Librazhd, rritet 30% çmimi i banesave e trojeve për ndërtim

934
Sigal

Banorët: Jemi të detyruar të ikim nga fshati nga varfëria dhe të blejmë shtëpi apo të rrimë qiraxhinj në qytet

Për paradoks, ndonëse kohë krize dhe një qytet i vogël, i varfër e pa aktivitet industrial, çmimet e banesave dhe të trojeve të ndërtimit në Librazhd kanë kapur kuotat më të larta në këto vite tranzicioni. Sipas statistikave, në harkun e pak më shumë se një viti, çmimet kanë pësuar një rritje deri në 30%.  Aktualisht, në Librazhd një banesë 1+1, shitet deri në 3 milion lekë të reja, ndërsa një hyrje 2 plus një, shitet deri në 3.5 milion lekë të reja dhe më shumë.

TREGU I BANESAVE

Sipas statistikave që afrojnë agjencitë imobilare, janë emigrantët që kanë diktuar rritjen e çmimit të banesave. “Ndonëse në distancë më të largët nga Tirana dhe rreth kufitar, çmimi i banesave në Librazhd është më i lartë se çmimi i tyre në Elbasan dhe katër qytetet e tjera të këtij qarku”- shtojnë burimet e mësipërme. Në fakt, banorët e këtij qyteti, janë ndër më të varfrit në vend. Për shkak të reduktimit të dukshëm të administratës (Librazhdi është nënprefekturë), ndërprerjes së aktivitetit të fabrikës e ndërmarrjes së përpunim drurit, papunësia vazhdon të jetë ndër më në lartat në vend. Njëkohësisht, dhe të ardhurat janë tepër të ulëta. Pas vitit 1990, kjo diktoi ikjen masive në emigracion. Pikërisht, paratë e emigracionit dhe fluksi i të ardhurve nga fshati në qytet, kanë rritur dukshëm tregun e banesave në këtë qytet. Kjo kërkesë, me sa duket po kënaq ndërtuesit apo agjentët imobilarë. “Ka shumë faktorë që ka diktuar këtë çmim. Por në fakt çmimi diktohet nga kosto e ndërtimit dhe cilësia e banesave”- e argumenton një nga ndërtuesit vendas këtë situatë. Blerësit më së shumti janë nga nga zonat për rreth Librazhdasit si nga Polisi, Sopoti, Qarrishta, Çermenika dhe nga shumë zona te tjera të thella të rrethit.

TROJET DHE QIRATË

Edhe çmimi i trojeve për ndërtim, këto kohë ka shënuar pikun më të lartë të vlerës për metër katrorë. Sipas statistikave, rritja është rreth 30%. Vendet më të preferuara mbeten ato që janë sa më afër qendrës, në dalje të qytetit dhe zona e ish-ushtarakut. “Unë kam katër djemtë në emigracion prej vitesh. Mundëm që të blejmë truallin e të ndërtojmë shtëpinë ku u sistemuam pasi erdhëm nga fshati. Së fundi kemi ndërtuar dhe një biznes të vogël, me të cilin sa sigurojmë bukën e gojës”-pohon. L. Bahitaj, një nga banorët. Mësohet se në të njëjtën kuotë është dhe çmimi i qirave të banesave. “Deri para një viti qiraja për një dhomë e kuzhinë ishte 5 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa tani ka vajtur 8 apo 9 mijë. Ndërsa për dy dhoma e një kuzhinë, nga 10 mijë lekë të reja në muaj, tani ka vajtur 13 mijë”,- shtojnë burimet për “Telegraf”. Edhe pse në një situatë paradoksi, fluksi i të zbriturve nga fshatrat e largëta të rrethit si pasojë e pamundësisë për të jetuar atje, e mbanë çmimin e banesave e qirave në kuotat më të larta.