Leonard Strazimiri:Ja procedura e re e ndihmës ekonomike dhe kategoritë përfituese

    471
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Leonard Strazimiri, Drejtor i Inspektimit të Pagesave në SHSSH

    Çdo ditë rritet numri i kërkesave që duan të trajtohen me ndihmë ekonomike në vendin tonë. Trajtimi me ndihmë ekonomike i familjeve realizohet pasi të jenë bërë verifikimet e mundshme për familjen që do të hyjnë në skemë, vlerësimi për ndihmë ekonomike do të bëhet mbi bazën e një sistemi pikësh. Në lidhje me ndryshimet e bëra për skemën e përfitimit ekonomik, ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Leonard Strazimiri, drejtori i Inspektimit të Pagesave në CASH pranë Shërbimit Social Shtetëror.  Zoti Strazimiri, u shpreh se: “Mënyra e re e aplikimit konsiston në implementimin e një formule të pikëzuar, ku familjet në skemën e ndihmës ekonomike do të përzgjidhen mbi bazë të një sistemi pikësh. Kështu, ajo çfarë dua të them është se ky vendim i ka të përcaktuara të gjitha detajet dhe hapat që do të ndiqen për përzgjedhjen e familjeve për tri qarqet pilot Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Bashkëngjitur këtij vendimi është edhe formulari tip, i cili do të plotësohet nga aplikuesit, të cilët duhet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Ky formular ka të detajuar në mënyrë të hollësishme të gjitha të dhënat personale për çdo familje që do të aplikojë në skemë”.

     -Zoti Strazimiri, para disa kohësh qeveria miratoi vendimin mbi procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së familjeve në skemën e Ndihmës Ekonomike. Në fakt, çfarë përshkruan në këtë vendim të ri mbi mënyrën e përfitimit?

    -Në muajin dhjetor 2012, nga qeveria doli vendimi 904 për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionin e përfitimit të ndihmë ekonomike, kryesisht për zonat pilot. Ky vendim ka të përcaktuar të gjitha kriteret që një familje duhet të përmbushë për tu përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Siç e kemi përmendur edhe herë të tjera kjo mënyrë e re e aplikimit konsiston në implementimin e një formule të pikëzuar, ku familjet në skemën e ndihmës ekonomike do të përzgjidhen mbi bazë të një sistemi pikësh. Kështu, ajo çfarë dua të them është se ky vendim i ka të përcaktuara të gjitha detajet dhe hapat që do të ndiqen për përzgjedhjen e familjeve për tri qarqet pilot; Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Bashkëngjitur këtij vendimi është edhe formulari tip, i cili do të plotësohet nga aplikuesit, të cilët duhet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Ky formular ka të detajuar në mënyrë të hollësishme të gjitha të dhënat personale për çdo familje që do të aplikojë në skemë. Ndërkohë, që përzgjedhja do të bëhet mbi bazën e një sistemi pikësh që do të përcaktohen nga ky formular.

     -Cilat janë kategoritë përfituese që janë të përfshira në skemë?

    -Sa i takon kategorive përfituese janë ato që kanë qenë edhe në ligjin e ri, ku janë shtuar dy kategori të reja si: viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit, do të trajtohen në këtë skemë fëmijët jetimë që nuk janë në institucionet tona rezidenciale. Po kështu janë të përfshirë në ndihmë ekonomike prindërit e fëmijëve të cilët kanë lindur më shumë se trinjakë, katërnjakë dhe pesënjakë me shumat konkrete tashmë të përcaktuara. Ashtu siç e thashë më sipër për kategoritë e reja si viktimat e dhunës dhe viktimat e trafikimit janë përcaktuar masat fikse të përfitimit, dhe vlera fikse e tyre është tre mijë lekë të reja. Gjithashtu, pjesë e kësaj skeme janë edhe familjet në nevojë. Ashtu siç e kemi përmendur edhe herë të tjera kjo skemë do të aplikohen në qarqet pilot, por pasi të shikojmë e arritura të mund ta shtrijmë atë në shkallë vendi. Vendimi i ri i qeverisë hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare dhe efektet financiare të tij fillojnë pas përcaktimit të formulës së pikëzimit dhe ngritjes së regjistrit elektronik kombëtar.

     -Cilat institucione do të bashkëpunojnë me ju në përzgjedhjen e familjeve që sipas skemës së re plotësojnë kriteret për t’u përfshirë në ndihmë ekonomike?

    -Regjistri elektronik që përmenda më sipër do të përmbajë të dhënat për familjet në skemën e ndihmës ekonomike. Ngritja e këtij regjistri presupozon futjen në sistem me të gjitha ato institucione që ligji i detyron të japin informacion për familjet në skemën e ndihmës ekonomike. Këto institucione janë Drejtoria e Patentave, Sigurimet Shoqërore, Zyrat e Punës, Inspektorati i Punës, dhe një sërë institucionesh të përcaktuara në vendimin 787 të Këshillit të Ministrave.

     – Disa pak kohë më parë në buxhetin e Ministrisë së Punës u tha se në skemën e ndihmës ekonomike do të ketë një numër më të madh personash që përshihen këtë vit. Në fakt, si kanë qenë kërkesat që janë bërë nga njësitë vendore për fonde, krahasuar me vitin e mëparshëm?

    -Po të vëmë re ecurinë e skemës së ndihmës ekonomike, unë e kam theksuar edhe herë të tjera, se kemi një rritje të lehtë të numrit të familjeve që trajtohen me këtë përfitim. Natyrisht kjo është e pranueshme edhe me ndryshimet që janë bërë në kuadrin ligjor, si p.sh. futja e kategorive të reja, si të thuash llogaritja e të ardhurave për gratë që janë kryefamiljare, familjet që janë në gjakmarrje dhe një pjesë tjetër familjesh të përcaktuara në vendimin 96 të Këshillit të Ministrave. Mbështetur edhe nga të dhënat e mësipërme është vënë re se nga njësitë vendore kemi rritje të kërkesave për fonde. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kërkesat janë të bazuara drejt. Në shumë raste, kemi kërkesa artificiale të skemës së ndihmë ekonomike. Por nga ana jonë, kërkesat e tyre shikohen me seriozitet dhe mbi bazën e treguesve realë të monitorimit.