Lazgush Poradeci/ Poezi

    448
    Sigal

    Erë trëndelinë

     Sesi m`ju lëndon dashurija!

    Sesi m`ju lëndon pa pushim!

    O lotët e syve të mija!

    O klithmëz e tingëllit t`im!

    Ju shoqe të kohës mitare…

    Mikesha…motricka…pa faj!

    Ju humbte në mjegull përfare,

    Dh`u solla nder mend e po qaj!

    As flak` e shkëndijës q`u shua,

    As syri që nxihet e plas,

    Nuk lanë-o ju vasha për mua

    Vurratat e errëta pas:

    Haj!flutur` e zezë me duar

    Një flutur secila prej jush

    Më la në gishtrinj dyke shkuar

    Pluhurin që ndrin posi prush…

    Sot çela pëllëmbën e dorës

    Q`u ciku gazmore dikur-

    Si pah verbimtar i dëborës

    Sërish po më ndrin një pluhur…

    Përse nuk m`u shojte përherë

    Të hesht të pushoj për kurdo,

    Ti mall që nër to pate lerë

    Dh`u rite dh`u ndrite nër to!

    Ju shoh përtej mjegullës s`uaj

    E shpirtin prej jush e kam plot,

    Pa s`mund si t`a them, si t`a shuaj

    Ah!këngën e mbushur me lot.

    Se koti-u larguat mënjanë,

    Më vajte me kot aq larg,

    Kur sumbulla lot që më ranë

    Si rruazat i shkova në varg…

    Dh`i ndrita me syrin e fshehur…

    Dh`i vela me zërin mitar…

    Dh`i skuqa me buzën e dehur…

    Me shpuzën e flogut si ar…

    Oji! trëndelin` e venitur

    Ju fali gjith erën e saj…

    Pse rreh kaq me hov të çuditur,

    Haj!Zemëra ime ti, haj?…

    Ju lule q`u leu parëvera,

    Dh`u cika me gas një mëngjes!…

    Se largu prej jush më ra era,

    E desha prej mallit të vdes.

     

    Kush ta fali bukurinë

     Kush ta fali bukurinë

    Qe t’ë më trerosh të zinë!

    Kur të pashë për të vluar,

    Pëllumbeshë pendë-shkruar,

    Bubu! plumb në kraharuar,

    Plumb që vret dyke gjëmuar!

    Mbledhur shoqet me një qoshe,

    Diç, m’ju flisje,diç m’ju thoshe,

    Gushë-e-llërë-e-gji-bardhoshe.

    Pa me syçkëzat e tua,

    Sy-larme!ç’më fole mua.

    Leshrave t’ju binte hija,

    Yll i ndezur me shkëndija,

    Ndezur mun në mes në ballë,

    Të më vesh në dhe të gjallë.