Legalizimi 44 mijë banesave, pronarët: Duam kompensim real!

    426
    Sigal

    DURRËS:- Takimet e zhvilluara këto ditë në Qarkun e Durrësit me praninë e drejtuesve të Drejtorisë së Urbanizimit dhe ALUIZNI-t  kishte si qëllim sqarimin dhe grumbullimin në detaje të informacionit lidhur me zonat dhe numrin e banesave që presin legalizimin e tyre. Në shkallë Qarku Durrësi ka gjashtë zona si Këneta, Currilat, Spitalla, Nish-Tulla, Porto-Romano dhe Plazhi, të cilat në total përbëjnë rreth 44 mijë banesa të ndërtuara në vitet e fundit të tranzicionit politik. Sipas burimeve nga qarku “Durrësi e ka nisur procesin e legalizimit në një zonë pilot pjesë e ish-Kënetës me rreth 4500 familje, dhe pastaj bazuar mbi formularët e mbushur dhe të dorëzuar sipas rajoneve dhe komunave, ky proces do të shtrihet në gjithë zonat e përcaktuara ne specialistët e sektorit të Urbanistikës”. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe kryetarë komunash dhe bashkish si dhe të rajoneve, ku kanë kërkuar sqarimet teknike të procesit të legalizimit. Më e vështirë paraqitet ky proces në zonën e ish-Kënetës dhe plazh, ku duhen ndarë banorët e vjetër nga ata të rinjtë e ardhur pas vitit 1992. Nga zyrtarët e pranishëm në takime janë kërkuar statistika lidhur me regjistrimet e sakta të popullsisë, duke shprehur mendimin se, “zona e ish-Kënetës duhet pasur kujdes  në procesin e legalizimit”. Por ashtu siç ishte premtuar në këto takime nuk janë thirrur përfaqësues të Shoqatës së Ish-Pronarëve të Durrësit, të cilët kanë pasur kundërshtimet e tyre lidhur me çmimin e tokës, kompensimin në zonat si plazhi, Currilat, apo Përroi Agait, të cilat qysh më parë ishin caktuar për kompensimin e tyre pas pushtimit të trojeve ekzistuese. Ish[pronarët e Durrësit  kanë kërkuar të mos veprohet kurrsesi pa marrë miratimin e tyre, duke kërkuar konsultime paraprake. “Nuk mund të legalizohet toka dhe banesa e një të ardhuri  e ndërtuar pa leje 10-12 vjet më parë në tokën time, ky është absurdi i qeverive të tranzicionit, të cilat ish-pronarët i katandisën në robotë që hyjnë e dalin dyerve të Gjykatave dhe Hipotekave për të marrë pronën që u takon me ligj”- thanë ish-pronarët durrsakë Dovana dhe Kadiu.  Dhe si të mos mjaftonte kjo, edhe nga banorët e ardhur në zona ku çmimi tokës është maksimalisht i lartë, kërkojnë legalizim falas, siç ishte premtuar nga kjo qeveri. Specialistët e Qarkut parashikojnë debate dhe përplasje mes tyre dhe banorëve të rreth 44 mijë banesave, duke e përcaktuar procesin e legalizimit si “mjaft problemor për Durrësin”. Pas Tiranës, qyteti bregdetar i Durrësit mbetet më i shpërfytyruari nga ndërtimet informale dhe kjo nuk mund të thuhet vetëm në periferinë e tij por edhe zonat bregdetare, të cilat i kanë humbur shanse të mëdha Durrësit. Artur AJAZI