Lida LAZAJ/ Poezi

    439
    Sigal

    1.Ndodhi

     Kur me hir a me pahir

    iu nënshtrova tiranisë gri të kohës

    me hir a me pahir axhendës së javës

    “laj, fshi, gatuaj, hekuros”

    të mos heq asnjë presje

    apo ti shtoj një ngjyrë apo një tingull ndryshe.

    Ndodhi,

    kur edhe shushurimat e dallgëve dhe aromën e algave

    brenda guaskave të midhjeve­- ftesë prej detit, t`i shpërfill

    dhe as të dielës të mos i vishja rroba banjoje

    Ndodhi

    kur vegjetoja dhe tërhiqja kohën si kërmill

    dhoma e gatimit u pushtua prej afrodiziakëve

    krejt orenditë luajtën si qenie me shpirt

    tryeza hodhi mbi kurriz sofrabezin e të kremteve

    serviset zbritën nga raftet

    gotat kristal nisën ta dridhnin belin

    shishja e verës shpërtheu tapën

    karriget nisën të kërcejnë Lambadën e famshme

    Shitësi i lagjes mbeti vuv e syshqyer si bufi

    kushedi, ju duka alien kur i kërkova salcë tartufi

    Ndodhi,

    kur mendja pyeste zemrën

    “A kujton gjë nga epoka e erosit”

    Te shkallët e shkollës të kthyer në muze  

    Në cep të memories, shoh veten:

     vogëlushe syshkruar, ulur galiç

    mban në pëllëmbët e vogla

     kokën e mbushur me punë të mëdha

    I duhet të ngjisë shkallë të larta

    për të hyrë te abetarja

    Për të hyrë te abetarja

    i duhet të mësojë germat

    Për të mësuar germat

    i duhet të stërvisë kotelen të vetçushqehet

    të kandisë fluturën t`i bëjë shoqëri luledeles

    Tashmë, që shkolla u kthye në muze

    dhe shkallët u tkurrën u bënë të vogla

    sërish e gjej vogëlushen sy shkruar

    ulur galiç në një cep të memories

    teksa ndërton dhe shemb kështjella

    me hirin e ëndrrave të djegura

    dhe më këshillon të bëhem cicerone

    e fotos sime ne muze, te stenda

    Kënga e mullirit të vjetër

    Nën qiellin plot dyshime të Tiranës

    m`u përqas fëmijëria.

    Shkërbente trokashkat babi im me doçkat e mija

    dhe këndonte këngën e mullirit të vjetër:

    “Mulliri vërtitet, mulliri troket

    klip- kla, klip-kla, klip-kla

    mulliri bluan grurë të bardhë për gjevrekë”

    klip-kla, klip-kla,

    mulliri bluan grurë, mbjellë e korrur me djersë

    klip-kla, klip-kla, klip-kla”

     S`të akuzoj, që nuk më mësove,

    ç`mësova vetë nën këtë qiell, të pabesë.

    s`ma bën zemra të besoj, që mulliri të ha”

     Këngën e ndershme të mullirit të vjetër

     ju këndoj edhe unë fëmijëve, baba

    klip-kla, klip-kla, klip-kla.

    Ta çosh dëshirën sypraruar te deti

    Lehtësisht,

    në gjatësinë e një frymë mbajtjeje, gjendesh në Japoni,

    nën qepalla ndërton një kopsht qershish,

    kitarat e shpirtit shoqërojnë rënien e lirë të petaleve

    dhe zgjojnë dëshirën për detin

    Nuk është kaq e lehtë të shkosh mbi një katërrotësh, të kuvendosh me grimcën e thërrmuar të portikëve

    të epokës ndritur të Adrianos

    sjellë prej dallgëve nga përtej detit

    Nuk është kaq e lehtë t`i dhurosh shpirtit një kurorë algash

    dhe ëndrrave një kështjellë guaskash

    Atje, ku udhët kryqëzohen

    një dorë shërbestari t`a qëndis kroskotin

    me dy tre gjoba,

    njërën prej hallit

    dhe dy prej qejfit

     Atje,ku shqiponja ndan piedestalin

    me Krishtin dhe Muhametin

    një doçke qumështore

    ta kryqëzon dëshirën

    Ah, s` është kaq e lehtë

    ta çosh dëshirën sypraruar tek deti