Legalizimet/Ja se ç’do të bëhet me bonot e privatizimit

    428
    Sigal

    Pagesat për legalizimin e ndërtesave pa leje krahas alternativës së shlyerjes së detyrimit financiar në mënyrë të menjëhershëm, do të kenë edhe mundësinë e pagesës me këste të reduktuara. Formula e re e pagesës do të nisë zbatimin me miratimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9485, datë 03.04.2006, ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, i ndryshuar’”. Në total janë 297 mijë ndërtime informale në të gjithë vendin. Nisja e procesit të legalizimeve në mënyrë masive ishte parashikuar, referuar programit 300 ditor të hartuar nga MZHUT, në fund të muajit shkurt. Ajo çfarë do të shoqërojë ndryshimet ligjore, sipas gazetës “Panorama”, është pikërisht risia sa i takon vlerës së tokës me anë të së cilës përllogaritet kostoja e faturës. Në këtë mënyrë do të shfuqizohet neni 20 dhe 21, në të cilën përcaktohet çmimi i ndërtimeve informale brenda dhe jashtë vijave të verdha. Me hyrjen në fuqi të paketës së re, vlera e truallit do të jetë e ndryshme për zona të ndryshme në zona të ndryshme urbane.

    Bonot e privatizimit

    Më herët, është marrë vendimi edhe për rimbursimin e shumave të paguara në të holla, në këmbim të pagesës nëpërmjet bonove të privatizimit për ata persona që kanë kryer, pagesën e parcelës së objektit informal përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.10219, datë 4.2.2010, “Për disa shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar”. Masa e pagesës së rimbursueshme për efekt të shlyerjes me bono privatizimi, do të jetë në përputhje me përqindjet e përcaktuara në nenet 19 dhe 20 të ligjit nr. 9482, i ndryshuar. Drejtoritë e ALUIZNI-t në Qarqe, njoftojnë me shkrim përfituesit, për hapjen e llogarive bankare dhe vlerën monetare për të cilën përfitojnë rimbursim. Personat që përfitojnë, janë të detyruar të bëjnë pagesën me bono privatizimi të vlerës së rimbursueshme dhe të dorëzojnë pranë drejtorive të ALUIZNI-t në qarqe, dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e kësaj pagese brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit me shkrim. Mos kryerja e pagesës me bono privatizimi, brenda afatit të përcaktuar, sjell humbjen e të drejtës së rimbursimit të shumës respektive në para. Brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të dokumentacionit financiar që vërteton kryerjen e pagesës me bono privatizimi, pranë drejtorive e ALUIZNI-t në qarqe, bëhet i mundur transferimi i shumave të rimbursueshme, në numrat e llogarive.