Libri, “Shqipëria dhe Politikat Europiane të Sigurisë”

    465
    Sigal

    Paskal Milo

    Historian

    Vokacioni europian i shqiptarëve është po aq i vjetër sa dhe vetë historia e tyre. Ngjarje e fakte të shumta dokumentare dëshmojnë për lidhje të shumëfishta të politikave të sigurisë europiane dhe interesave gjeostrategjikë të fuqive të mëdha ndaj kësaj treve ballkanase. Kjo jo vetëm në rrafshin e bashkëpunimit gjeopolitik me principatat arbërore dhe shtetin shqiptar të pas 1912- s, por edhe me përdorimin e trojeve shqiptare si elementë të rëndësishëm ekuilibri në marrëdhëniet e sigurisë midis tyre.

    Nga ana tjetër, vetë shqiptarët dhe liderët e tyre i kanë parë shpesh lidhjet me fuqitë europiane si garanci për mënjanimin e rreziqeve aneksioniste, që u kanoseshin nga fqinjët e jugut dhe të lindjes. Skënderbeu i kërkoi aleancat e veta tek mbretëria e Napolit dhe tek Republika Tregtare e Venedikut; Ali Pasha i kërkoi tek Franca e Napoleon Bonapartit dhe Mbretëria e Bashkuar Britanike; Rilindësit e panë realizimin e misionit të tyre fisnik e iluminist tek përhapja e kulturës, artit dhe letërsisë europiane si dhe në modelin e rilindjes europiane; Ismail Qemali e kërkoi mbështetjen për njohjen e shtetit të ri shqiptar tek fuqitë perëndimore; Ahmet Zogu, edhe pse luajti me

    shumë aleanca në lindje dhe në perëndim, gjatë gjithë mbretërimit të tij dëshmoi një prirje të fortë europianizuese në ndërtimin e Shtetit shqiptar, që nga përshtatja e “Kodit të Napoleonit” në legjislacionin e kohës, gjer në ndërtimin e forcave të policisë e xhandarmërisë sipas modeleve europiane; forcat partizane dhe nacionaliste gjatë Luftës së Dytë Botërore i kërkuan dhe i gjetën aleatët e tyre tek fuqitë europiane antifashiste. Është kuptimplotë fakti që ndihmat e para materiale në këshilltarë, veshmbathje dhe armatime për ushtrinë antifashiste shqiptare erdhën nga Britania e Madhe.

    Në libër ballafaqohen dy koncepte, ai i Shqipërisë komuniste me atë të Shqipërisë demokratike. Koncepti dhe praktika e Sigurisë Kombëtare në Shqipërinë komuniste ka qenë krejtësisht tjetër nga ajo që ekziston sot. Ajo u ndërtua dhe u zbatua në kohën e Luftës së Ftohtë në kohën e organizimeve dhe aleancave politiko-ushtarake bllokiste që përfaqësonin dy botë kundërshtare nga të gjitha pikëpamjet. Por Shqipëria ishte dhe një vend sui-generis. Për një periudhë kohe, sigurinë kombëtare e ndërtoi mbi baza izolacioniste, por dhe duke mbajtur një qëndrim të baraslarguar nga blloqet politike e ushtarake të dy superfuqive të Luftës së Ftohtë dhe nga mungesa në çdo organizatë pan europiane të bashkëpunimit të sigurisë.

    (Pjesë nga parathënia)

     KUSH ËSHTË ILIAZ LABI

    Iliaz LABI ka lindur në Gjirokastër. Ka mbaruar Akademinë e Policisë, Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Historisë. Ka kryer masterin shkencor në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe doktoraturën me rezultate të shkëlqyera në po këtë fakultet. Ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare në Split, Sofje, Romë, Shkup etj. Aktualisht është Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Është anëtar i Albanian Institute of Sociology dhe i Institutit të Studimeve Europiane.

    LAJMËRIM

    Sot në orën 18:00 në Hotel Tirana, salla “Konsorcium”, kati i dytë, bëhet promovimi i librit “Shqipëria dhe Politikat Europiane të Sigurisë” të autorit Iljaz Labi.

    Ftoheni të merrni pjesë!