Lejekalimi në zyrat konsullore shqiptare jashtë vendit

    739
    Vështirësitë me të cilat mund të përballen shtetasit janë të natyrave nga më të ndryshmet. Për çdo rast ata mund t’u drejtohen Përfaqësive të RSH për t’u këshilluar apo për të kërkuar ndihmë. Përfaqësitë ndihmojnë sidomos në rastet kur shtetasit kanë probleme dhe vështirësi me autoritetet e vendit pritës. Duhet pasur parasysh në këto raste se përfaqësitë nuk janë zyra informacioni apo agjenci udhëtimi. Shtetasit mund t’u drejtohen kurdoherë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të RSH për të vendosur lidhjet me familjarët e tyre në atdhe. Përfaqësitë shqiptare marrin përsipër njoftimin e familjarëve përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Prandaj dhënia e informacioneve të sakta dhe të mjaftueshme është me rëndësi. Edhe familjarët mund të kërkojnë ndihmën e MPJ, që përmes përfaqësive të RSH të vendosin lidhje me të afërmit e tyre. Duhet pasur parasysh që në këto raste përfaqësitë nuk mund të sigurojnë informacione, në qoftë se shtetasit për të cilët interesohen, qëndrojnë ilegalisht ose janë të burgosur dhe janë shprehur negativisht për kontaktimin me ta. Rëndësi të madhe ka dhënia e informacioneve të sakta rreth familjarëve dhe të njohurve të tyre jashtë shtetit.
    Sigal

    Pajisja me pasaportë në përfaqësitë konsullore

    Shtetasit shqiptarë me banim jashtë shtetit, mund të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportë biometrike ose kartë identiteti edhe në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në Athinë, Selanik, Romë, Milano, Bruksel, Londër, Nju Jork dhe Bernë. Pikat e kontaktit ku qytetarët duhet të drejtohen për marrjen e informacionit për këtë qëllim, janë të afishuara në faqet zyrtare të këtyre përfaqësive.
    Humbja ose zëvendësimi i pasaportës së udhëtimit
    Kur shtetasit shqiptarë humbin pasaportën, duhet që menjëherë të bëjnë denoncimin në organet policore të vendit përkatës dhe të njoftojnë Përfaqësinë diplomatike ose konsullore në atë vend. Për t’u ripajisur me pasaportë, shtetasit që e kanë humbur atë, duhet të veprojnë njëlloj sikurse dhe shtetasit e tjerë që kërkojnë të pajisen nga e para me pasaportë, duke shtuar këtu dhe depozitimin e dokumentit denoncues për humbjen e pasaportës së parë.
    Pajisja me lejekalim në shtetet ku ka përfaqësi shqiptare
    Kërkesa e shtetasve shqiptarë në përfaqësitë diplomatike ose konsullore për lejekalim, kur duhet të kthehen në Shqipëri dhe nuk kanë dokument udhëtimi, bëhet me prezencën e personit të interesuar para konsullit. Bëhet përjashtim për prezencën e shtetasit, në rastet kur ai: Është i ndaluar, arrestuar ose burgosur. Në këtë rast kërkesa bëhet nga autoritetet kompetente për të huajt në vendin pritës që merren me përmbarimin e veprimeve të kthimit në atdhe të personave në gjendje të parregullt. Në rastet kur për arsye të forta shëndetësore, nuk mund të paraqitet në përfaqësi, kërkesën e bëjnë familjarët ose për këtë paraqesin deklaratë përfaqësimi dhe dokumente të tjera bindëse. 
    Pajisja me lejekalim në shtetet ku s’ka përfaqësi shqiptare 
    Kur shtetasi shqiptar ka humbur dokumentet e udhëtimit në një vend ku nuk ka përfaqësi diplomatike apo konsullore shqiptare, ai bën kallëzimin në postin e parë të policisë së vendit përkatës për humbjen e dokumenteve të udhëtimit dhe me ndihmën e autoriteteve policore realizon kontaktin me ambasadën apo konsullatën e vendit të tij që ka në juridiksion shtetin ku ai ndodhet përkohësisht. Me ndihmën e policisë të vendit përkatës dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare që njoftohet nga familjarët e tij, bëhet i mundur shkëmbimi i informacionit dokumentues dhe pajisja me leje kalimi nga ana e Përfaqësisë shqiptare. Dhe kjo, gjithmonë në rrugë zyrtare nëpërmjet autoriteteve policore të shtetit ku ai ndodhet.
    Dokumentacioni bazë mbështetës për identitetin e kërkuesit: 
    1. Pasaportë e pavlefshme.
    2. Kartë identiteti origjinale.
    3. Çertifikatë lindje nga gjendja civile përkatëse, e lëshuar jo më larg se 6 muajt e fundit nga data e kërkesës, e shoqëruar me kopjen e kartës së identitetit.  
    4. Leje drejtimi automjeti, format i ri elektronik shqiptar.
    5. Leje pune ose leje studentore me fotografi shoqëruar me dokumente bankare të vendit pritës.
    Ky dokumentacion duhet të shoqërohet me denoncimin pranë autoriteteve kompetente vendase për humbjen e pasaportës. Kërkesa për pajisje me lejekalimin e personave të mitur deri në 16 vjeç bëhet nga dy prindërit ose njëri prind, me pëlqimin e prindit tjetër. Pëlqimi jepet nëpërmjet një deklarate noteriale. Për të miturin me një prind ose me kujdestar, kësaj kërkese i bashkëlidhen dokumente që konfirmojnë kujdestarinë mbi fëmijën. Personi i mitur, (i sapolindur) për t’u pajisur me lejekalimi, paraprakisht duhet të jetë regjistruar në zyrën përkatëse të gjendjes civile në vendin ku ka lindur dhe dokumenti shoqërues duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
    Si vepron një shtetas shqiptar jashtë vendit kur gjendet në një situatë trafikimi 
    Rasti i parë:
    Shtetasi duhet të kontaktojë direkt përfaqësinë diplomatike ose konsullore në këtë vend, të deklarojë problemin dhe të kërkojë ndihmë përfshirë edhe faktin nëse ai/ajo dëshiron të kthehet në Shqipëri.
    Rasti i dytë: 
    Shtetasi duhet të kontaktojë direkt me strukturat e policisë në vendin ku gjendet dhe të kërkojë ndihmë. 
    Rasti i tretë: 
    Në pamundësi për të kontaktuar me policinë ose me përfaqësinë diplomatike ose konsullore shtetasi mund të kontaktojë një organizatë vendase jo qeveritare që ndihmon shtetasit e huaj për raste të tilla.
    Tarifa e shërbimit konsullor
    Pagesa e tarifës së shërbimit konsullor është 30 euro. Kjo pagesë kryhet nëpërmjet bankës. Afati i vlefshmërisë, sipas rrethanave është 1 deri në 6 muaj.