Lekë Imeraj*/ Marrëdhëniet e hershme prindër-fëmijë përcaktojnë personalitetin tonë

    475
    Sigal

    Të gjitha fazat e tjera të zhvillimit të personalitetit të njeriut ndikohen fuqishëm nga ajo e fëmijërisë së hershme

    Për ata që nuk i dinë pasojat e mungesës së dashurisë së nënës tek fëmija, që nga momenti i lindjes, është shumë e vështirë që t’i imagjinojnë ato. Fëmija, që nga momenti që shkëputet nga barku i nënës, pushtohet nga ndjenja e frikës dhe e pasigurisë. Askujt tjetër nuk mund t’ia besojë ai sigurinë e tij veçse nënës së vet. Nevojat themelore të tij janë kontakti trupor, përkushtimi shpirtëror, ndjenja e mirëseardhjes dhe e sigurisë. Këto përbëjnë bazamentin mbi të cilin fëmija do të ndërtojë personalitetin e tij të ardhshëm. Veçanërisht në vitin e parë të jetës së tij fëmija është shumë i lidhur me nënën dhe shumë i influencuar nga dashuria e saj. Ata që nuk e përjetojnë këtë në këtë fazë, do të vuajnë gjithë jetën. Fëmija bebe, kur shikon shkëlqimin e syve të nënës, ndjehet i sigurtë, i lumtur dhe i qetë.

    Psikologjia e zhvillimit përcakton etapat në të cilat kalon një zhvillim psikik i shëndoshë tek njeriu. Djegia ose kapërcimi i tyre, shkaktojnë tek personaliteti i ardhshëm i individit pasoja nga më të ndryshmet. Dhe këto etapa fillojnë që nga momenti i shkëputjes së fëmijës nga barku i nënës. Në këtë fazë, fëmija duhet ta ndjejë veten, ashtu si më parë në barkun e nënës, një person me nënën. Në kulturën e rritjes së fëmijëve të disa popujve, nënat i mbajnë bebet në kurriz, kështu që qumështthithësi e ndjen veten një trup me nënën. E shprehur kjo në gjuhën profesionale, quhet simbiozë (dy gjallesa në një trup). Pashkëputshmëria fizike e bebit nga nëna është siguria më e madhe jetike për atë. Për zhvillimin fizik të fëmijës duhen ushqim, ngrohtësi dhe higjienë. Për zhvillimin shpirtërorë i duhen dashamirësi dhe kontakt fizik, nëpërmjet fërkimeve. Ai do që ta ndjejë, nuhasë dhe shijojë nënën e vet. Fillimisht fëmija është në gjendje vetëm sa të mund të bëjë dallimin midis kënaqësisë dhe pakënaqësisë. Kënaqësinë ai e merr nëpërmjet të thithurit të gjirit të nënës dhe përkëdheljeve të saj. Pakënaqësinë ai e ndjenë nga ndjenja e urisë, dhimbjet dhe ndjenja e braktisjes nga nëna apo personat e tjerë që mund ta shoqërojnë atë. Në raste të tilla, shumë bebe reagojnë në mënyrë agresive, me qarje të forta deri në nxirje të fytyrës dhe trupit. Gradualisht, fëmija duke u rritur, fillon shkëputjen fizike nga nëna, por, jo nga prania e asaj. Sidomos kur ndjehet i frikësuar kthehet menjëherë tek ajo. Nëna duhet që vazhdimisht t’i japë atij sigurinë se i ndodhet pranë, me qëllim që fëmija të shtojë distancën e rrugës së eksploruarit. Kështu fëmija ndjehet i sigurtë dhe vihet vazhdimisht, dhe gjithnjë e më shumë, në kërkim të vetvetes, në mënyrë të pavarur. Për aq kohë sa fëmija nuk ka krijuar akoma “Unin” e vet, jeton me atë të nenës. Në këtë fazë ai mendon: “Dritani i vuri lodrat në vendin e vet”. Me këtë ai mendon vetveten. Kur ai fillon të mendojë se: “Unë i vura lodrat në vendin e vet”, do të thotë se ai ka filluar të formojë identitetin e vet pra, ta njohë vetveten i pavarur nga nëna.

    Sipas specialistëve, shqetësimet e personalitetit të njeriut, fillojnë në fazën e fëmijërisë së hershme, atë të qumështthithjes. Nëse fëmija nuk përjeton fenomenin e simbiozës, pra, nëse nëna ,në vend të ndjenjës së sigurisë i tregon atij atë të pasigurisë dhe trishtimit, ai mbetet me ndjenjën e vet të frikës dhe pasigurisë. Sipas traditës shqiptare, lindja e djalit është gëzimi i shtëpisë dhe e vajzës mërzia, trishtimi. Në shumë familje, këtë trishtim vajzat do ta vuajnë gjithë jetën e tyre. Ato do të trajtohen si dorë e dytë dhe e tretë në familje. Nuk përjetojnë dashurinë prindërore dhe do të trajtohen me ato që teprojnë. Nëse tepron gjë. Mungesa e furnizimit me dashuri dhe dashamirësi, e përkëdheljeve, e urimit të mirëseardhjes nga shkëlqimi i syve të nënës, e përkujdesjes se përhershme, në radhë të parë, dhe mbi të gjitha, shkakton ndjenjën e frikës e cila do të bëhet ndjenja dominante tek fëmija, për gjatë gjithë jetës së tij. Edhe nëse ai dikur do të mund ta mposhtë disi këtë frikë në aparencën e jashtme, kjo nuk do të thotë se ai e ka mposhtur frikën. Në nënvetëdijen e tij ajo jeton dhe kërkon gjithnjë që me dhunë të dalë në sipërfaqe. Kjo ndjenjë çliron energji negative shpërthyese, energji e cila drejtohet kundër vet personit ose, nga ai tek dikush tjetër. Ai nuk e krijon dot ekuilibrin e brendshëm dhe vuan nga mungesa e stabilitetit. Të gjitha fazat e tjera të zhvillimit të personalitetit të njeriut ndikohen fuqishëm nga ajo e fëmijërisë së hershme. Në fazën e pubertetit fëmija fillon të përjetojë identitetin e vet duke ja kundërvënë atë prindërve dhe edukatorëve. Ai mundohet t’i mposhtë ata, duke i menduar si pengesa në realizimin e dëshirave të veta. (Nëse do të mund ta mposhti nënën, atëherë nuk do ta humbi atë). Me këtë motiv ata mundohen që të sillen me cilindo. Fëmijët e braktisur nga dashuria prindërore, në të shumtën e rasteve janë agresiv (brutal) ose depresiv. Rast pas rasti, ata mund ta orientojnë agresivitetin e tyre ndaj vetvetes ose, jashtë vetvetes, ndaj të tjerëve. Ata që agresionin e drejtojnë ndaj vetvetes, janë ata që ne i mendojmë kokëfortë, të pabindur, dhe që i bien murit me kokë. Janë superaktivë, të paorientuar dhe të pallogaritshëm. Ndjenja e frikës se do të keqtrajtohen apo rrihen, dhe zhduken nga të tjerët, i bën ata shume brutalë dhe të dhunshëm në sjelljet me të tjerët. Për të mposhtur ndjenjën e frikës ata janë gjithnjë në aksione të dhunshme, mendërisht dhe fizikisht. Ata krijojnë vështirësi kudo dhe me cilindo që do të kenë të bëjnë, në familje, kopsht, shkollë, punë dhe kudo. Edhe me natyrën dhe gjallesat e saj.

    Shoqëria njerëzore, mund të prodhojë çdo gjë, por jo njerëz. Ajo i merr ata nga prehrit e nënave. Se si do të jetë shoqëria e jonë, kjo do të varet shumë nga prodhimi njerëzor i nënave. Qytetërimi i kombit është fshehur në qumështin e nënave. Sipas Freudit, marrëdhëniet e hershme prindër-fëmijë, janë ato që do të përcaktojnë se kush do të jetë fëmija kur të rritet…Pa represion dhe sublimim nuk mund të ketë civilizim.

    Shkrimtar dhe përkthyes