punonim 14 orë në ditë, 7 ditë në javë. Që sot fëmija im studion në universitet në Tiranë anglisht,  ngaqë nuk di shqip, më bren ndërgjegjja, që nuk munda – jo nuk doja – t’i mësoja fëmijës tim në Athinë, gjuhën time, gjuhën e Atdheut të saj. Ndaj, u jam mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve që mundohen, sakrifikojnë vullnetarisht që t’u mësojnë fëmijëve emigrantë gjuhën e Atdheut, që fëmijët tanë emigrantë të mos detyrohen të mësojnë shkollë në Shqipëri në gjuhë të huaja, ngaqë nuk dinë …shqipen. Nuk do të dëshiroja që asnjë prind të mos e brejë ndërgjegjja, sikurse mua, që nuk mundi t’i mësojë fëmijës së vet në emigrim, gjuhën e Atdheut. Por, kurrsesi nuk mund të fal askënd, që të spekulojë me mësimdhënien e gjuhës shqipe, ta përdorë atë për qëllime të përfitimit material e moral personal. Para disa ditësh, gazeta Shekulli boton një intervistë me mësuesen e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Virona të  Athinës,  Valentina  Jovani, e cila, është diplomuar për ekonomi në Universitetin e Kamzës,  kontribuon tërësisht falas, me pasion dhe përkushtim. Ndërsa disa “mësues” me diplomë, në Athinë, që kanë edhe shoqatën e tyre të mësuesve, reaguan, duke e quajtur intervistën e botuar si një “turp” që i bëhet shoqatës së tyre, pasi gazetarja nuk i pyeti fare ata, që të shembëlltonte një kontribut të një mësueseje, pasi, sipas këtyre, mësuesja nuk është anëtare e shoqatës së tyre. Këta drejtues  të kësaj Lidhjeje, nuk japin asnjë orë mësim, por pretendojnë se janë autoritarë dhe të vetmin “kontribut” patriotik, të tyre janë kërkesat e vazhdueshme që i dërgojnë shtetit shqiptar, ambasadës shqiptare  në Athinë që t’u njohë vitet e emigracionit,  vite pensioni, meqë bëjnë muhabete nëpër kafenetë e OMONIA-s për temat e mësimit të gjuhës shqipe, fëmijëve emigrantë! Asnjëherë drejtuesit e kësaj Lidhjeje të Mësuesve në Athinë nuk kanë guxuar të kritikojnë politikat qeveritare të Greqisë ndaj emigrantëve, sikurse nuk kanë kritikuar as politikat e braktisjes të qeverive shqiptare ndaj emigrantëve. Por quajnë “turp” për veten e tyre, shëmbëllimin e kontributit të njerëzve që janë të pasionuar t’u mësojnë fëmijëve emigrantë, vullnetarisht, gjuhën shqipe, vetëm e vetëm që nuk kanë diplomë mësuesie.  Veçoj nga këta drejtues të Lidhjes së Mësuesve në Athinë, ata mësues, që në formë sporadike kanë hapur klasa të mësimit të gjuhës shqipe fëmijëve të emigrantëve. Por, gjithsesi, puna e heshtur e patriotike e këtyre mësuesve, duhet të jetë fryt i lëvdatave e mburrjeve të drejtuesve të Lidhjes së Mësuesve të Athinës, që sillet, sikurse…Klubi i Selanikut në ditët tona.

      Pyetja ndaj Lidhjes së …Klubit të Selanikut

    Sa euro kanë kushtuar seminaret që keni bërë?  Cilët kanë marrë pjesë në këto seminare dhe sa prej tyre japin realisht mësime fëmijëve emigrantë? Kush i ka paguar? Kush i ka marrë? Ku janë bërë? Në kë lagje të Athinës jepni ju  mësim? Sa kërkesa i keni drejtuar qeverive shqiptare dhe ambasadës shqiptare në Athinë që t’ju japë fonde dhe t’u njohë si vite pune, orëmësimet e gjuhës shqipe në Athinë?

     

     Na larguan mësuesin nga shkolla, eeej!

     Zilja për fillimin e orës së mësimit kishte disa minuta që kishte rënë, po mësues Jovani nuk po hynte si zakonisht, me regjistër në dorë në klasë. Mbase do të ketë patur ndonjë mbledhje në drejtori dhe u vonua, thamë dhe, vazhdonim të prisnim kokulur mbi libra. Por më kot… Mësuesi ynë nuk u duk në klasë as atë ditë, as edhe deri më sot.  Vonë, jashtë mureve të shkollës e morëm vesh, se mësuesin tonë Jovan Katundi e kishin ndaluar të jepte mësim, e kishin pushuar nga puna. Pyetëm në drejtori “pse”, por nuk mori mundimin  askush për të na sqaruar. E pyetëm  mësuesin tonë të dashur, po edhe ai vetë nuk e ka të qartë arsyen. Ç’t’ju them fëmijët e mi, na tha, më thirri Drejtori i shkollës dhe më komunikoi gojarisht një urdhër të Drejtorisë Arsimore në Korçë, për t’u larguar nga shkolla. Po pse mësues, pse? Dhe edhe pse ka kaluar gati një muaj, kjo “pse” na mundon aq shumë, po nuk i japim dot përgjigje. Dimë se, mësues Jovani është jo vetëm një mësues shumë i mirë, por edhe një artist me emër në Korçë e më gjerë, i cili në kohën e lirë  recitonte vjersha e këndonte bashkë me ne. Na mësonte të duam njëri-tjetrin edhe jetën. Na desh të bukur, të mençur…E shqetësonte edhe një copë letër që mund të hidhte dikush  mbi lule a në rrugë dhe e merrte në sy tonë me dorë dhe e hidhte në koshin e mbetjeve. Askënd prej nesh nuk e qortonte ashpër, po bëhej shok edhe me ata që gabonin pa dashur e me të gjithë nxënësit. Jo vetëm kaq, por mësues Jovani është nga njerëzit më të  nderuar e të respektuar të qytetit tonë të vogël dhe kjo na bën ne nxënësit e tij të ndihemi aq krenarë për atë. Aq sa mësonim nga ato që na shpjegonte  gjatë orës së mësimit,  mësonim prej tij më shumë nga ato që bënte. Dhe tani që nuk e kemi mes nesh në shkollë, na mungon aq shumë e, përsëri pyesim: si mund ta ndash mësuesin nga fëmijët? Përse? Përse? Ç’të keqe paska bërë vallë mësuesi ynë Jovani? Dikush na tha, se pas mësimit në shkollë, e kishin parë mësuesin tonë të pinte kafe, me një “xhaxhi tëLSI-së dhe, se u marrka me politikë”. Dhe për këtë… Po ç’domethënë kjo?… Po sikur ta pinte kafen “me xhaxhi Saliun e PD.-së”,  që flet pa u lodhur ditë për ditë vetëm për politikë, do ta kishin pushuar nga puna? Pastaj, ai nuk ka dashur dhe nuk do që të bëhet deputet. Sepse siç kam dëgjuar të thonë, mësuesi dhe nëna janë “deputetë” të përjetshëm të vendit të tyre. Atëherë pse, pse kjo e keqe që e gjeti mësuesin tonë edhe ne?… Askush nuk na jep përgjigje për këtë dhe, përpiqem ta gjej arsyen në faqen e internetit, në  ato të librave dhe lexoj se,  edhe në Shqipëri ashtu si në Europë, ku duam të shkojmë, janë të garantuara liritë dhe të drejtat e njeriut… Se  prandaj ka edhe kisha edhe xhamia e, për këtë  paska edhe tek ne kaq shumë  parti, shoqata etj. Që njerëzit të zgjedhin… Madje  gjeta një histori për të qeshur me Robison Kruzonë, i cili në atë ishullin ku rronte i vetëm e pa askënd tjetër, kishte ndërtuar  aty dy kisha dhe, kur e pyetën pse, qe përgjigjur: që t’i jepja mundësi vetes të zgjidhte, se në cilën prej tyre të hynte, ose të mos hynte. Dhe më duket sot edhe mësuesi ynë, si një Robinson Kruzo i kohëve moderne. Veçse atij i ndalohet që të kalojë pragun eLSI-së, a të ndonjë partie tjetër përveçse asaj të Drejtorit të Arsimit, se përndryshe… e dëbojnë nga shkolla e ishullit, ashtu si ndodhi. O, mësues Jovani, kthehu të lutemi në mësim e na thuaj si e ka emrin ky ishulli që  jetojmë ne, dhe, a do t’i bashkohet ndonjëherë hartës së Europës?…  “Na larguan mësuesin  prej shkolle, eeej!”, bërtet e gjithë klasa, si ata malësorët e shekullit të kaluar, në atë filmin; “Na kanë vra mësuesin, eeej!”, po askush nuk na dëgjon e, mua më duket sikur e kanë vrarë vërtet e shkrehem në vaj. Por sakaq e mbledh veten, se dëgjoj në TV. që mësuesi merr frymë, si tëra qeniet biologjike, është gjallë dhe po fitoi në zgjedhjet e 23 Qershorit partia e Drejtorit të Madh, do t’ia bëjnë rrogën 700 dollarë. Vetëm diçka u plagos e po vdes ngadalë te unë nxënësja e mësues Jovanit nga Maliqi: ëndrra për të qenë e lirë të zgjedh nesër në jetë.

    Nga  nxënës  në Kl.VI-të C

    Shkolla  9-të vjeçare “AGIMI”  Maliq Korçë.