Legalizimi në GREQI/ Gati për diskutim e miratim në Parlamentin vendas KODI i ri i EMIGRACIONIT

    461
    Sigal

    A do të trajtohen emigrantët si në vendet e tjera perëndimore të BE-së?

     Thjeshtëzim apo Iluzion i radhës?

     Gati për diskutim e miratim në parlamentin vendas është KODI i ri i EMIGRACIONIT dhe integrimit social. Pas Kodit të Nënshtetësisë (Kodit të qarkullimit rrugor, Kodit të Bashkive dhe Komunave…) erdhi radha e çështjes së emigracionit të sistemohet në një draft të qartë e të saktë. Ky është objektivi i radhës, që për të mirën e rreth 1 milion banorëve emigrantë shpresojmë të jetë dhe rezultativ. Statistikat flasin më mirë: në regjistrimin e popullsisë së vitit 2001, të huajt ishin 762.000, në vitin 2011 numri i shtetasve të huaj të regjistruar ishte 911.929. Nga kjo shifër, 52,7% janë shtetas shqiptarë, ndërsa komunitetet e tjera të huaja kanë përqindje mjaft të ulëta. Një arsye më tepër për ne përse projektligji i ri i ministrisë së Brendshme duhet të shënojë dhe një epokë të re në gjithë procesin Emigracion, duke arritur më në fund të krahasohet dhe pse jo, të barazohet, me legjislaturën, zbatimin në praktikë dhe trajtimin e të huajve si në vendet e tjera perëndimore të BE-së. Pa dashur të thjeshtëzojmë rëndësinë e hapave të ndërmarrë në vitet e kaluara, gjithnjë gjatë dekadës së fundit (në vitin 2001 u miratua ligji i parë i emigracionit, përshtatur situatës së re me të cilën u përballë Greqia, pas 90-ës), radhët e gjata nëpër Qendrat e Shërbimit të të Huajve, vonesa e pullave shumë të shtrenjta të qëndrimit, mjegulla që mbizotëron në informimin dhe zbatimin e rregullave, të cilat edhe vetë nëpunësit nuk kanë arritur t’i akumulojnë… janë treguesit e fuqishëm se shteti nuk funksionon siç duhet. Ose legjislatura nuk është e plotë dhe e gjerë për të mbuluar nevojat e shoqërisë multikulturore, faktor real, që nuk mund të anashkalohet më. Kodi i ri i Emigracionit, që pritet nga dita në ditë

    të kalojë për diskutim në Parlament, është paraqitur nga vetë ministri i Brendshëm, G. Mihelaki, në një takim me kryeministrin A. Samaras, nga ka marrë dhe “dritën jeshile” të domosdoshme. Sipas të dhënave paraprake, rëndësi e veçantë i jepet lejes afatgjatë/5-vjeçare, të bazuar në Udhëzimin Komunitar të BE-së, për të cilën kemi shkruar gjatë në gazetë, e kemi sugjeruar jashtë mase dhe faktikisht është e vetmja mundësi e sotme për punësim të shpejtë e emigrim të saktë në vendet perëndimore të Bashkimit Europian.

    Deri në këtë moment, në Greqi, ekzistojnë 20 ligje, 6 Dekrete Presidenciale, 42 akte të paorganizuara, vendime në radhë… për legalizimin dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit të emigrantëve. Të dhënat që kemi mundur të sigurojmë deri tani bëjnë fjalë për një përqendrim të të gjitha sa përmenden më sipër në një kuadër ligjor me 140 NENE. Me Leje Qëndrimi bazë për integrim në tregun e punës grek dhe të BE-së Lejen Afatgjatë 5-vjeçare. Për kategoritë që nga hyrja në fuqi e ligjit (pas diskutimit, miratimit, publikimit në Fletoren Zyrtare, domethënë mos nxitoni shumë, është herët akoma) do të disponojnë akoma lejen afatgjatë 2-vjeçare ose 1-vjeçare, do të ketë kritere të caktuara për pajisjen me Lejen Afatgjatë. Ndërsa për rastet kur nuk plotësohen kriteret, do të disponojnë statusin e lejes së qëndrimit 3-vjeçare.

    Lejet e Qëndrimit dhe të Punës në shifra

    -Në Kodin e Ri parashikohet kufizimi i kategorive të Lejeve të Qëndrimit nga 50 në 19. -Lejet e punës nga 4 që janë sot në fuqi, do të përfshihen në një të vetme. -Bëhet e ditur se rreth 20 dokumente që kërkohen si të domosdoshme për procedurën e rinovimit të lejes së qëndrimit, do të anulohen krejtësisht.

    Fëmijët e emigrantëve

    Përsa i përket brezit të dytë, Kodi i Emigracionit parashikon se fëmijët e lindur dhe të rritur në Greqi, që kanë ndjekur institucionet edukative vendase, do të gëzojnë të drejtën e pajisjes me Leje Afatgjatë dhe do të eliminohet burokracia në rinovimin e lejes së qëndrimit. Nga njëra anë, kjo siguron statusin e rezidentit në BE, nga ana tjetër, automatikisht synon në uljen e kërkesave për nënshtetësinë greke, duke ofruar një opsion thuajse të njëjtë. Sepse, vërtet fëmijët e lindur e të rritur do të sigurojnë një status punësimi në shtetet anëtare, por çfarë ndodh me të drejtat e tjera, që në Greqi i gëzojnë vetëm disponuesit e “tautotitës”. Do të jetë e mjaftueshme “aspirina” për të anashkaluar çështjen e madhe e së drejtës së nënshtetësisë tek fëmijët e lindur në vend, sidomos të shtetasve afrikanë, të cilët në mjaft raste nuk kanë as certifikatë lindjeje nga shteti amë??? Së fundi, këtu mbetet të shohim dhe nëse ky propozim do të marrë mbështetjen dhe votën miratuese në parlament, apo do të ngjallë të tjera konflikte e diskutime, vonesa e anulime në dëm vetëm të emigrantit.

    Ira Londo

    Shifra dhe fakte të emigrantëve shqiptarë në Greqi

    -Emigrantët e parë shqiptarë në Greqi përkojnë me fundvitin 1990 dhe fillimin e vitit 1991.

    -Aktualisht sot në Greqi janë 680 mijë emigrantë, nga të cilët 235 mijë janë fëmijë.

    – Procesi i parë i legalizimit të emigrantëve në Greqi filloi në vitin 1999.

    -Deri tani janë bërë 6 procese legalizimi, ku ndryshimet janë drastike në disfavor të emigrantëve.

    -Në Greqi ndodhen një e treta e emigrantëve shqiptarë kudo në botë.

    -Aktualisht nga Greqia janë larguar për shkak të krizës rreth 120 mijë emigrantë.

    -Punët të cilat kryejnë emigrantët janë, bujqësi, blegtori, peshkim, ndërtim, kamerier.

    -Në Athinë janë dy të tretat e emigrantëve shqiptarë.

    -Aktualisht janë të pajisur me leje 10-vjeçare 130 mijë emigrantë, me leje 5-vjeçare 70 mijë

    -Mendohet se për shkak të krizës këtë vit do të largohen nga Greqia dhe 50 mijë emigrantë shqiptarë

    -Për punë stinore shkojnë ën vendet kufitare me Greqinë 20 mijë emigrantë shqiptarë.