Lefterie Lleshi/Suksesi i zgjedhjeve, detyrim ligjor

519
Sigal

*Kryetare e KQZ-së

Suksesi i zgjedhjeve është pikë së pari,  një detyrim ligjor dhe përparësi absolute e përbashkët që ne ndajmë, trajnerët e KQZ-së. Ju do të kualifikoheni profesionalist për t’ja përcjellë të gjitha këto njohuri atyre mijëra njerëzve të përkushtuar, të cilët do të angazhohen për të realizuar në praktikë një prej parimeve themelore të demokracisë. Kjo e bën rolin tuaj jetik dhe pozitën tuaj kyç në sigurimin e një standardi të besueshëm të këtyre zgjedhjeve. Mbetem e bindur se pa bashkëpunimin e ngushtë dhe pa mbështetjen e të gjitha hallkave të këtij procesi, asnjë palë nuk mund të realizojë në Shqipëri zgjedhje të lira, të ndershme, të barabarta, transparente dhe demokratike në përputhje me parimet dhe rregullat e vendosura në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. KQZ-ja me të drejtë konsiderohet si autoriteti ligjor përgjegjës për garantimin e procesit elektoral. Por në fakt, aktorët janë të shumtë, sa ç’janë të paneglizhueshëm edhe ndikimet e tyre. Unë përfitoj nga kjo tryezë që t’i ftoj të gjitha palët t’i bashkohen vullnetit maksimal pozitiv që ka KQZ-ja për t’ju dhënë shqiptarëve një proces të ndershëm e të drejtë, një klimë transparente dhe demokratike zgjedhore, një rezultat të pranueshëm nga të gjitha palët. Komisionerët e çdo niveli, ashtu si votuesit, kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë standardet më të larta të etikës, duke respektuar rigorozisht dhe me paanshmëri procedurat ligjore dhe Kodin Zgjedhor. Kualifikimi juaj, për ne është një hap i rëndësishëm në çuarjen përpara të misionit tonë ligjor. Ne presim që ju, të na mbështesni në Strategjinë tonë për ngritjen e nivelit profesional të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, për mbarëvajtjen e procesit në Zonën e Administrimit Zgjedhor në qendrën e votimit dhe vendin e numërimit të votave. Puna juaj si trajnues duhet të karakterizohet nga fryma e bashkëpunimit, profesionalizimit, paanshmërisë, zbatimit të ligjit si dhe përgatitja mbi një bazë material cilësore. Për këtë stafi i KQZ-së ka marrë të gjitha masat dhe në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë,   ka punuar intensivisht për të qenë në lartësinë e detyrës. Manuali i KZAZ-së i përgatitur nga Sektori i Trajnimit në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Europës është i kuptueshëm, i qartë, praktik, i detajuar dhe me shembuj konkret të problematikave të mundshme që mund të krijohen Manuali përmban sistemin e zgjedhjeve, kodin e etikës, organet e zgjedhjeve, organizimi, vendimmarrja, vendimet, dokumentacioni i punës së saj, përgjegjësitë dhe sanksionet për anëtarët dhe sekretarin e KZAZ-së. Më lejoni të falënderoj ekspertin e Këshillit të Europës për asistencën e dhënë në përgatitjen e këtij manuali. Gjithashtu vlerësoj lart angazhimin Tuaj dhe besoj se Ju, ashtu si e gjithë trupa e komisionerëve të cilët Ju do t’i trajnoni, e keni atë integritet profesional dhe etik, atë ndershmëri morale për t’i përmbushur plotësisht detyrat tuaja.