Letër falënderimi, si nxënësi shqiptar më i mirë në SHBA

    976
    Sigal

    Ish-Presidenti Xhorxh W. Bush vlerëson një nxënës nga Librazhdi

    E pabesueshme, por e vërtetë  shqiptarët janë më të vlerësuarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh W Bush ka vlerësuar gjatë mandatit të tij një talent nga Shqipëria. Ai është Arkel Kujtim Lenaku nga Librazhdi, i cili është cilësuar ndër nxënësit më të mirë të Amerikës. Dhe kjo ka ndodhur menjëherë pas atmosferës mikpritëse të Fushë – Krujës.  Laura Bush në emër të Xorxh W Bush ka dërguar letër për djalin nga Shqipëria, ku veç të tjerave shkruhej: “Vendi ynë ka nevojë për idealet, shpresën dhe energjinë tuaj”, shkruan midis të tjerash Presidenti Bush në letrën që i  dërgon Arkel Lenakut nga Librazhdi. Arkeli studionte në shkollën, ku ka mësuar dikur vet ish-presidenti Xhorxh W. Bush.  Arkel Lenaku është një djalë nga Komuna e Stravanit të rrethit të Librazhdit.

    Z.Lenaku kush është  familja juaj?

    Prindërit e mi janë nga Bërzeshta, babai ka  lindur në Fanjë dhe mamaja në Karkavec, pasi u martuan, prindërit e mi u  shpërngulën nga Brëzeshta  dhe u sistemuan në Stravaj rreth  vitit 1950, atëherë sapo ishte ngritur Ndërmarrja e Përpunimit të Lëndës Drusore (sharrat, siç u thonë shkurt). Aty filluan të punojnë, mamaja  filloi si shitëse, kurse babai si punëtor. Ka punuar në Sopot, Breg Plep, Liras, Radigoz, Lepushë, Qafë Malit, Liqeri i Cakës e kudo, ka patur raste kur kishte shumë dëborë, babai rrinte dy tri javë pa ardhur në shtëpi, për shkak të dëborës së madhe. Pasi, siç  thashë, babai im Xhemali dhe mamaja Hamidja vinin nga një familje e përndjekur nga Bërzeshta Librazhdit dhe punët që bënin, sidomos babai, ishin shumë të rënda. Në Stravaj familja jona ka kaluar mbi dyzet vjet, ku lindëm dhe ne fëmijët, por nuk mundëm të shkonim në shkollë për arsye biografie. Unë u bëra shofer, vëllai tjetër mekanik dhe motra mezi e rregulluan prindërit të mbaronte për mësuese, deri në të mesmen

    Deri në cilin vit keni qëndruar në Stravaj?

    Por ardhja e demokracisë bëri që mbas viteve 1990 të zbrisnin për një mirëqenie më të mirë në Përrenjas. Zbritëm në Përrenjas për të shkolluar fëmijët pasi atje në Stravanin e  largët nuk kishte  shkolla, mësuesit ishin shumë të dobët dhe nuk zhvillonin mësimin.

    Po si arritët që juve ‘ti dërgonit fëmijët në Amerikë?

    Ikëm me dokumente, u vendosëm në Conectikat, por unë u ktheva për arsye të mungesës së dokumenteve, kurse fëmijët dhe gruaja jetojnë atje.

    Sa fëmijë keni?

    Unë kam dy fëmijë Arkelin dhe Gerin, që të dy nxënës shumë të mirë në mësime. Të dy fëmijët u vendosën në një nga shkollat më të mira të qytetit.  Si për fatin tim të mirë, fëmijët vendosen në klasën, ku dikur mësonte Xhorxh Bush. Aty ku mësonte  djali im, Arkeli ishin fëmijë të ndryshëm emigrantësh nga disa shtete, madje dhe nga vetë SHBA-të.

    Si arriti që ish -presidenti Bush vlerësoi djalin tënd?

    Ish- Presidenti Amerikan sapo kishte qenë për vizitë në Shqipëri dhe  ishte në përfundim viti shkollor, shkolla kishte nxjerrë emrat e nxënësve që mësonin dhe nga ata pak fëmijë ishte djali im Arkeli. Ish- Presidenti së bashku më zonjën e Parë, Laurën, i kanë dërguar letër falënderimi djalit tim.

    Çfarë shkruhej në letër?

    Mbaj mend një frazë:  “Vendi ynë ka nevojë për idealet, shpresën dhe energjinë tuaj”!….

    Si ndjeheni për këtë vlerësim që i është bërë djalit tuaj?

    Ndjehem shumë i kënaqur që djali im radhitet ndër më të mirët, por vlerësoj akoma më shumë, madje duhet të falënderoj që  ish-Presidenti Bush dhe Zonja e Parë Bush kanë vlerësuar djalin tim, Arkelin. Kur  them për  djalin tim, vlerësimin që kanë për shqiptarët, ju jam mirënjohës e duhet t’ju jemi mirënjohës të gjithë drejtuesve të SHBA-ve, të cilët kanë vlerësuar e vlerësojnë  popullin shqiptar, i cili për 50 vjet vuajti nën  thundrën e egër të komunizmit. Kishim 50 vjet që nuk shihnim një ditë të bardhë. Atëherë nuk të jepnin shkollë, po të kishe biografi të “keqe” siç na quanin. Nuk  di se si ta falënderoj dhe çfarë të them, dëshiroj që dhe fëmijët e tjerë shqiptarë që janë atje të mësojnë dhe t’i vijnë në ndihmë kombit tonë.