Letra e hapur e Fakultetit të Ekonomisë për ndërtimet pa leje

473
Sigal

Pushtimi i hapësirave të institucioneve të arsimit publik në vendin tonë është bërë një fenomen në rritje me përmasa gjithnjë e më të mëdha. Prej shumë vitesh universitetet publike në përgjithësi, dhe Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës në veçanti, po ndeshen me “pushtimin e hapësirave universitare” nga ndërtime pa leje, duke dëmtuar rëndë cilësinë e kushteve të mësimdhënies. Kjo ndodh kur autoritetet qeveritare flasin gjithnjë e më shumë për “prioritet në zhvillimin e arsimit”, rrisin çdo vit numrin e kuotave të studentëve, ndërkohë që përpjekjet e stafeve akademike, përpara numrit gjithnjë e në rritje të studentëve, nuk kanë gjetur dhe nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga autoritetet. Pika më kulmore arriti gjatë periudhës zgjedhore dhe mbas saj, ku subjekte ndërtuese kanë filluar dhe vijuar ndërtimin e dy godinave shumëkatëshe, në territorin e Fakultetit të Ekonomisë të UT dhe të kampusit të ardhshëm të UT-së, duke shkelur të gjitha dispozitat ligjore, duke vepruar mbi vendime të pezullimit të lejes ndërtimore, duke shkelur hapur planin urbanistik të Tiranës, dhe po ashtu duke shkelur hapur planin e miratuar për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit të Tiranës. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjygjësor Tiranë nr. 6075 i datës 30 Maj 2005, është shprehur qartë kundër këtij objekti të kundraligjshëm në territorin e Fakultetit të Ekonomisë duke shfuqizuar lejen e ndërtimit. Por çfarë ndodh? Duke sfiduar Vendimin e Gjykatës, duke shkelur çdo parim moral gjatë kësaj periudhe vere, duke shfrytëzuar qëllimisht në mënyrë të pamoralshme mungesën e studentëve dhe të pedagogëve për efekte të pushimeve të verës, ndërtuesit kanë vijuar ndërtimin pa asnjë pengesë nga autoritetet përgjegjëse. Por nuk ka mjaftuar vetëm kjo,  në territorin e kampusit të ri të miratuar nga KKRRTSH ka filluar dhe përfunduar një godinë 5 katëshe tërësisht pa leje. Të habit guximi i këtyre “ndërtuesve” për të shkelur hapur ligjin dhe po kaq të habit mosveprimi i autoriteteve shtetërore. Dhe e gjithë kjo ndodh hapur dhe pa asnjë frikë para syve të organeve shtetërore para syve të policisë bashkiake, të Inspektoriatit të Ndërtimit, të Ministrisë së Arsimit, të politikanëve të të gjitha ngjyrave që çdo ditë kalojnë në këto rrugë dhe nuk u bën përshtypje. Betoni dhe masakra urbane rrethon këtë fakultet. I bëjmë thirrje, Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, Këshillit të Ministrave, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, institucioneve të tjera si: Avokati i Popullit, Prokurorisë së Përgjithshme, etj, që të ndërhyjnë me kompetencën e tyre të përgjegjësisë publike që u jep ligji, në zgjidhjen e këtij problemi të kahershëm për Fakultetin më të madh në Shqipëri, i cili ka mbi 10,000 studentë nga çdo cep i Shqipërisë dhe mbi 400 pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm. I bëjmë thirrje shoqërisë civile, të gjithë universiteteve publike e private, studenteve të tyre që të bashkohen në përpjekjen e studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Ekonomisë për të çliruar territoret e tyre nga uzurpimi. Ne, stafi akademik dhe studentët e Fakultetit të Ekonomisë të UT në kushtet kur jemi ndeshur në murin e heshtjes dhe të neglizhencës e mosveprimit të organeve përkatëse të pushtetit, për zgjidhjen e kërkesave tona, kemi vendosur të protestojmë çdo ditë, në vazhdim, deri në një zgjidhje përfundimtare për lirimin e hapësirave publike universitare nga ndërtimet me apo pa leje në ambientet universitare pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Beteja me uzurpuesit e hapësirave publike nuk është betejë për interesa vetjake, nuk është betejë politike, por është betejë për mbrojtjen e tempullit të dijes. Është betejë për të ardhmen e vendit, për suksesin e zhvillimit europian të Shqipërisë!