Lekë Imeraj/ Tipi antisocial

    639
    Sigal

    Tipi antisocial (sociopat), është i njohur në të gjithë botën, pavarësisht nga vendi dhe kultura e kombeve. Ai është universal. Për aq kohë sa tipa të tillë nuk bashkohen në një front të përbashkët, mendohen, shoqërisht,  të dëmshëm por jo, shoqërisht, të rrezikshëm. Frontet e përbëra nga individë antisocialë, përbëjnë gjithmonë një rrezik potencial për shoqërinë. Fronte të tilla shfaqen shpesh në politikë, në ekonomi, në drejtësi, në arsim, infrastrukturë, urbanistikë dhe, thuajse kudo. Kur dëgjojmë se, në një qark të vendit, vetëm 3% e popullsisë paguajnë energjinë elektrike, atëherë duhet menduar se aty kemi të bëjmë me një front antisocial dhe jo më me individë antisocialë. Kur grupe të caktuara politike, bëjnë thirrje hapur për rrëzimin e qeverisë së ligjshme, kemi të bëjmë me një front politik antisocial. Kur drejtësia deklaron të pafajshëm kriminelët, kemi të bëjmë me një front juridik antisocial. Kur grupe të mëdha njerëzish bllokojnë rrugët nacionale, në shenjë proteste për të drejtat e “mohuara”, kemi të bëjmë me një front antisocial rebelesh.

    Të tilla fronte, zakonisht organizohen dhe zhvillohen në ato kombe me civilizim të ulet, ku mungon tradita e juridike, etika dhe morali. Nëse kombe të tilla do të kenë fatin e keq që të drejtohen nga forca politike të të njëjtit nivel, nga fshatarë politikanë, atëherë kombi do të pushtohet nga kaosi, do të sundohet nga krimi dhe korrupsioni. Nëse opinioni në masë përpunohet ose ideologjizohet nga forca të caktuara politike, fetare apo të tjera, në mënyrë të atillë sa, çdo realitet e mendon normalitet, atëherë duhet menduar se kemi të bëjmë me një front të rrezikshëm antisocial.

    Çfarë duhet menduar me tip apo personalitet antisocial?

    Është tipi që karakterizohet nga mangësi të theksuara respekti për ligjet, normat, etikën dhe moralin shoqëror. Është impulsiv dhe i padurueshëm me rregullat. Karakterizohet nga pak ose aspak vetëdije në marrëdhëniet e tij me mjedisin. I mungon “polici” i brendshëm. Sipas psikologëve, François Lelord dhe Christophe Andre, ky tip, gjendet tri herë më shumë te meshkujt se sa tek femrat.

    Tipat e tillë, fillojnë t’i shfaqin simptomat e personalitetit antisocial, që në fëmijërinë e hershme dhe veçanërisht në moshën shkollore si, mosinteresimi për shkollën deri në braktisjen e saj, alkooli, duhani, droga, vjedhja, rebelimi. Janë dhunues seksual dhe shëtitës të paqëllimtë. Sjellje të tilla, në përgjithësi janë në natyrën e djemve por, tek antisocialët ato vihen re në mënyrë të vazhdueshme dhe intensive. Këta vihen vazhdimisht në kërkim të një jete, të cilën as vet nuk e dinë se si është. Janë gjithnjë impulsivë, ziejnë nga brenda, nuk janë të vëmendshëm për pasojat e veprimeve të tyre, nuk ndiejnë fajësi. Përplasja e tyre me ligjin, normat dhe etikën është fare e mundshme dhe për çdo rast.

    Sipas statistikave mbi kriminalitetin,pjesa më e madhe e të burgosurve të dënuar për sjellje të padenjë dhe krime kundër personit, janë tipa antisocialë.

    Tipat antisocialë, shfaqen masivisht, në momente të caktuara të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha sociale. Krizat ekonomike, sociale, luftërat, revolucionet, janë momentet kur antisocialët ndjehen shumë mirë, si peshku në ujë dhe i shpalosin aftësitë e tyre prej vandalësh. Meqenëse nuk ndiejnë dhimbje dhe keqardhje për askënd dhe për asgjë, guxojnë gjithçka që munden. Tek ne, akoma edhe sot e kësaj dite kërkohen nga drejtësia kriminelët e luftës civile të vitit 1997, të cilët në mungesë të shtetit, krijuan bandat e armatosura edhe plaçkitën, vranë e terrorizuan popullin dhe forcat e shpartalluara të policisë.

    Tipat antisocialë, jo kudo sillen si të tillë. Në grupe të caktuara, ata sillen shumë mirë dhe zbatojnë me përpikmëri rregullat e grupit ku bëjnë pjesë. Si të tillë janë një kontingjent i vlefshëm për grupe të ndryshme aventureske dhe kriminale, drogë, terror, organizata terroriste besimtarësh dhe mafien në përgjithësi. Në grupe të tilla, zakonisht sundon një disiplinë e hekurt dhe ata e pranojnë atë.

    Për sytë e të tjerëve, antisocialët, në të shumtën e rasteve, tregohen të sjellshëm dhe të kujdesshëm. E ruajnë me shumë kujdes fasadën, për të shmangur përplasjet e mundshme me të tjerët.

    Motua tipike e të sjellurit të antisocialit është:- Nëse të pëlqen diçka, rrëmbeje menjëherë”! Dhe nëse nuk bëhet menjëherë, ai bën planin e sigurisë, për të mos u diktuar dhe dështuar.

    Tipat antisocialë, në përgjithësi karakterizohen nga një kuotë e lartë inteligjence. Shumë nga ata drejtojnë me shumë sukses bandat e ndryshme kriminale, pa u diktuar dhe zbuluar nga policia për kohë të gjatë. Por, jo vetëm kaq. Në momente krizash sociale, ata vihen në krye të turmave dhe marrin pushtetin. Një antisocial tipik ka qenë Stalini. Njeri pa arsim të lartë, nëntë herë i dënuar për krime të ndryshme. I ngjashëm me atë ka qenë edhe Hitleri. Edhe ai ishte paarsim të lartë dhe tri herë i dënuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Të tillë politikanë, si antisocial që janë, kur bëhen të plotpushtetshëm, punën e nisin me shkatërrimin e shtetit ligjor pasi atë e mendojnë armikun më të madh të tyre. Ata qeverisin pa ligje. Ligjet, normat, moralin, etikën ata i mendojnë si detyrim për të tjerët dhe aspak për veten e tyre. Janë të suksesshëm edhe në tregti por, çuditërisht, edhe në drejtësi, si avokat. Kanë aftësinë e të lidhurit shpejt me të tjerët dhe shpesh janë gazmor.

    Antisocialët, në përgjithësi, pëlqehen nga femrat. I ushqejnë ato me aventura, dëfrim edhe me ndjenjën e sigurisë. Por, fatkeqësisht, pjesa më e madhe e tyre nuk i mbajnë dot lidhjet e gjata. Janë tipa kinemaje dhe jo shtëpie.

    Tek çdo zhvillim personaliteti, genet luajnë një rol shumë të rëndësishëm, ashtu siç është vërtetuar nga kërkimet e shumta psikologjike. Një pjesë e madhe e sjelljes së njeriut antisocial është e diktuar gjenetikisht. Në aspektin psikoanalitik, edukimi i hershëm dhe i pastër, është faktori determinant për sjelljet e njeriut të rritur.

    Tek njeriu antisocial, që në fëmijërinë e tij të hershme, ndërtohet programi; Jeta është e vështirë dhe e pallogaritshme. Kjo e bën atë që të ndërtoi një program tjetër, antiprogram, i cili i bie ndesh programit të shoqërisë ku ai jeton. Edhe nëse duan, ata nuk dalin dot, aq kollaj,  nga programi i tyre, antiprogram. Nuk e durojnë dot kritikën dhe as këshillat e të tjerëve, kushdo qofshin ata. Nuk shtrohen në tavolinë por edhe nëse po, e braktisin shpejt atë. Pa asnjë rezultat. Janë njerëz që të dalin nga helli.

    Jo vet puna, por disiplina në punë, është armiku i tyre. Edhe nëse janë të aftë fizikisht, psikikisht dhe profesionalisht, ata nuk i nënshtrohen punës. Në shtëpi janë plëngprishës. Është shumë e vështirë që të mund të ndryshosh diçka tek ata pasi, sociopatia është bërë pjesë e personalitetit të tyre. Edhe nëse i vënë vetes qëllim, në të shumtën e rasteve dështojnë. Në psikikën e tyre vendin kryesor e zë programi i spontanitetit dhe të vepruarit jashtë kontrollit. Njerëzit normal ata i mendojnë, njerëz të shtrirë në shtratin e vdekjes.

    Për të përmbushur boshllëkun e tyre të brendshëm, vazhdimisht sajojnë programe të tyre personale. Të tilla janë sporti, bredhja nga një vend në tjetrin, udhëtimet aventureske, sportet e rënda deri dhe vdekjeprurëse me makinë apo motorë, seksi dhe provokime kaosi. Ju pëlqen dhuna dhe kaosi. Në shumë raste, shkojnë vullnetarisht në vendet ku ka konflikte të armatosura dhe marrin pjesë direkt në luftime, me njërën apo tjetrën palë. Për ata, nuk ka shumë rëndësi se në krah të kujt rreshtohen. Shpesh bëhen përdorues të drogës dhe alkoolit. Mjedisi, me ligjet, moralin dhe etikën, nuk ekziston për ata.

    Nuk është e lehtë të njohësh njeriun antisocial pasi ai, jo gjithmonë është shkelës i ligjit. Sjellja më e suksesshme me antisocialët është distancimi prej tyre, në punë dhe shoqëri.

     Nga libri “Dhuna”, i autorit Lekë Imeraj