Libri “Kujtime” i Alfred Moisiut, sintezë e gjallë e ushtrisë në monizëm

    524
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet ish- gjenerali Kostaq Karoli: Sipas Moisiut, forcat xheniere kanë dhënë kontributin e tyre në çdo cep të Shqipërisë

     Këto ditë në ambientet e Muzeut Kombëtar u promovua libri i ish-Presidentit, Alfred Moisiu. Në këtë promovim merrnin pjesë ish ushtarak të lartë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë, pjesëtarë të familjes, akademik etj… Një prej diskutuesve ishte dhe ish-Shefi Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Kristaq Karoli

     -Çfarë periudhe përfshin libri i ri “kujtime” i Alfred Moisiut?

    -Libri “Kujtime” i zotit Alfred Moisiu, përfshin kujtime të periudhës 1958-2002. Ai është në vazhdën e dy botimeve të para, dhe përqendrohet në veprimtarinë e tij në ushtri. Libri i strukturuar në 17 krerë, me hyrje dhe epilog, paraqet momentet kryesore të jetës dhe veprimtarisë së zotit Alfred, në një periudhë rreth 45-vjeçare, me momentet më të rëndësishme, më domethënëse të tij dhe të Forcave të Armatosura, momentet nga më kulmoret të jetës së vendit. Duke mos u ndalur konkretisht në kapitujt e librit, do të më lejoni që shkurtimisht të theksoj disa dukuri të rëndësishme të tij. Sigurisht që, autori ka paraqitur në këtë libër një pjesë të veprimtarisë si oficer xhenier prej 27 vjetësh, për projektim dhe  zbatim në ndërtimin e urave, rrugëve, objekteve të ndryshme të fortifikimit etj.. Në të gjitha këto autori ka pasur kontributin e tij jo vetëm në projektim, por edhe në zbatim, që shpesh herë ka hasur edhe kundërshtitë, ndrojtjen e eprorëve, të cilët janë kaluar me sukses, falë argumenteve shkencore, guximit dhe këmbënguljes së autorit.

     -Z. Moisiu ka ndalur më gjatë në specialitetin e tij si xhenier, si vijnë këto impresiono në libër?

    -Duke folur për xhenierët, autori ka ditur që me mjeshtëri të sjellë detaje nga jeta e tyre dhe personale, që në fund të fundit e gjejnë veten e tyre të gjithë kuadrot dhe ushtarët e Forcave të Armatosura. Sakrificat në veprimtarinë e përditshme, tendosja nervore, përgjegjësia vetjake për vendimet e marra në çdo moment etj., janë jeta e çdo personi në specialitetet e ndryshme. Jeta e vështirë dhe larg familjes, marshimet në terrene e mot të vështirë, “fjetja mbi mushama në dëborë” (fq.48); stërvitje të gjata dhe pa pushim “72 orë rresht” (fq.15) etj. ishin sakrifica që autori ndërmjet jetës së vet, simbolizon të gjithë ushtarakët e tjerë, ku më shumë e ku më pa. Dhe është kjo jetë që z. Alfred arrin në një përfundim shumë të drejtë ku thotë se: “Ushtria Shqiptare… ishte plotësisht e ndarë dhe e shkëputur nga organet e tjerë të diktaturës… se trajtimi i ushtarakëve shqiptarë ka qenë shumë, shumë më i pakët se sa ushtritë e tjera të Traktatit të Varshavës” (fq.16).

    Në periudhën që kam qenë shef katedre në Akademinë Ushtarake, zoti Alfred, ishte një nga drejtuesit kryesorë të MM, më të aktivizuar në procesin mësimor, që me aftësi e argument trajtonte dukuritë dhe të rejat në fushën e xhenios. Nuk është e rastit që autori edhe në libër evidenton faktin që vetë personalisht, por edhe aparati i MM, çdo ndryshim organik, çdo stërvitje, është bërë në përputhje me misionin, me armatimin e teknikën ekzistuese, me rreziqet e kërcënimet e krijuara dhe mbi bazën e stërvitjeve të zhvilluara. Organizimi i Brigadës së xhenios në Kavajë, pajisja me veshmbathje e armatim e ushtarëve xhenierë, dislokimi dhe programet e tyre të stërvitjes, eksperimentimi në Mezhgoran dhe Palavli (Delvinë), etj., janë domethënëse për këtë dhe kontribut vetjak i autorit dhe kolegëve të tij.

     -Çfarë roli ka pasur specialiteti i xhenios në ushtrinë tonë?

    Në leximin e librit del qartë se nuk ka mbetur zonë e vendit që forcat xheniere dhe autori të mos kenë dhënë kontributin e tyre edhe në ndihmë të popullsisë, përmes sakrificave e vështirësive të tyre vetjake e familjare. Por autori ndalet më gjerësisht në veprimtarinë si komandant Brigade. Të më falin zotërinjtë, por vështirë është që për një pjesë të kuptohet, që çdo të thotë të ngresh një brigadë speciale, nga pothuajse asgjë. E pa kompletuar me kuadro, me reparte të shpërndarë, me kuadro që pak e njihnin teknikën speciale, me ushtarë të grumbulluar nga reparte të ndryshme, me kushte minimale akomodimi etj., dhe që udhëheqja kërkonte në të njëjtën kohë vënien sa më shpejt në gatishmëri dhe plotësimin dhe të detyrave të ndryshme për hapje rrugësh e ndërtim urash. Autori ka ditur që me modesti, studim, kërkesë llogarie, shembull vetjak, qëndrim pranë njerëzve dhe zgjidhje të halleve e shqetësimeve të tyre familjare etj., të forcojë kohezionin e njësisë dhe vënien e saj në gatishmëri para afatit të caktuar. Marrëdhëniet e ngrohta që krijoi midis kolegëve, pavarësisht edhe të rasteve të mosdakordësisë midis tyre në diskutimet e problemeve të ndryshme, nuk e penguan autorin që t’i mbronte ata nga masat ekstreme apo të rënda, që kërkonin eprorët ndaj tyre, t’i ndihmonte me banesa e deri me të holla ata.

     -Si ka ndjekur zhvillimet  në atdhe z. Moisiu në këtë libër sipas përshtypjeve tuaja?

    -Pavarësisht që autori thekson se janë mendime të veprimtarisë vetjake, ai nuk ka qenë as indiferent as i shkëputur nga ngjarjet e mëdha të ndryshimeve politike në vend, bile në shumicën e rasteve ka qenë drejt për drejt i lidhur me to apo me pasojat e tyre në ushtri e në jetën e tij. Analiza e situatave politike dhe ushtarake e këtyre ngjarjeve dhe përfundimet e nxjerra mbi ndikimet e tyre në fushën e sigurisë dhe si rrjedhojë dhe në konceptet strategjike, operative e taktike është bërë me argumente të thelluara. Të kësaj natyre janë trajtesat që autori bën për heqjen e gradave, për daljen nga Traktati i Varshavës, për stërvitjet “Tomori-68” dhe “Shpiragu-69” etj.. Duke analizuar të ashtuquajturin “puç ushtarak”, autori si pjesëtar i gjithë asaj fushate akuzash, denigrimesh e dënimesh të rënda në ushtri, sjell fakte, jep mendime për këtë problem. Ai tregon tronditjet dhe presionin e madh, të cilit iu nënshtruan kuadrot e ushtrisë dhe familjet e tyre. “Ata burra, që dikur i kishin dalë ballëhapur dhe me kurajë mitralozit gjerman, tani ishin si të hutuar”, “Njerëzit u bënë të vegjël” – thotë autori në fq.141. Me fakte konkrete, autori, tregon të gjithë diagramën e këtij “puçi”, duke filluar me “Materialin e zi”, me goditjen e Beqir Ballukut dhe me “fshesën e hekurt”, të largimit të pothuajse të gjitha kuadrove kryesore të ushtrisë dhe të dënimit të padrejtë të tyre dhe familjeve, dhe kjo e shoqëruar me një terror të paparë psikologjik në radhët e ushtrisë.(+). Në detyrën e drejtorit të fortifikimit, të zëvendës ministrit të mbrojtjes, të transferimit në Burrel, ai nxjerr në pah punën e madhe e të vështirë që ka përballuar. Por është për t’u theksuar se në të gjithë librin, autori nuk lë pa përmendur dhe flet me respekt për punën e bashkëpunëtorëve dhe të vartësve, flet me respekt për kuadrot e Burrelit, që e trajtuan me dashuri e konsideratë. Puna e z. Alfred si Ministër i Mbrojtjes i qeverisë teknike, si këshilltar e zëvendësministër dhe si Kryetar i Shoqatës së Atlantikut ka qenë e mbushur me shumë ngjarje dhe veprimtari me një kontribut të spikatur personal për reformimin e Forcave të Armatosura dhe integrimin në strukturat e NATO-s. Ngjarjet e vitit 1997, autori i përjetoi me dhimbje dhe duke i analizuar ato, arrin në përfundimin se, “…Ushtria padrejtësisht pagoi dhe mori përsipër një turp historik si rrjedhojë e politikës të paprinciptë shqiptare…” (fq.273). Është domethënës fakti që në libër, autori, në çdo analizë të veprimtarinë shtetërore apo të politikanëve të ndryshëm të mbas viteve ‘90, duke i dhënë kujtimeve të tij një karakter edhe më aktual. Duke përfunduar, i uroj zotit Alfred, shëndet, jetë të gjatë dhe të na mbledhë edhe në veprimtari të tilla në të ardhmen.