Letra drejtuar z. Hanes Svoboda: Krimi i organizuar dhe korrupsioni fshihen pas problemit të pronës

    423
    Sigal

    Letra e Pronarëve të Dukatit, drejtuar z. Hanes Svoboda, anëtar i Parlamentit Europian dhe Mag. Thomas SchnÖll, Ambasador i Austrisë në Shqipëri

    Duke mos gjetur zgjidhje për të drejtën e pronësisë, edhe pse shumë e qartë në Kushtetutë, pronarët, gjithnjë e më shumë, kërkojnë nga ndërkombëtarët zgjidhjen e këtij problemi që ka çuar Shqipërinë në vëllavrasje. Pronarët mendojnë se, nëse ndërkombëtarët flasin me një zë dhe ushtrojnë presionin e duhur te qeveria shqiptare, vetëm atëherë do të gjendet zgjidhja për të drejtën e pronësisë dhe vetëm atëherë do të kemi demokraci dhe prosperitet të vendit tonë. Në këtë frymë është e ndërtuar dhe letra e Pronarëve të Dukatit, Qarku Vlorë, drejtuar z. Hanes Svoboda, anëtar i Parlamentit Europian dhe Mag. Thomas SchnÖll, Ambasador i Austrisë në Shqipëri:

    Zotëri të nderuar!
    Mediat tona njoftuan se zoti Svoboda, në vizitën e tij si europarlamentar, theksoi rëndësinë e bërjes së shpejtë të reformës administrative, sipas shembullit të Austrisë. Kryerja e reformës sipas këtij shembulli, do të ishte një fitore e madhe në zhvillimin demokratik të Shqipërisë.
    Është një fakt tashmë i njohur nga të gjithë, se politika e zbatuar në Shqipëri nga qeveritë në këto 23 vjet, ka bërë që Shqipëria sot të jetë një vend, me një shkallë të lartë të krimit dhe korrupsionit dhe me një zhvillim shumë të ulët ekonomik. Një nga pikat, ku krimi lulëzon, prej më shumë se 20 vjet ka lidhje me moskthimin ligjor të pronës së trashëguar tek i zoti. Kjo është shkelja më e madhe që i bëhet të drejtave të njeriut. Për këtë shkak, që prej vitit 1991 deri 2011, janë vrarë mbi 8000 vetë. Me rastin e vizitës Tuaj në Tiranë, ne prisnim që në krye të rekomandimeve për politikën shqiptare të shënohej, zgjidhja e problemit të pronës, që është burim i korrupsionit pushtetar në Shqipëri. Problemet që ju trajtuat, padyshim, që janë të rëndësishme për ne, por më i rëndësishmi është problemi i moskthimit të pronave. Duke anashkaluar problemin e pronës, de fakto, vazhdon të mbrohet krimi i organizuar dhe korrupsioni shtetëror që fshihet pas tyre.
    Pronat e konfiskuara, si dhe ato të kolektivizuara me imponim nga diktatura komuniste, duhej t’u ishin kthyer subjekteve që i trashëgonin, që në vitin 1991-‘92, siç është bërë në më shumë se 75 % të pronave të Shqipërisë. Problemet më të mprehta janë në më pak se 25% të sipërfaqes, që i përket kryesisht Qarkut të Vlorës nga Uji i Ftohtë, Dukati, Orikumi, Karaburuni, Llogoraja, Radhima e deri në Sarandë. Në këto zona me vlera turistike, politikanët e periudhës 1991-2013, de fakto, kanë mbajtur statusin e një sistemi komunist, të zhytur në korrupsion, ndërkohë që, de jure, shteti shqiptar është shpallur demokratik që në vitin 1991.
    Ajo që na shqetëson pa masë është se, lidhur me standardet e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, Komisioneri Stefan Fyle deklaroi se nuk ka kushte shtesë, por nuk e veçoi problemin e pronës. Ndërkohë, problemi madhor për popullatën autoktone të zonës bregdetare Vlorë-Sarandë është problemi i pronës, i cili zgjidhet nëse Qeverisë Shqiptare i rekomandohet dhe monitorohet që të shpalli detyrim të shtetit, zbatimin e Nenit 181 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e miratuar me referendum mbarë popullor. Zgjidhja e vetme e problemit të pronave është “kthimi fizik i tokës”. Ndërsa, kompensimi është mashtrim dhe njëherësh shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, që ka përcaktuar Kushtetuta e Shqipërisë si dhe Karta e të Drejtave të Njeriut. Kompensimi është një barrë financiare e papërballueshme dhe e parealizueshme për Qeverinë, por njëherësh edhe e panevojshme. Kompensimi duhet të bëhet vetëm në rastet, kur toka është zënë për nevoja publike.
    Raporti i Komisionerit të KE-së
    Në raportin prej 26 faqesh të z.Nils Muižnieks, Komisioner i Komitetit të Ministrave të KE 2013, në analizën e kushteve që duhet të plotësojë Shteti Shqiptar, ndër të tjera, në pikën 45, shpreh shqetësimin e thellë për mosekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ, si dhe të vendimeve të gjykatave të brendshme dhe të vendimeve administrative. Por, rekomandimet e Komisionerit janë të paefektshme për të korrigjuar kleptokracinë. Ne mendojmë se ju e keni analizuar Apelin që pronarët ju kanë dërguar në Mars 2013, si dhe “Letër pozicionimin” e shoqatave të pronarëve të datës 28 Nëntor 2013. Këto dhe apele të tjera, përfshi kritikat publike për qëndrimet abuzive të Bankës Botërore me të drejtën e pronës, në zonat turistike, janë publikuar dhe në faqen e shoqatës.
    E theksojmë se, demokracia dhe stabiliteti në Shqipëri do të ketë sukses, vetëm në qoftë se Parlamenti Europian dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë do të koordinojnë qëndrimet e tyre dhe do t’i kërkojnë Qeverisë dhe klasës politike shqiptare zgjidhje për problemet që prekin të drejtën e pronës.
    Kthimi i pronës sjell demokraci dhe zhvillim
    Duke qenë se, kushti kryesor për përafrimin e Shqipërisë në BE është liria, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut si edhe shteti ligjor, ne vërejmë se asnjëra prej tyre nuk mund të plotësohet pa kthyer më parë pronën tek i zoti. Aktualisht, toka në Shqipëri ka dy pronarë; pronarin që tokën e trashëgon nga babai dhe gjyshi i tij dhe nga ana tjetër pronarin e ri që e fabrikuan administrativisht me ligje antikushtetuese politikanët ish- komunistë. Në këto kushte a mundet të flitet për demokraci? A mund të flitet për të drejta dhe liri të njeriut? A mund të zhvillohet Ekonomia dhe veçanërisht Bujqësia? A mundet të vijnë investitorët e huaj europianë? A mundet të ketë siguri dhe, së fundi, a mundet të mos vriten shqiptarët me njëri-tjetrin? A mundet që biznesmenët e BE-së të investojnë në një vend, ku problemi i të drejtës së pronës paguhet me gjak dhe jetë njerëzish?
    Shoqatat tona kanë përgatitur edhe një projektligj dhe kemi bindjen se e realizon zgjidhjen e problemit në mënyrë definitive, në përputhje me Kushtetutën, me konventën dhe vendimin pilot të GJEDNJ/2012, por zëri ynë nuk dëgjohet.
    Kërkesa
    I nderuar zoti Svoboda, duke qenë anëtar i Parlamentit Europian, ju mund t’i jepni një kthesë pozitive zhvillimeve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar që Bashkimi Europian t’i kërkojë Qeverisë dhe klasës politike shqiptare zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për kthimin e pronës (tokës), pronarit që e trashëgon.
    Besojmë se Ju si politikan me formim demokratik, i një prej vendeve më të zhvilluara do të merrni parasysh kërkesën tonë për drejtësi, që BE të riformulojë, si pikë të veçantë pronën për kushtet që duhet të zbatojë politika shqiptare, për t’u pranuar kandidat në Bashkimin Europian. Ne besojmë se ju do të bëheni avokati ynë, duke kërkuar zgjidhjen e problemit të pronës konform Kushtetutës, Konventës dhe Vendimit Pilot të GJEDNJ/2012.
    Në pritje të përgjigjes Tuaj,
    Me respekt
    Pronarët e Fshatit Dukat, Qarku Vlorë
    Person Kontakti, Seri Allushi
    Adresa: Ruga “Bardhok Biba”, Pallati 75, Shkalla 5, Apartamenti 99, Tiranë